OpEd
Frika nga informatika kuantike
Demokracia
09:19 | 14 Janar 2023

Share:

Nga: John Thornhill / The Financial Times (titulli origjinal: Informatika kuantike është më e vështirë se mbajtja e koteleve në tufë)

Fizikanët kuantikë e mbështesin papërcaktueshmërinë. Në fund të fundit, një nga parimet themelore të fushës është parimi i papërcaktueshmërisë i Werner Heisenbergut që thotë se ne nuk mund të dimë me saktësi pozicionin dhe shpejtësinë e një grimce. Për dallim nga kjo, qeveritë, kompanitë dhe investitorët janë të prirë t’i urrejnë gjërat që nuk i kuptojnë. Dhe, një pasiguri e madhe vërtitet rreth përpjekjeve të fundit për t’i ndërtuar kompjuterët e fuqishëm kuantikë.

A do t’i rishkruajë informatika kuantike rregullat e njehsimit, të kriptografisë, logjistikës dhe shkencës së materialeve, siç pretendojnë mbështetësit entuziastë? Apo po shkojmë në një “dimër kuantik”, ku vështirësitë djallëzore të ndërtimit të një kompjuteri funksional kuantik do të na çojnë në kolaps të besimit?

Pyetja e parë është rishfaqur pas publikimit të fundit të një punimi kërkimor kinez që përshkruan mënyrën teorike për të depërtuar në formën më të zakonshme të kriptimit në internet, duke i kombinuar teknikat ekzistuese kuantike dhe ato klasike të llogaritjes. Nëse kjo vërtetohet, ky do të ishte makthi i sigurisë, duke e përshpejtuar ardhjen e të ashtuquajturës Dita-K [Q-Day] kur përdoruesit mund të “thyejnë internetin”.

Kriptografët prej kohësh e kanë kuptuar rrezikun, por supozuan se do të duhet një hap gjigant drejtë aftësive të informatikës kuantike – përpara se ky rrezik të materializohet. Metoda standarde e kriptimit RSA, e përdorur nga shumica e bankave, qeverive dhe kompanive të internetit, mbështetet në faktin se teksa është e lehtë të shumëzosh dy numra të mëdhenj të thjeshtë, është e vështirë të ndryshosh procesin dhe të nxjerrësh numrat origjinalë. Megjithatë, në vitin 1994, matematikani Peter Shor shkroi një algoritëm që tregonte se si kjo teorikisht mund të bëhej në një kompjuter kuantik, edhe pse një i tillë atëherë nuk ekzistonte.

Supozimi ka qenë se një kompjuter kuantik do të kishte nevojë për miliona bita kuantikë, ose kubitë, për të qenë mjaftueshëm i besueshëm për të thyer enkriptimin RSA. Edhe në skenarin më optimist, kjo duket një dekadë larg. Kompjuteri kuantik më i fuqishëm që publikisht është zbuluar – IBM’s Osprey – ka vetëm 433 kubitë. Dhe, vështirësitë e rritjes vazhdojnë të jenë sfiduese. Një studiues kinez e ka krahasuar sfidën me rreshtimin e koteleve: sapo të vendosni një të tillë në vend ato të tjerët sorollaten.

Ajo që është e re për qasjen kineze është se kombinon aftësitë e reja të informatikës kuantike me një algoritëm faktorizimi që u shkrua nga matematikan tjetër, Claus Schnorr, për një kompjuter klasik. Studiuesit llogaritën se kjo mund të funksionojë në një kompjuter kuantik me vetëm 372 kubitë.

Ekspertët perëndimorë thonë se kjo qasje mund ta tërheqë më afër Ditën-K. Por, edhe autorët e punimit nuk e dinë nëse metodologjia mund të rritet dhe as se sa kohë kjo kërkon. “Është shumë e mundur që ky algoritëm mund të funksionojë në letër, por do të duhet kaq shumë kohë për ta vënë në praktikë, saqë mund të mos jetë ndonjë përshpejtim shumë i dobishëm”, thotë Tim Spiller, drejtor i Qendrës së Komunikimeve Kuantike të Britanisë, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, punimi kinez do të veprojë si nxitje për Institutin Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë në ShBA, i cili që nga viti 2016 ka hulumtuar dhe rishikuar teknikat e shumta për të ofruar kriptimin post-kuantik. Ka pasur përpjekje paralele për të ndërtuar rrjete të sigurta të informacionit kuantik, të cilat tashmë po funksionojnë në formë eksperimentale. Këshilla e ekspertëve, për kompanitë, është kjo: mos u frikësoni, kaloni në standardet e kriptimit të miratuara nga NIST, sa herë që ato miratohen, dhe shmangni tregtarët e vajit të gjarprit që ofrojnë zgjidhje të shpejta.

Zhvillimi i fundit vjen pasi dyshimet po shtohen nëse studiuesit mund të zhvillojnë ndonjëherë kompjuterë mjaftë të fortë kuantikë për të përmbushur premtimet e tyre të ekzagjeruara. Një skeptike elokuente është Sabine Hossenfelder, fizikanja teorike gjermane dhe një jutubere pa qehre e cila argumenton se informatika kuantike është mbivlerësuar dhe se “dimri kuantik” po vjen. “Nuk do ta ndryshojë botën, në rastin më të mirë do të ketë disa aplikacione të veçanta dhe do të zgjasë shumë më tepër se sa shumë startape duan që ju të besoni”, thotë ajo në videon e saj të fundit.

Megjithatë, qasjet hibride mund të përshpejtojnë përdorimet praktike të informatikës kuantike. Edhe kompjuterët kuantikë rudimentarë mund të ndihmojnë në kryerjen e gjërave që kompjuterët klasikë nuk mund t’i bëjnë të vetme, të tillat si optimizimi i operacioneve logjistike dhe pasurimi i mjeteve të makinerive të mësimit. “Njerëzit tashmë po përdorin pajisje afatshkurtra kuantike për qëllimet e tilla komerciale”, thotë Josh Nunn, zyrtari kryesor shkencor në startapin “Orca Computing”.

E vetmja gjë e sigurt është se e ardhmja e industrisë së informatikës kuantike do të mbetet e pasigurt, e dobishme dhe e padobishme në të njëjtën kohë, siç komentoi një lexues i Financial Times-it. Mbetet një bast goxha asimetrik i investimit. Siç thonë kapitalistët sipërmarrës, ju mund të humbni vetëm 100 për qind të parave tuaja, por, ndonjëherë kur fitoni, atëherë mund ta fitoni 100-fishin.

Të ngjashme