Lajme
FOTO| Prishtina stërmbushet me mbeturina
Demokracia
12:29 | 24 Maj 2022

Share:

Prishtina është e stërmbushur nga kontejnerë me mbeturina, kjo pasi kompania “Pastrimi” nuk po i mbledh ato, nën arsyetimin se nuk ka ku t’i zbrazë kamionët.

Sipas kompanisë “Pastrimi”, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës u ka mbyllur qasjen në deponinë në Obiliq.

Derisa, sipas Kompanisë për menaxhimin e deponive nuk është mbyllur por është masë paralajmëruese e kufizimit për dy-tre ditë pasi “Pastrimi” nuk është duke i paguar faturat ndaj tyre.

“Të nderuar qytetarë, si pasojë e mbylljes së Deponisë nga KMDK-ja, shprehim shqetësimin tonë lidhur me këtë Kompani e cila deri më tani nuk na ka ofruar as kushtet minimale të punës gjatë kryerjes së aktiviteteve tona.

Të shumta janë defektet të cilat na janë shkaktuar si pasojë e mos mirëmbajtjes së Deponisë, ku për pasojë kemi pasur shumë dëmtime të mekanizmit punues gjatë procesit të punës.

Por ajo që nuk do koment janë pamjet e mëposhtme ku si pasojë kamionët kanë mbetur në baltë, dhe shtyhen me mekanizma të rëndë (Bolduzher), e që gjatë këtij veprimi shkaktohen dëmtime të mëdha në kamionët tanë. Ne kërkojmë të na ofrohen kushte pune, pa u dëmtuar makineria”, thuhet në një postim të tyre në Facebook.

E qytetari Kushtrim Bytyqi në një prononcim për Telegrafin tregoi se si kompania “Pastrimi”, muajin e fundit i ka grumbulluar me vonesë mbeturinat në lagjen e tij në “Arbëri”.

Ai tha se e gjithë lagjja kundërmonte erë nga mbeturinat që u lanë deri në tri ditë pa u grumbulluar.

Sipas tij, Kompania Pastrimi nuk shkonte me automjetet me të cilat gjithmonë ka grumbulluar mbeturinat, por me një kamion të vogël.

“Kemi problem gati që një muaj, që kjo kompani vonohet në grumbullimin e mbeturinave. Tash edhe në qytet po shoh shumë mbeturina, e cila është për tu shqetësu. Ata tri herët e fundit kanë ardh me i marr mbeturinat me një kamion të vogël”, tha Bytyqi

Të ngjashme