Lajme
FOTO | Tenderi i dyshimtë për digjitalizim, Rama dhe pronarja e kompanisë fituese tre muaj para se të themelohej biznesi i saj në një tryezë duke hartuar strategji
Demokracia
11:33 | 13 Prill 2024

Share:

Pas ditës së hënë, Komuna e Prishtinës do të mund ta nënshkruajë kontratën me kompaninë “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K”, lidhur me tenderin  “Digjitalizim i proceseve edukativo-arsimore – ritender”, lot I. Demokracia.com ka gjetur se pronarja e biznesit që do të lidh kontratë ishte parë në një tryezë me kryetarin Përparim Rama, që ishte organizuar nga Komuna e Prishtinës, pak muaj pasi ishte themeluar kompania e saj.

Këtë të hënë, në orën 14:22, prokurimi i komunës e ka ngarkuar në E-prokurim dokumentin “Njoftim mbi vendimin e AK-së për Digjitalizim i proceseve edukativo-arsimore – ritender”, i cili tregon arsyet përse janë eliminuar kompanitë në garë për këtë tender dhe tregon se është shpërblyer “Schoolme Implementation & Consulting”.

Kompanitë e pakënaqura me vendimin e Komunës së Prishtinës, bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik kanë të drejtë ankese 5 ditë. Çka do të thotë se dje u ka skaduar atyre afati. Demokracia.com ka shikuar në E-prokurim dhe nuk ka parë që komuna ta ketë pezulluar vendimin, i cili rëndom bëhet kur ka ankesë. Kësisoj është hapur rruga që të nënshkruhet kontrata. Deri sa të hënën pasdite është bërë njoftimi për dhënie të kontratës, kompanitë nuk kanë mundur të kërkojnë qasje të martën dhe të mërkurën, pasi kanë qenë ditë pushimi për shkak të festave. Këtë kanë mundur ta bëjnë vetëm të enjten dhe të premten.

Demokracia.com ka raportuar disa herë lidhur me këtë tender. Gjetjet e fundit tregojnë se pronarja e kompanisë, Iris Gjinovci, pos që është një fanse e kryetarit Përparim Rama, ajo del të ketë edhe miqësi me të.

Në një postim më 5 shkurt 2022, që kryetari Rama e ka publikuar në Facebook lidhur me një tryezë të organizuar, aty shihet edhe Iris Gjinovci.

“Jemi mbledhur për të analizuar dhe diskutuar objektivat dhe strategjinë për realizimin e programit tonë më qëllim te transformimit të Prishtinës”.

Vetëm pak muaj pas takimit me Ramën, ku janë dakorduar ‘për transformimin e Prishtinës’, Gjinovci do të regjistronte në ARBK kompaninë e saj, e cila fitoi tenderin që peshon hiç më pak se 256 mijë euro.

Lot II ka dështuar për shkak Komuna e Prishtinës ka thënë se nuk ka pasur operatorë të përgjegjshëm. Demokracia.com ka gjetur se kompania për lot I ka ofertuar në shumën fiks siç ishte planifikuar, ndërkohë të gjitha kompanitë në garë kanë pasur çmim më të lirë. Për lot 1, komuna kishte planifikuar 256 mijë euro dhe fiks kaq ka qenë edhe oferta fituese, kurse për lot II, komuna kishte planifikuar 78 mijë euro. Kur çmimi i ofertës është shumë i afërt ose i njëjtë me të parashikimit për kontratë është indikator që jep sinjale se operatori ekonomik fitues mund të ketë qenë në dijeni për nivelin e punëve që do të kryhen dhe sidomos kur kompanitë që kanë ofertuar me çmim më të lirë nuk janë përzgjedhur fituese të tenderit.

Demokracia.com ka raportuar para një jave lidhur me këtë tender, i cili është mjaft i dyshimtë, marrë parasysh se kompania është shumë e re dhe aty është dashur të plotësohen disa kritere të cilat kompania mund të mos i ketë plotësuar. Por, për këtë, Demokracia.com do të bëjë kërkesë për qasje në dokumente publike për ta parë ofertën e plotë të kompanisë.

Më poshtë mund të shihni edhe raportimin e para një jave. /Demokracia.com/

DOKUMENTE | Tenderi që alarmoi ish-nënkryetarja e Prishtinës i jepet fanses nga Londra të Përparim Ramës

Të ngjashme