Lajme
Gjilani s’fal bizneset nga taksa komunale për 2023
Demokracia
17:50 | 10 Janar 2024

Share:

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën drejtimin e kryesuesit Kushtrim Kadriu, në seancën e sotme, pasi ka shqyrtuar gjerësisht kërkesën për lirimin e bizneseve nga taksa komunale për vitin 2023, me shumicë votash e ka refuzuar atë, megjithëse grupimet më të mëdha politike i kanë ndarë votat në këtë pikë.

Propozimi i ardhur nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, u vlerësua i papranueshëm nga grupi i këshilltarëve të LDK-së, me arsyetim se tani kanë ndryshuar rrethanat dhe kushtet e të bërit biznes në krahasim me vitet 2020/2021, kur ishin falur këto taksa shkaku i pandemisë dhe nuk është e nevojshme falja e taksës, njofton Komuna e Gjilanit.

Në njoftim theksohet se edhe grupi i këshilltarëve të PDK-së ishte i mendimit se nuk duhet të falen taksat për të gjitha bizneset njësoj, duke sugjeruar që taksat t`u falen vetëm bizneseve të vogla dhe të mesme.

Ndërkaq, LVV, me një përjashtim, i dha përkrahje propozimit të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, pasi që kjo taksë ishte falur edhe gjatë viteve 2020/2021, ndërkohë që arkëtimi i saj për vitin 2023 nuk është planifikuar fare.

Vota të mjaftueshme për miratim nuk mori as propozimi për përcaktimin e vlerës së qirasë dhe bonuseve të banimit në dy programe sociale.

Ndërkaq, Kuvendi miratoi planin lokal të veprimit për barazi gjinore 2024-2026, planin e punës të ekipit për të Drejtat e fëmijëve 2024-2026, sikurse edhe planin e punës të Kuvendit për vitin 2024, me disa plotësime, bashkë me orarin e mbledhjeve të rregullta të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2024.

Kryesuesi Kushtrim Kadriu tha se një pjesë e aktiviteteve janë propozime të drejtorive dhe “ne si komision i kemi përfshirë ato në planin e punës së Kuvendit për vitin 2024”.

“Kuvendi miratoi edhe raportin komisionit për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave si dhe raportin e komisionit për ndarjen e bursave për studentë, bashkë me propozimin për kompensimin e anëtarëve të të dy komisioneve, në shumën e prej 50 euro për çdo mbledhje”, u tha më tej në njoftim.

Kuvendi diskutoi edhe për funksionalizimin e punës së Komiteteve, të cilat u vlerësuan të nevojshme për funksionimin sa më të mirë të organit vendimmarrës dhe vendosi për formimin e një grupi punues të përbërë prej shefave të grupeve, i cili do ta diskutojë këtë çështje, përfshirë edhe problemin e kompensimit dhe në seancën e ardhshme do të vijë me një propozim konkret.

Njëherësh, Kuvendi miratoi edhe raportin e Komisionit për dezinfektim, pastaj kërkesën e LDK-së për zëvendësimin e një anëtari të saj në komisionin për zgjedhjen e këshillave lokale (Gresa Avdiu në vend të Drenushë Malokut), ndërkohë që i dha përkrahje edhe kërkesës së Hendikosit për krijimin e një nënkodi buxhetor në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë, për nevoja dhe aktivitetet e këtyre shoqatave.

Të ngjashme