Lajme
Regjistrimi i serbëve në Veri do të shfaqte manipulimet me listat zgjedhore – “hezitimi, rezultat i institucioneve të Kosovës”
Demokracia
08:08 | 30 Prill 2024

Share:

Në Kosovë supozohet se banojnë rreth 25 mijë serbë, bazuar në të dhënat e vitit 2011 të regjistrimit të popullsisë, por kjo shifër s’do të mund të vërtetohet as pas më shumë se një dekade për shkak të hezitimit të serbëve për të marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Këtij komuniteti në vitin 2011 i ishte bërë thirrje nga Beogradi për të mos marrë pjesë në këtë proces.

Kësaj radhe thirrja erdhi nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Ndonëse, mospjesëmarrja në këtë proces s’do të mund ta dëmtojë Kosovën, në ndonjë formë i njëjti do të mundësonte të dihej për numrin e serbëve që banojnë në Kosovë, veprimtaritë të cilat i kryejnë, nevojat e tyre, ofrimin e shërbimeve publike të nevojshme si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura.

E po ashtu do t’u siguroheshin më shumë mundësi për qasje në të drejtat themelore dhe në shërbimet publike, si dhe të jenë pjesë e proceseve politike dhe vendimmarrëse.

“Listat zgjedhore të manipuluara”

Regjistrimi i popullsisë do të mund të tregonte për listat zgjedhore në të cilat pretendohet se manipulohet, thotë analisti politik Fidan Ukaj, gjatë një bisede për Albanian Post.

Ai sqaron se ndonëse në të kaluarën ka pasur shumë serbë që jetojnë në Kosovë – një pjesë e madhe e tyre ka kohë që s’janë përherë duke qëndruar në komunat e banuara me shumicë serbe.

“Mendoj se lista zgjedhore e sidomos e komunitetit serb është e manipuluar edhe pse në ato lista ekzistojnë njerëz që janë votues të komunës. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre ka një kohë të gjatë që nuk janë rezident në Kosovë, por po ashtu edhe s’kanë marrë pjesë në procese zgjedhore”, thotë Ukaj për Albanian Post.

Foto nga fletëregjistrimet.

Sipas tij, një përqindje të cilat e posedojnë institucionet për serbët që banojnë në Kosovë s’do të dilte e vërtetë.

“Me regjistrimin e popullsisë do të dalin dy të vërteta të mëdhaja: Listat zgjedhore të manipuluara dhe s’do të dilte e saktë përqindja që ne e kemi të regjistruar që mund të jetë 3.5 ose 4 për qind me serbë”.

Ukaj, deklaron se u mbetet institucioneve të veprojnë për hezitimin që është shfaqur në atë pjesë për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë.

“Mbetet të shihet në rast se institucionet do të shqiptojnë dënime për ata të cilët hezitojnë të regjistrohen. Megjithatë, Kosova nuk sanksionohet ose penalizohet në rrugën e saj as në organizata ndërkombëtare e as në Bashkimin Evropian”.

“Hezitimi i serbëve për t’u regjistruar – rezultat i institucioneve të Kosovës”

Arian Lumezi nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post konsideron se mos dëshira për të marrë pjesë në këtë proces nga komuniteti serb tregon për një problem që është rezultat i institucioneve të Kosovës.

“Fakti që nuk po marrin pjesë as tash pas 13 vitesh tregon mungesë të përparimit të përgjithshëm të institucioneve të Kosovës në ato komunitete në drejtim të integrimit, dhe tregon dështim në instalimin e besimit në institucionet e shtetit në ato rajone”, thotë Lumezi për Albanian Post.

Ai nuk e sheh as të plotësuar këtë proces pa regjistrimin e popullsisë në atë pjesë.

“Pa të dhënat nga ato rajone, regjistrimi i popullsisë është i mangët”.

Ndër të tjera, deklaron se që nga koha kur Kosova ka pasur regjistrimin e fundit të popullsisë ka pasur shumë zhvillime që kanë ndikuar në lëvizjen e numrit të popullsisë, duke ndikuar kështu edhe në faktorë të tjerë demografikë.

Foto nga arkivi.

“Migrimi i vazhdueshëm, efektet e pandemisë dhe inflacionit të viteve të fundit, pastaj rënia e natalitetit mund të kenë ndikuar në lëvizjen e numrit të popullsisë në Kosovë, prandaj ne presim që këto ndryshime të reflektohen në rezultatin e procesit të regjistrimit”.

Sa i përket pyetësorit që është shtuar për të dokumentuar krimet dhe dëmet nga lufta e vitit 1998-99, Lumezi e sheh këtë si iniciativë të vonuar.

“Kosova është vonuar tej mase të dokumentojë krimet dhe dëmet nga lufta e fundit, në të gjitha dimensionet, prandaj pyetjet lidhur me këto bëjnë mirë që shtrohen”.

Megjithatë, dyshimet e tij janë tek efekti të cilat do të nxjerrin këto të dhëna – kjo pasi sipas tij do të duheshin të përdoreshin mënyra të tjera për të dokumentuar këto krime.

“Këtu ngritën edhe dilema të tjera nëse tentimi për dokumentim në këtë mënyrë (përmes pyetjeve direkte) do të jetë efektiv në nxjerrjen e të dhënave të nivelit të lartë. Llogaritja e dëmeve nga lufta do të duhej të bëhej në mënyra të tjera, me metoda të dëshmuara dhe të praktikuara ndërkombëtarisht”.

S’ka hezitim nga serbët që banojnë në jug për t’u regjistruar

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, të hënën në informimin javor për procesin e regjistrimit të popullsisë ka bërë të ditur se në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të ketë hezitim nga komuniteti serb, por jo edhe në jug.

Ai ka theksuar se një pjesë që jetojnë në Veri e që i përkasin komuniteteve të tjera, janë regjistruar por jo edhe serbët.

“Në pjesën veriore, janë regjistruar pjesa dërmuese ndërsa komuniteti serb akoma heziton në mënyrë masive. Ka një regjistrim të disa ekonomive familjare dhe individëve, por është numër i vogël”.

Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati

Duke shtuar se “në jug, komuniteti serb është duke u regjistruar”.

Kastrati, potencoi se lidhur me këto probleme kanë zhvilluar takime edhe me disa institucione ndërkombëtare.

“Ne kemi pasur një diskutim javën e kaluar me disa institucione ndërkombëtare dhe ndoshta ata do të ua transmetojnë komunitetit serb në Veri, sepse ata duhet ta dinë që është edhe për të mirën e tyre. Komuniteti serb duhet ta dijë që procesi s’është aspak politik”.

Gjobat e ASK-së

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.

Të ngjashme