Lajme
Eksperti i ekonomisë tregon pse kemi rritje ekonomike dhe të konsumit
Demokracia
12:37 | 31 Mars 2022

Share:

Qeveria Kurti po krenohet se Kosova ka rritje ekonomike stabile prej 10 për qind.

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, vlerësoi se gjendja e qytetarëve është më e mirë dhe sipas tij është rritur edhe konsumi.

Këto deklarata, Muja i bëri gjatë mbledhjes së Komisionit për Buxhet, Punë dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.

Por, njëjtë nuk po mendojnë edhe njohësit e ekonomisë.

Eksperti i ekonomisë, Erton Bega, sqaroi për Demokracia.com arsyen e vërtetë të rritjes dhe njëkohësisht qëndrueshmërisë ekonomike.

“Është e vërtetë që rritja ekonomike në vitin 2021 ka qenë 10,5% dhe kjo ka ardhur si rezultat i disa faktorëve. Baza me të cilën krahasohet në vitin 2020 është shumë e ulët për shkak të rënies ekonomike gjatë mbylljes në pandemi”, ka thënë Bega për Demokracia.com.

Sipas tij, kontribuues kryesor i kësaj rritje janë mërgata jonë që ka dërguar remitanca në vlerë rekorde prej 1,15 miliard euro dhe për shkak të vizitave rekorde të mërgatës gjatë pushimeve që kanë ndikuar në rritjen e konsumit.

“Rritja e kreditimit nga bankat komerciale, që pjesërisht është mbështetë nga fondi i garancive kreditore, tërheqja e afër 200 milionë eurove nga kursimet pensionale ka rritur shpejt kërkesën agregate për mallra dhe shërbime”, ka thënë Bega për Demokracia.com.

Ai konsideron se rritja e lartë dhe e shpejtë ekonomike zakonisht nuk ka shpërndarje proporcionale në mirëqenien e qytetarëve të vendit.

“Rritjet e larta dhe të shpejta ekonomike zakonisht nuk kanë shpërndarje proporcionale në mirëqenie të qytetarëve, pasi në këso situatash përfitojnë ata që kanë më shumë dhe janë në krye të drejtimit të bizneseve”, tha ai.

Rritja ekonomike në vend, sipas ekspertit të ekonomisë, nuk është e mjaftueshme për Qeverinë e Kosovës.

“Një faktor që mund të pranohet është rritja e besimit në qeverisje, duke marrë parasysh që kjo qeveri ka fituar 50,3% të votave, por kjo nuk është e mjaftueshme për rritje të lartë ekonomike”, tha Bega për Demokracia.com.

Ai meritat për këtë rritje ekonomike ia lë edhe qeverisë së Avdullah Hotit.

“Masat e qeverisë mund të renditen në grupin e dytë të faktorëve që lidhen me paketat ekonomike për biznese, tërheqjen e fondeve pensionale, fondin e garancive kreditore dhe paketat për kategoritë sociale. Pjesa më e madhe e këtyre masave është ekzekutuar në qeverinë paraprake, prandaj konsideroj që rritja ekonomike nuk mund të evidentohet si rezultat i vetëm kësaj qeverie, pasi kontribut të madh në këtë rritje ka veçanërisht diaspora dhe qeveria paraprake po ashtu”, ka thënë Bega, duke i vlerësuar si faktor kryesor edhe investimet e huaja direkte./Demokracia.com/

Të ngjashme