Lajme
Fajon e quan absurde deklaratën e Vuçiqit se Sllovenia shkeli integritetin territorial të Serbisë kur e njohu Kosovën
Demokracia
19:32 | 08 Shtator 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon e quajti absurde dhe fatkeqe deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Sllovenia shkeli integritetin territorial të Serbisë duke njohur pavarësinë e Kosovës.

“Në Serbi jemi mësuar me deklarata të tilla, të cilat ndonjëherë dalin jashtë kontekstit – ndonjëherë pak me qëllim. Por është e vërtetë që kemi reaguar. Presidenti (Borut) Pahor u përgjigj, ashtu si edhe ministria jonë. Këtu duhet theksuar edhe një herë se kur bëhet fjalë për interesat e shtetit slloven, ato duhet të mbrohen. Kjo ishte një deklaratë [e Vuçiqit] shumë absurde, fatkeqësisht”, ka theksuar Fajon, përcjellë N1 Sllovenia.

Fajon, megjithatë, theksoi se Sllovenia ka marrëdhënie të mira me Serbinë.

“Presidenti serb do të jetë në Slloveni javën e ardhshme dhe do të mund të thotë më shumë”, tha Fajon, transmeton Telegrafi.

Kujtojmë se, gjatë vizitës së fundit të presidentit slloven Borut Pahor në Beograd, Vuçiq pyeti se si t’ia shpjegojë popullit që Serbia t’i vendosë sanksione ndaj Rusisë, jo Sllovenisë.

“Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë, Sllovenia e ka shkelur dhe ne shohim si të kemi marrëdhënie të mira me Slloveninë”, tha Vuçiq.

Për shkak të kësaj deklarate ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, e cila ka ftuar në bisedë ambasadorin e Serbisë.

Ministria sllovene e Punëve të Jashtme ka thënë se janë të befasuar nga deklaratat e Vuçiqit dhe se qëndrimin e tyre për Kosovën ua kanë përcjellë edhe një herë autoriteteve në Beograd.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, duke iu përgjigjur komenteve nga Lubjana tha se “nuk ka absolutisht asgjë të diskutueshme në fjalët e presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Të ngjashme