Lajme
“Fluturimi” i çatisë së objektit të komunës gati ia mori jetën, Përparim Rama nuk e viziton as në spital
Demokracia
20:00 | 19 Janar 2024

Share:

Një vajzë 23-vjeçare, dje u lëndua tepër rëndë si pasojë e rënies së çatisë së objektit të ri të Komunës së Prishtinës. E njëjta është dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor dhe gjendje e saj është mjaft e përkeqësuar.

E lënduara është 23-vjeçarja Elza Ujkani, motra e deputetes Fjolla Ujkani.

Si pasojë e lëndimeve, ajo ka pësuar gjakderdhje në indin trunor dhe trajtimin po e bën e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura e frymëmarrjes.

Por, tashmë kur kanë kaluar më shumë se 24-orë, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ndonëse e reja është në gjendje të rëndë për shkak se çatia e objektit të komunës së tij e ka zënë pas rënies dhe askush ende nuk është thirrur në përgjegjësi, Rama as që ka marrë mundin të shkojë në spital për ta parë nga afër gjendjen e 23-vjeçares, shkruan Demokracia.com.

Rama u mjaftua me vetëm një reagim në rrjetin e tij social, ku pas incidentit shkroi pak edhe për vajzën e lënduar.

“Të dashur qytetarë. Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor. Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi.”, shkroi dje Rama.

23-vjeçarja e lënduar u vizitua sot në QKUK nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri Arben Vitia, por jo edhe nga kryetari Përparim Rama. /Demokracia.com/

Të ngjashme