Lajme
DOKUMENTE | Tenderi që alarmoi ish-nënkryetarja e Prishtinës i jepet fanses nga Londra të Përparim Ramës
Demokracia
18:02 | 08 Prill 2024

Share:

Ish-nënkryetarja e Prishtinës kishte ngritur dyshime lidhur me tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore në kryeqytet. Ajo kishte kërkuar që të mos shpallej në formën që ishte menduar të procedohej, por për këtë nuk e kishte pyetur kush, përkundër që binte mbi fushëveprimtarinë e drejtorisë së saj. Komuna e Përparim Ramës sot pasdite e ka rekomanduar për kontratë një kompani, e cila dyshohet se nuk i plotëson disa prej kritereve, shkruan Demokracia.com.

Kompania “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K” është rekomanduar për kontratë lot I, për tenderin “Digjitalizim i proceseve edukativo-arsimore – ritender”. Lotin II, komuna e ka anuluar.

Në garë për tenderin lot I kanë qenë 8 kompani. Shtatë nga to kanë pasur çmim më të lirë sesa kompania e rekomanduar për kontratë, por janë eliminuar për arsye të ndryshme, deri sa është rekomanduar kompania më e shtrenjtë, e cila për pronare e ka Iris Gjinovcin.

“Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K”, bazuar në të dhënat e ARBK-së është regjistruar si biznes më datë 26.05.2022.

Bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), operatori ekonomik “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K” e ka të anuluar certifikatën e TVSH-së. Certifikata anulohet kur një biznes ka qarkullim vjetor nën 30 mijë euro. Pra, ky është një mini biznes me të cilin pretendohet të lidh kontratë 256 mijë euroshe.

Siç ka parë Demokracia.com, certifikata i është anuluar nga ATK-ja më 27 shtator 2023.

Është edhe kërkesë e dosjes së tenderit që “Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme në 36 muajt e fundit nga data e publikimit të njoftimit për kontratë, të paktën 50,000 euro për loto. Një listë të kontratave të realizuara, ku duhet saktësuar titullin e kontratës, shumën e kontratës, datën e fillimit dhe datën përfundimit dhe përfituesin, si dhe listës ti bashkëngjiten referencat ose certifikatat për kryerje të kontratave”.

Deri sa aty thuhet se operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme në 36 muajt e fundit, ky biznes është regjistruar në ARBK në vitin 2022, pra që 2 vite, gjë që nuk e plotëson as këtë kërkesë që është minimale. Pastaj është e dyshimtë nëse e plotëson edhe kërkesën ‘të paktën 50 mijë euro për lot”. Madje, në këtë rast, Autoriteti Kontraktues është dashur të potencoi numrin e kontratave të realizuara, por dyshime mund të ketë se kriteri i është përshtatur kësaj kompanie.

 

Komuna e Prishtinës synon që kompanive t’ua humb afatin e ankesave

Komuna e Përparim Ramës ka ngarkuar në e-prokurim njoftimin e saj, sot në orën 14:27. Kompanitë në garë kanë të drejtë ankese pesë ditë, duke filluar nga dita e publikimit të njoftimit. Marrë parasysh se të martën dhe të mërkurën është ditë feste dhe pushohet, ato kanë afat që të ankohen vetëm të enjten dhe të premten, shkruan Demokracia.com.

Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, fillimisht ato duhet të bëjnë kërkesë për qasje në dokumentacionin e operatorit fitues, që i bie këtë ta bëjnë të enjten. Komuna më pas ua aprovon ose jo qasjen. Pasi ta kenë parë të gjithë dokumentacionin e kompanisë, ato kanë kohë që të përgatisin ankesë dhe ta dorëzojnë ankesën vetëm ditën e premte. Nëse nuk arrijnë që të përgatiten për ankesën, ankesat e tyre nuk ua pranon as Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pasi sipas ligjit ato duhet të ankohen fillimisht tek AK-ja brenda afatit ligjor pesëditorë.

Lavde në drejtim të Përparim Ramës

Në kohën kur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kishte zyrtarizuar Përparim Ramën si kandidat për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, postimin e kishte shpërndarë edhe fituesja e këtij tenderi, Iris Gjinovci.

“T’i marrim sapo dalin nga bankat shkollore apo kështu?”, kishte shkruar ajo në Facebook, duke aluduar se Rama ka përgatitje shumë më shumë se rivalët e tij.

Po ashtu, kishte kërkuar haptas që të votohet Përparim Rama.

Iris Gjinovci, e cila bën biznes në Kosovë, vendbanim të përhershëm e ka Londrën, ashtu sikur edhe vetë kryetari Përparim Rama. Ajo kohë pas kohe i jep edhe përkrahje morale kryetarit Përparim Rama. Para pak ditësh, Rama ka prezantuar një dizajn për një çerdhe në kryeqytet dhe poshtë postimit është edhe komenti i Iris Gjinovcit. “Shume i bukur!”, shkruan ajo, përcjell Demokracia.com.

Madje ajo ka polemizuar edhe më arkitektët të cilat e kanë kritikuar projektin për çerdhet  tw paraqitur para dy javëve nga Rama.

