Lajme
Foshnja nuk mbijetoi, SHSKUK: Nëna ishte informuar për komplikimet shëndetësore gjatë lindjes
Demokracia
16:13 | 22 Shtator 2022
Ilustrim

Share:

Një keqinformim nga infermierja ka shkaktuar skandal në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. Dhënia e paautorizuar e informatave dhe ngatërrimi i tyre nga një infermiere e neonatologjisë në lidhje me foshnjat e lindura ka shkaktuar skandal në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:40. Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Dr. Zef Ndrejaj. Ai tha se foshnja ka lindur me prerje cezariane dhe sipas tij, nëna e foshnjës ka qenë në gjendje të rëndë. Ai tha se kanë intervenuar me urgjencë në lidhje me rastin, mirëpo tha se foshnja nuk ka mundur të mbijetojë.

Ndrejaj tha se gjatë kohës së kryerjes së lindjes, pacientja që po kryente lindjen është njoftuar nga gjinekologët për komplikimet shëndetësore dhe se foshnja saj nuk do të mbijetonte. Derisa ka shtuar se nuk ka ndërrim të foshnjave.

“Pacientja ka qenë e informuar se ka qenë me anestezion lokal dhe ka qenë e informuar se foshnja nuk ka mundur të mbijetojë përkundër angazhimit maksimal të mjekëve. Një infermiere e Neonatologjisë…e merr beben në lindje dhe kur e ka marrë, ka menduar që është duke dhënë informata te prindi i duhur, por ia ka dhënë informatën, se ka marrë një foshnje tjetër që ka lindur normal dhe ia ka dhënë informatën prindit që ka qenë duke pritur për këtë foshnjën që ka hyrë në operacion, i ka thënë se foshnja është mirë dhe nuk ka qenë në dijeni. Ia ka dhënë personit të gabuar informatën e gabuar. S’ka ndërrim të foshnjave…Pra i ka dhënë një informatë prindit që e ka pritur foshnjën që ka vdekur dhe e ka dhënë informatën se foshnja është mirë”, tha ai.

Ai shtoi se pas ankesave që kanë marrë nga prindërit, të njëjtit e kanë paraqitur rastin në polici, por sipas tij nuk ka qenë e drejtë.

“E ka pas informatën e dyfishtë, njëherë e ka marrë informatën gabim prej asaj që e ka foshnjen mirë, pastaj kur kanë dalur mjekët, ia kanë shpjeguar se gjendja ka qenë e rëndë dhe foshnja nuk ka mundur të mbijetojë, ky ka dyshuar se mos ju ka ndërruar foshnja, pasi në fillim ka marrë informatën se foshnja është mirë”, tha ai.

Ndërsa në një komunikatë për media nga Drejtoria e SHSKUK, kanë thënë se nuk bëhet fjalë për ndërrim të foshnjave, por për dhënie të paautorizuar të informatave nga infermierja dhe ngatërrim të informatës.

“Deri te ngatërrimi i infermieres ka ardhur pasi në të njëjtën kohë ka pasur edhe një lindje tjetër dhe infermierja e Klinikës së Neonatologjisë ka dhënë informatë jo të autorizuar duke ngatërruar rastet, keqinformuar prindërit”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu nga Drejtoria e SHSKUK kanë thënë se Menaxhmenti i Klinikës së Neonatologjisë ka kërkuar deklaratat me shkrim nga i gjithë stafi kujdestar dhe rasti do të procedohet më tutje, sipas legjislacionit në fuqi.

“Drejtoria e SHSKUK, rikujton se në Qarkoret Informative të lëshuara së fundi ka njoftuar klinikat dhe spitalet, se për dhënie të informatave janë të autorizuar vetëm mjekët, shefat e reparteve, apo drejtorët e klinikave që përcjellin gjendjen shëndetësore të pacientëve, por jo infermieret dhe punonjësit e tjerë që nuk janë marrë direkt me trajtimin e rastit”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.

Të ngjashme