Lajme
“Burgje daneze e belge”, investimet e shumëdëshiruara të huaja në Kosovë me Qeverinë Kurti
Demokracia
11:26 | 02 Maj 2024

Share:

Deklaratat nga pushtetarët se në Kosovë mund të ketë luftë po i largojnë çdo ditë e më shumë njerëzit që mendojnë të investojnë në Kosovë.

Qeveria Kurti të vetmin interesim për investime nga jashtë, duket se e ka për ndërtimin e burgjeve, shkruan Demokracia.com.

MARRËVESHJA DANIMARKË – KOSOVË

Dy shtete tashmë kanë shprehur aspirata për t’i zhvendosur disa nga të burgosurit e tyre në Kosovë.

Danimarka e ka një marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë për marrjen me qira të 300 qelive.

LEXO MË SHUMË: 

Në 2023 vijnë të burgosurit nga Danimarka, krejt çka thuhet në marrëveshjen për burgjet (Dokument)

Më 27 prill të vitit të kaluar, Danimarka nënshkroi një marrëveshje për të sjellë 300 të burgosur në Kosovë si përpjekje për të reduktuar mbipopullimin në burgjet daneze.

Të dy vendet ranë dakord fillimisht në dhjetor që vendi skandinav të marrë me qira 300 qeli burgu për një tarifë vjetore prej 15 milionë eurosh.

Por, marrëveshja ka mbetur vetëm në leter, pasi opozita vazhdon të mos i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe këtë me Danimarkën.

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, i cili ishte për vizitë në Kosovë, të martën, tha se ka pasur takime konkrete me Qeverinë dhe partitë më të mëdha opozitare dhe mesazhi është se ata e duan këtë partneritet.

Hummelgaard është optimist se marrëveshja për të burgosurit do të votohet së shpejti.

Për këtë huazim, sipas letër-pëlqimit, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.

IDEJA NË BELGJIKË

Në Belgjikë, ditëve të fundit po diskutohet ndërtimi i një burgu në Kosovë, i cili do të shërbente për drejtësinë belge për t’i dërguar të gjithë të huajt me qendrim ilegal në Belgjikë.

LEXO MË SHUMË: 

Ideja për ndërtimin e një burgu në Kosovë nga Belgjika, deputeti belg: Do të dërgoheshin të gjithë ilegalët, përpos kosovarëve

Deputeti i partisë belge N-VA, Theo Francken, i cili ka qenë edhe Sekretar i Shtetit për Azil dhe Migrim, duke folur në televizionin RTL të enjten, tha se krijimi i një burgu në Kosovë është i mundshëm.

“Është e mundur. Socialistët në Danimarkë po e bëjnë, kanë një marrëveshje me Kosovën dhe do të zbatohet në muajt e ardhshëm. Për mua është e qartë që duhet ta kopjojmë këtë marrëveshje, sepse kemi rreth 3000 ilegalë në burgjet tona, persona që nuk kanë leje qëndrimi në Belgjikë”, deklaroi deputeti Francken.

Megjithatë, ai thotë se në këtë burg nuk do të mund të dërgoheshin kosovarë që kapen pa leje qëndrimi në Belgjikë. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme