Sport
Federatës zvicerane nuk i kanë pëlqyer deklaratat e Xhakës, përzgjedhësi Yakin ka thënë se do të bisedojë privatisht me kapitenin
Demokracia
19:00 | 10 Shtator 2023

Share:

Granit Xhaka ka kritikuar indirekt përzgjedhësin e Zvicrës, Murat Yakin, pas barazimit me Kosovën me rezultat 2-2.

Deklarata e Xhakës pas ndeshjes në Prishtinë ka bërë bujë në mediat zvicerane, gjë që nuk iu ka pëlqyer përgjegjësit në Federatën e Futbollit të Zvicrës.

Të dielën, për mediat zvicerane, ka folur drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, i cili ka theksuar se nuk dëshiron t’i kushtojë shumë rëndësi deklaratës së kapitenit.

“Kam parë momentin kur Xhaka e tha këtë”, ka thënë Tami, duke nënvizuar se këtë gjë e ka thënë kur ishte në moment emocional Xhaka.

“Por nuk më pëlqeu, një deklaratë e tillë nuk i ndihmon askujt”, ka thënë Tami për “Blick”.

Sipas Tamit, lojtarët është më mirë të flasin për paraqitjen personale. “Lojtarët janë përgjegjës për kualitetin e stërvitjes. Por për mua nuk është problem nëse ka mendime të ndryshme”, ka shtuar Tami.

Xhaka kishte deklaruar pas ndeshjes se mënyra se si luajti Zvicra shfaqte atë që është punuar gjatë gjithë javës në stërvitje.

“Mënyra se si luajtëm ishte ajo se si vepruam gjatë gjithë javës. Nuk stërvitemi si duhet. Nuk kishte tempo e intensitet siç duhej të kishte. Dukej sikur po luanim ndeshje miqësore ose po luanim në park. Kështu nuk shkon. Nuk mund të kalosh nga 0 në 100 kur gjithë javën nuk e bën. Asnjë lojtar në botë nuk mund ta bëjë këtë”, ka thënë Xhaka.

Yakin është përgjigjur duke deklaruar se do të bisedojë me Xhakën privatisht për këtë deklaratë.

“Do të diskutoj privatisht me Granitin se cila ishte ideja prapa deklaratës që dha”, ka thënë Yakin

Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk kishin ndeshjen më të mirë në Prishtinë.

Të ngjashme