Mbi 8 mijë euro është shuma që presidentja Vjosa Osmani mori para të gatshme si mëditje për udhëtime zyrtare jashtë vendit për vitin 2023.

Në deklarimin e saj vjetor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, kjo shumë është me e madhe se e një viti paraprak, kur e para e shtetit mori mbi 7 mijë e 600 euro.

Më shumë shpenzime gjatë viti 2023 kishte edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili si mëditje mori afro 3 mijë e 600 apo gjashtëfishin e shumës së një viti më parë.

Ndërkaq, për kryeministrin Albin Kurti nuk ka asnjë të dhënë sa i përket mëditjeve. Nga APK, thonë se mungesa e informacionit të Kurtit për mëditje ndodh në dy raste, kur ai nuk ka pranuar të marrë mëditje për udhëtime jashtë vendit ose i njëjti ka shpenzuar nën 3 mijë euro, gjë që nuk e penalizon atë edhe nëse nuk e deklaron.

Në anën tjetër, ministri Liburn Aliu mëditje për udhëtime jashtë vendi mori afro 5 mijë euro, shumë kjo pothuajse e njëjtë me një vit paraprak.

Buxhetit të shtetit, mëditjet e ministrit Ejup Maqedonci i kushtuan mbi 3 mijë euro.

Shumë gati të njëjtë mori edhe ministri Faton Peci, mbi 2 mijë e 500 euro.

Ndërkaq, ministri Xhelal Sveçla, gjatë viti 2023, shpenzoi mbi 2 mijë e 200 euro, shumë kjo më e vogël se në vitin 2022 kur i mori afro 3 mijë e 600 euro.

E shefi i kuletës, Hekuran Murati, u tregua më kursimtar. Ai mori mëditje mbi 1 mijë euro, shumë kjo e njëjtë me një vit paraprak.

Shumë përafërsisht të njëjtë mori edhe ministrja Albulena Haxhiu dhe ministrja Artane Rizvanolli.