Lajme
Komuna e Prishtinës kundërligjshëm dha leje për një “objekt të përkohshëm” në Arbëri, aty parashihej ndërtimi i çerdhes
Demokracia
22:41 | 09 Maj 2024

Share:

Objekti i përkohshëm, pa rregullore, me beton dhe armaturë! E pamë edhe këtë në Prishtinën “e përjetimeve”. 

Një objekt i përkohshëm po ndërtohet me leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prishtinës në parcelën kadastrale nr.10555-1 ZK Prishtinë në lagjen “Arbëria 3”. Pikërisht në këtë zonë, sipas planit urbanistik, është paraparë të ndërtohet një çerdhe për fëmijë.

Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, leja për ndërtimin e këtij objekti të përkohshëm është lëshuar më 31 korrik 2023, nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, gati një vit pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës [më 25 nëntor 2022], kishte shfuqizuar Rregulloren për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm për persona fizikë dhe juridikë.

Vendimi për shfuqizimin e rregullores

Aktualisht, Komuna e Prishtinës nuk ka në fuqi ndonjë rregullore për ndërtimin e objekteve të përkohshme, që nënkupton se pronari i tokës ku po ndërtohet objekti në Arbëri, Besim Pacolli, u pajis kundërligjshëm me leje ndërtimore për ndërtimin e një objekti të përkohshëm me destinim gjoja “zyrë administrative”, deri në realizimin e projektit të çerdhes, të paraparë me plan urbanistik.

Ekipi i Reporterit gjatë të martës ka qëndruar në Arbëri dhe ka përcjellë nga afër punimet që po kryheshin për ndërtimin e objektit gjoja të përkohshëm.

Nga ajo që është parë në terren, objekti tashmë kishte bazamentin e betonit, shtyllat e betonit dhe shtyllat e armaturës, të cilat ishin bërë gati për të vendosur pllakën e dytë të betonit, atë mbi katin përdhesë. Po ashtu, bazamentet nga ana e rrugës ishin të mbuluara me një ceradë të zezë, mbase për “t’i fshehur”.

Plani urbanistik që parasheh ndërtimin e çerdhes në vendin ku po ndërtohet objekti i përkohshëm

Fill të nesërmen në mëngjes, pra të mërkurën, ekipi i gazetarëve sërish ka qenë te zona në fjalë, ku është parë pompa e betonit dhe punëtorët që kishin nisur veçse vendosjen e pllakës së betonit për katin 0.

Po ashtu, është vërejtur që në ndërtimin e këtij objekti tash e dy javë po punohet edhe gjatë ditëve të fundjavave, përfshirë të dielën.

Për të marrë më shumë informacione që janë relevante dhe në interes të publikut, Reporteri.net që nga e premtja e kaluar është në pritje të përgjigjeve nga Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga arkitekti Përparim Rama, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Pas insistimeve për të marrë përgjigje përmes email-it, redaksia të mërkurën ka kontaktuar direkt në telefon drejtorin e Inspekcionit, Florian Dushi. Dushi tha se të martën i ka pranuar pyetjet dhe është në pritje të mbledhjes së informacioneve për të përpiluar raportin e detajuar.

Leja për ndërtimin e “objektit të përkohshëm”

Drejtori i Inspekcionit në kryeqytet foli edhe për statusin e objektit të përkohshëm, duke thënë se atë nuk e përcakton materiali me të cilin ndërtohet, por vendimi për lejen.

Statusin e objektit të përkohshëm nuk e përcakton materiali, por e përcakton vendimi mbi lejen”, tha ai për Reporteri.net.

Ai u shpreh se janë me mijëra objekte në ndërtim e sipër në Prishtinë dhe si rrjedhojë nuk mund të ketë informata për të gjitha ato.

E kom përcjell unë te kompetentët dhe jam duke i pritë përgjigjet. Ata [inspektorët] i inspektojnë çdo punim që zhvillohet në Prishtinë, po në pjesën e asaj që përbën interesim të jujin, unë jam duke i pritë përgjigjet, raportin. Keni me pasë çdo detaj që e keni kërku keni me pasë informatën. Objekte sigurisht me mijëra ka në Prishtinë në ndërtim e sipër dhe prandaj duheni me mirëkuptu që jo për të gjitha unë kam informata”, deklaroi Dushi.

Gazeta Online ka tentuar që të marrë prononcimin edhe të pronarit të tokës, Besim Pacolli, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefonin e tij.

Në vendpunishte tek objekti që po ndërtohet, ekipi i gazetarëve të martën ka takuar rastësisht dhe ka biseduar me djalin e Pacollit, i cili ka insistuar se ndërtimi po bëhet konform rregullave.

“Po ti a e din se kjo është toka jonë. A po kupton? … I kena letrat. U kanë [për çerdhe], edhe e kana marrë lejen për objekt të përkohshëm”, tha A.P., ndër tjera.

Ndryshe në bazë të rregullores tashmë të shfuqizuar, një objekt i përkohshëm parashihej që të ndërtohet nga druri, metali, plastika apo material tjetër që është lehtë i demontueshëm në momentin kur nis realizimi i projektit të paraparë me plan urbanistik.

Të ngjashme