Lajme
Greva e administratës, palëve u lejohet hyrja në gjykatë vetëm për të marrë konfirmimin për seancën e radhës
Demokracia
10:32 | 01 Mars 2022

Share:

Pasi fillimisht palët nuk u lejuan të hyjnë në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak të grevës së punëtorëve të administratës së kësaj gjykate, një gjë e tillë ndryshoi në ndërkohë.

Sipas kryesisë së këshillit grevist, fillimisht palët nuk u lejuan fare në hapësirat brenda gjykatës, por me marrëveshje me hierarkinë e gjykatës, palët do të lejohen vetëm për të marrë konfirmimin për seancën e radhës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo pasi seancat e caktuara për sot nuk do të mbahen për shkak të grevës, me përjashtim të rasteve të paraburgimit, dhunës në familje e rasteve tjera të natyrës urgjente.

Greva e administratës, qytetarëve dhe palëve tjera u mohohet qasja në gjykatë.

Për shkak të grevës së punëtorëve të administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, qytetarëve dhe palëve po u mohohet qasja në objektin e gjykatës.

“S’po lejohet hiq me hi mrena, pata seancë m’kthyen”, deklaroi qytetari NN për “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti shtoi se po lejohen të hyjnë brenda vetëm palët që kanë të bëjnë me raste të dhunës në familje.

“Erdha me kry punë e s’kryjta, s’na lan as mrena me hi”, tha një qytetar tjetër, derisa po priste në hapësirat e oborrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë./Demokracia.com/

 

Të ngjashme