Arte
Filmi që shpjegon se pse shohim makthe natën
Demokracia
11:22 | 30 Mars 2021

Share:

E gjitha nisi nga një përjetim i fëmijërisë i Scott Burns. Filmi “Come true” përpiqet të shpjegojë, sipas një teorie, se pse njerëzit shohin hije, të njëjtën hije, kur ndodh të përjetojnë paralizën e gjumit.

Në një intervistë me Inverse, Scott Burns, që shërbeu si regjisor, skenarist, kompozitor i filmit, shpjegoi se kur ishte tetë vjeç, teksa përballej me traumën e vdekjes së të ëmës, gjatë një nate, trupi i tij ishte i ngrirë dhe i ngurtë, ndërsa mendja shihte haluçinacione. Me cep të syrit, ai pa “një si njeri të errët, një njollë, një hije”.

“Për një kohë mendoja se ishte nëna ime. Me kalimin e kohës, fillova të besoja se nëse ajo gjëja kthehej dhe më shihte, unë do të vdisja.” – tregoi ai për Inverse.

Me kalimin e viteve, Burns e harroi përvojën shokuese, por dokumentari i vitit 2015, “Nightmare” – për tetë njerëz që përjetojnë paralizë të gjumit, një gjendje e cila i lë ata të paaftë të lëvizin, flasin ose reagojnë – e nxiti që të kthehej në të kaluarën, përcjell anabel.

“Pse të gjithë shohim të njëjtën gjë?” pyeti ai. “Nëse të gjithë po shohim të njëjtën gjë, këtë hije me sy të ndezur, nuk mund të jetë ndonjë haluçinacion masiv. Ka diçka tjetër.”

Shënim: Paraliza e gjumit ndodh kur gjatë zgjimit ose rënies në gjumë, një person është i vetëdijshëm, por nuk lëviz dhe as flet dot. Gjatë një episodi, mund të përjetohen haluçinacione që shpeshherë shkaktojnë frikë. Simptoma kryesore e paralizës së gjumit është paaftësia për të lëvizur a folur gjatë zgjimit. Raportohen tinguj të imagjinuar si mërmërimat, ulërimat, fërshëllima, zëra etj. gjatë episodeve. Njerëzit që e kanë përjetuar kanë thënë se u është dukur sikur i kanë nxjerrë përdhuni nga shtrati, kanë ndjerë mpirje, vibrime në trup, krijesa mbinjerëzore që i mbysin, hije dhe haluçinacione të kësaj natyre shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje.

Ky film fantastiko-shkencor/horror shpjegon pse shohim hije natën

Filmi “Come True” u frymëzua nga një studim i vitit 2011 ku studiuesit hulumtuan për mendimet. “Come True” e ndërton subjektin duke pasur në qendër adoleshenten e pastrehë Sarah (Julia Sarah Stone) e cila regjistrohet në një studim mbi gjumin për t’i siguruar vetes një vend për të fjetur. Atje ajo përpiqet t’i japë kuptim enigmës që e rrethon: Origjina e maktheve.

Scott Burns u shpreh se teoritë e Carl Jung-ut për pavetëdijen kolektive u dhanë një dorë të mirë.

“Ideja themelore është që e gjithë trauma dhe gjërat me të cilat ne luftojmë janë kujtimet e trashëguara brenda nesh. Ne ndajmë gjëra sepse ato janë gjëra që paraardhësit tanë i kanë përjetuar,” shpjegoi ai.

Në vijim shtoi:

“Mijëra vjet më parë një njeri i shpellave pa një mace gjatë natës, ose një kafshë. Dhe kështu kemi një frikë nga një figurë e errët me sy të ndezur. Duhet të jetë një kujtim që u transmetua teksa ne evoluonim.”

Duhet theksuar se “Come True”, si një film fantastiko-shkencor, përcjell disa këndvështrime bazuar te teoritë e Jungut. Por gjithçka është vetëm një teori. “Come True” është vetëm një film.

“Ne nuk dimë asgjë për këtë univers. Ne mendojmë se po, por nuk dimë,” u shpreh Burns.

Filmi mund të shihet në platformat Video on Demand.

Të ngjashme