Loja me tenderin

Pak ditë para se të shkarkohej, ish-nënkryetarja e Prishtinës kishte ngritur dyshime lidhur me tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore në kryeqytet. Ajo kishte kërkuar që të mos shpallej në formën që ishte menduar të procedohej.

Në fund të muajit shkurt 2024, prokurimi i Komunës së Prishtinës vendosi ta anulonte në tërësi këtë procedurë të prokurimit. Bazuar në dokumentin e saj në E-prokurim, arsyetimi i anulimit ishte se kompanitë ‘nuk ofruan materiale mësimore konform kërkesave të tenderit’.

“Komuna e Prishtinës rekomandon anulimin e aktivitetit: Gjatë vlerësimit të ofertave kemi pa që ofertuesit nuk kanë ofruar materiale mësimore konform kërkesave të kurrikules së re të Republikës së Kosovës andaj si anëtar i komisionit vlerësues rekomandoj që të anulohet ky aktivitet i tanishëm dhe të rishpallet prap me kërkesat me specifike”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Visar Shehu, shef i prokurimit në Prishtinë.

Por, vetëm pas pak ditëve, sipas prokurimit të Komunës së Prishtinës, kompanitë kanë ofruar materiale mësimore konform kërkesave të tenderit. Kështu vlerësoi komuna, pasi aty u ankuan disa kompani menjëherë pasi ishte anuluar ky aktivitet i prokurimit. Më pas, prokurimi i komunës e ka anuluar vendimin e vet për anulim të procedurës dhe procesin e ka kthyer edhe një herë në rivlerësim.

Me fjalë të tjera, nëse përkthehet më thjeshtë, komuna ka thënë se “na falni se kemi gabuar herën e parë kur e kemi anuluar për arsye se nuk keni ofruar materiale mësimore dhe tash po ia nisim edhe një herë prej fillimit po e vlerësojmë, kush t’i plotëson kërkesat e rekomandojmë për kontratë”. Kjo huqje nga zyra e prokurimit e Komunës së Prishtinës, një herë nuk keni ofruar e mandej keni ofruar, zakonisht duhet të sanksionet nga mbikëqyrësit e zyrtarëve të prokurimit.

Pasi Komuna e Prishtinës kishte shpallur të papërgjegjshme të gjitha kompanitë me arsyetimin e lartshënuar dhe ndaj vendimit ishin ankuar tri kompani, dy prej tyre ua kishin pranuar ankesat dhe njërës ia kishin hedhur poshtë.

“Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore është gjetur se komisioni vlerësues nuk ka arritur që të bëjë ekzaminimin, krahasimin dhe vlerësimin e plotë të tenderëve, ashtu që nuk ka arritur të sqarojë në mënyrë të detajuar arsyet për anulimin e aktivitetit të prokurimit në përputhje me nenin 62 të LPP lidhur më nenin 43 të RRPP… Për këtë arsyeje janë miratuar si të bazuara kërkesat për rishqyrtim të parashtruesve”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Komunës së Prishtinës, që ka çuar në anulimin e vendimit të vet dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim.

Komuna e Prishtinës kishte lënë në garë vetëm dy kompanitë ankimore, të cilave do t’ua rivlerësonte ofertat, “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K” dhe “Rener” shpk.

Në kohën kur ishte kumtuar lajmi se Komuna e Prishtinës kishte anuluar këtë procedurë të prokurimit, ish-nënkryetarja e Prishtinës e shkarkuar nga kryetari Përparim Rama, Donjeta Sahatçiu, kishte reaguar. Por, pak ditë para se të shkarkohej nga pozita me vendim të Ramës, Sahatçiu kishte njoftuar se nuk ka pranuar ta nënshkruajë dokumentin që ky tender të shkonte përpara.

Lidhur me tenderin në fjalë, Sahatçiu tha më pas se realiteti u shpërfaq.

Sahatçiu kishte thënë se është lajm i mirë që u anulua tenderi, sepse nuk do të duhej të shpallej ndonjëherë në atë mënyrë.

“Lajmi për anulimin e tenderit është i mirë, sepse as nuk do të duhej të shpallej ashtu ndonjëherë. Ishte e dhimbshme të dije se një projekt i nisur asisoji do të dështonte herëdokur. Pak ka rëndësi se doli ashtu siç e kisha thënë. Edhe më pak ka rëndësi se si arsyetimi i ndërtuar për shkarkimin tim u shemb vetvetiu. Kemi ende shumë për të parë e folur, por çdo gjë në kohën e vet“, shkroi Sahatçiu.

Tutje, ish-nënkryetarja tha se ky tender nuk duhet të rishpallet njësojë, por të merren veprimet e nevojshme sipas ligjit.

“Tash e rëndësishme është vetëm e vetëm që ky tender mos të rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet. E për ta bërë qysh duhet, dua të besoj se ekziston vullneti për të shtyrë përpara një proces digjitalizimi gjithpërfshirës që veçse kishte nisur mirë e është qëndisur gjatë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është vazhdimësi e hipokrizisë“, kishte shkruar ajo. /Demokracia.com/

Të ngjashme