Lajme
Sindikata e Pavarur e Judikaturës e kundërshton grevën e administratës, me arsyetimin se është e njëanshme
Demokracia
09:41 | 01 Mars 2022

Share:

Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës e ka kundërshtuar grevën e punëtorëve të administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka nisur sot.

Kryetari i kësaj sindikate, Bahri Jashari, tha se për momentin nuk ka kohë dhe hapësirë për zhvillimin e grevës në mënyrë të njëanshme, derisa organet kanë filluar procedurat për projektligje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Jashari tha se për grevën në fjalë mban përgjegjësi vetëm Shoqatë Sindikale e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mirëpo, një gjë të tillë e kundërshtoi kryetari i kësaj të fundit, Naim Rrustemi.

Ai tha se më 4 shkurt 2022 është mbajtur mbledhja e kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Judikaturës së Kosovës dhe se nga 13 anëtarët kanë marrë pjesë 9 anëtarë, kur me 7 vota për është votuar për fillimin e grevës me datë të caktuar.

“E demantojmë dhe ai mund të flet vetëm në emër te vet dhe shoqatës së vet, madje as në emër të shoqatës së vet pasi që as mbledhje nuk ka mbajtur. Lidhur me grevën e paraparë për tu mbajtur më 15 shkurt 2022, e njëjta është shtyrë për datë 1 mars me kërkesën e hierarkisë”, ka deklaruar Rrustemi.

Tutje, Rrustemi tha se kësaj sindikate i ka pushuar aktiviteti sindikal më 31 dhjetor 2021 dhe nuk është më legjitim, në bazë të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), respektivisht dikasterit për regjistrim për sindikata.

Ndryshe, punëtorët e administratë së Gjykatës Themelore në Prishtinë nga sot janë futur në grevë./BetimipërDrejtësi/

Të ngjashme