Arte
Filmi që duhet të shihni patjetër: Malcom & Marie
Demokracia
16:29 | 09 Shkurt 2021

Share:

“Nëse jeni në një argument me dikë, dhe personi tjetër ju thotë se gjithçka është në rregull, vetëm një gjë është e sigurtë; që asgjë nuk është në rregull”.

Kështu nis përshkrimi i Netflix, për filmin Malcom & Marie, me skenar dhe regji të Sam Levinson, një film krejtësisht i xhiruar krejtësisht në bardh e zi, me teknikën ‘tracking shot’ që deri diku të jep ndjesinë e filmave ‘french new wave’ dhe të ofron në atmosferën e gjithëçkaje që ndodh brenda një nate mes një çifti, të cilët janë bashkë prej 5 vitesh, transmeton Demokracia.com

Filmi i cili u xhirua në rrethana të jashtëzakonshme gjatë karantinës dhe pa ekipet e zakonshme të cilat përcjellin aktorët dhe stafin e filmit, është një analizë e marrëdhënieve njerëzore, një skalitje komplekse e karaktereve, që na jep mundësinë të përsiasim lidhur me marrëdhënien mes dy personave kreativ dhe komplikimeve të lidhjes.

 

Malcom and Marie është një histori shumë shtresore që ngërthen një galeri situatash që zhvillohen brenda situatës kryesore, të cilat shpalosin historinë, mllefet, traumat dhe tiparet e dy karakterve kryesorë.

Zendaya dhe John David Washington vijnë me një performancë të jashtëzakonshme si Malcom dhe Marie, duke na treguar historinë komplekse të një regjisori dhe muzës së tij.

Filmi i Malcom, i cili është bazuar në përvojën personale të Marie, sapo ka dhënë premierën dhe ata të dy janë kthyer në shtëpi për të pritur komentet e kritikëve.

Malcom vjen si një regjisor megaloman, lloji i burrit apo më mirë të themi i individit kreativ, të cili i duket sikur bota sillet rreth tij; i cili për herë të parë përjeton t’i pëlqehet filmi dhe në ambientin intim me të dashurën e tij, nuk ngurron të shfaqë egon narciziste, e cila lëndon Marie, një karakter i fortë me një të kaluar me abuzime dhe varësi, dhe paaftësinë për të ndjekur ëndrrën e saj për të vazhduar karrierën si aktore.

Edhepse Marie nuk e pranon, që nga fillimi i filmit, ne e shohim që ajo është e lënduar dhe pas disa dialogjesh e kuptojmë se atë e ka prekur fakti, që Malcom ka harruar t’a falenderoj vetëm atë nga e gjithë lista e gjatë e falenderimeve rreth filmit, edhepse historia e filmit është e bazuar në jetën e saj.

Fakti që shumica e filmit është xhiruar brenda një ambienti, ka ndikuar që shumë kritikë të kenë sugjeruar që pjesa mund të funksiononte edhe më mirë si shfaqje teatrale, mirëpo unë mendoj që kjo nuk është domosdoshmërisht çështja, sado që performance e Washington mund të ketë disa ulje, është loja e Zendaya, që e mban vëmendjen e audiencës krejtësisht për vete, dhe fotografia jashtëzakonisht e arrirë e filmit, e cila bën që secili kuadër të ngjajë në një kryevepër./Demokracia.com

Të ngjashme