Arte
Elbenita Kajtazi, sopranoja që dërgoi Kosovën në finale të “BBC Cardiff Singer of the World”
Demokracia
12:51 | 27 Qershor 2021

Share:

Sopranoja, Elbenita Kajtazi, gjatë muajit qershor u bë këngëtarja e parë nga Kosova që morri pjesë në garën e operës dhe të këngës “BBC Cardiff Singer of the World”.

Paraqitja e saj në këtë garë në Britani, me një program prej 15 pjesëve në tetë gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe gjuhën shqipe, bëri jehonë të madhe.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, sopranoja Kajtazi, thotë se pjesëmarrja në këtë garë ku arriti deri në finale, ishte ndër synimet e saj prej një kohe të gjatë.

“Cardif Singer of the World” e njoh si garë që prej dhjetë vjetësh dhe gjithmonë e kam pasur synim, por gjithmonë kam hezituar duke thënë se është shumë vështirë dhe nuk mund t’ia dal. Por kësaj here meqë pata më shumë kohë vendosa të marrë pjesë dhe aplikacioni im u përzgjedh, kanë kaluar tri faza derisa janë përzgjedhur 16 persona të shkojnë atje sepse ka pasur diku rreth 600 aplikacione”, thotë ajo.

“BBC Cardiff Singer of the World” mbahet çdo të dytin vit. Për shkak të pandemisë COVID-19, edicioni i këtij viti u mbajt pa publik.

“Kjo ka qenë pjesa më e dhimbshme e këtij konkursi sepse ka qenë vetëm përmes televizionit dhe ne kemi kënduar me një orkestër të tërë për kameramanët e BBC-së. Nuk është ndjenjë e mirë, unë e kam provuar këtë edhe në disa produksione të tjera gjatë pandemisë dhe krejt çfarë ke mundur të bësh është t’u këndosh kamerave e si këngëtare operistike nuk është ndjenjë e mirë sepse ti dëshiron të lidhesh drejtëpërdrejtë me publikun dhe të japësh emocion”, thotë zonja Kajtazi.

Të ngjashme