Lajme
“Ekipi i Prishtinës” pa Përparim Ramën, Abdixhiku e Rama vazhdojnë ta injorojnë njëri-tjetrin
Demokracia
18:30 | 19 Dhjetor 2023

Share:

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po vazhdon ta injorojë Lumir Abdixhikun, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo parti ka publikuar një fotografi, që po shpërndahet nga përkrahësit e LDK-së si “Ekipi i Prishtinës”, por në të mungon i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili vazhdon ta injorojë partinë me të cilën garoi në zgjedhje dhe kryetarllëkun e Abdixhikut, shkruan Demokracia.com.

 

Po ashtu ky postim është shpërndarë edhe nga asamblistja e kesaj partie, Jeta Rafuna.

 

Problemet në publik ishin shfaqur kur kishte filluar të diskutohej për faljen e tatimit në pronë.

Bojkoti i grupit të asamblistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës i seancës, ku nga PDK e LVV u votua falja e 75 eurove nga tatimi në pronë për vitin 2023, shkaktoi përplasjen më të madhe deri më tani mes partisë së Lumir Abdixhikut dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës.

I pari i Prishtinës ka qenë pro vendimit që banorëve të kryeqytetit t’u falet një pjesë e tatimit në pronë. Madje, ai kishte propozuar edhe një formulë të tij për këtë gjë, por që nuk kishte marrë mbështetjen e partisë, e cila e kandidoi për të parin e kryeqytetit.

Në anën tjetër, asamblistët e LDK-së, me urdhrin e partisë së tyre dhe pa marrëveshje me kryetarin Përparim Rama kishin bojkotuar krejtësisht seancën e 7 dhjetorit, ku u shqyrtua dhe u votua falja e tatimit në pronë.

Si rrjedhojë, javën që shkoi, në Asamblenë Komunale të Prishtinës, më 28 vota pro ka kaluar propozimi i LVV-së i mbështetur edhe nga PDK-ja, që qytetarëve t’u falen 75 euro nga shuma e tatimit në pronë për vitin 2023.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte propozuar që të falet çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro. Por, ky propozim i tij nuk u mbështet as nga LDK-ja që dolën kundër që prishtinasve t’u falet ndonjë cent i tatimit në pronë, duke rezultuar me bojkot të seancës së Kuvendit Komunal.

Kështu, veprimi i asamblistëve të LDK’së për bojkot të kësaj seance të jashtëzakonshme e kishte acaruar kryetarin e Prishtinës, i cili ishte larguar edhe më tej nga “partneriteti i ngushtë” me LDK-në, siç e quan ai, për të qeverisur me kryeqytetin.

Çështja e faljes së tatimeve në pronë erdhi si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila javë më parë vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë përmes ndryshimeve në Ligjin për Tatim në Pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.

Vendimi i Qeverisë propozon faljen e tatimit në pronë nga komunat, por vendimin për këtë ua lë në vullnet politik të komunave përmes votimit në asambletë komunale.

Arkitekti nga Londra në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021 u kandidua nga LDK-ja për Kryetar të Prishtinës, të cilat i fitoi me ndihmën e PDK-së në balotazh kundër Arben Vitisë së LVV-së.

Me të ardhur në krye të Prishtinës, Rama nuk është se e ka definuar mirë “statusin” e tij në LDK, herë duke u deklaruar si pjesë e saj e herë si veç bashkëpunëtor për Prishtinën i partisë së Lumir Abdixhikut. Ky i fundit, ndonëse Përparim Rama qeveris me komunën më të rëndësishme në vend, siç është kryeqyteti, të parin e saj nuk e ka përfshirë as si anëtar të thjeshtë në kryesinë e re të partisë së tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme