Arte
Edicioni i 13-të i Prifest hapet me premierën kombëtare të filmit “Zgjoi” nga Blerta Basholli
Demokracia
23:09 | 24 Gusht 2021

Share:

Për herën e 13-të me radhë, festivali i filmit Prifest është bërë qendër e filmbërësve, studentëve dhe adhuruesve të filmit, duke mundësuar shfaqjen e filmave të shumtë që janë duke u dhënë nëpër festivalet kryesore të filmit në botë.

Filmi “Zgjoi”, fitues në “Sundance Film Festival” është njëri prej këtyre filmave që Prifest solli si premierë në hapjen zyrtare të tij.

Filmi me regji nga Blerta Basholli trajton historinë e vërtetë të Fahrijes, një gruaje nga Krusha, e cila në mungesë të burrit i cili u mor peng nga forcat serbe gjatë luftës, detyrohet të nis një biznes për prodhimin e mjaltit dhe ajvarit, ku përfshihen edhe gratë e tjera të fshatit, që ndajnë fatin e njejtë me të Fahrijes.

Përpjekja ekzistenciale për mbijetesë e Fahrijes që rezulton edhe me pavarësimin e saj ekonomik si mbajtëse e familjes, shëndrrohet në një shpallje lufte ndaj mentalitetit patriarkal që dominon një shumicë të fshatrave e provincave në Kosovë.

“Po flasin për ty Fahrije, po thojnë që po punon në qytet”, është një akuzë që mund të tingëllojë absurde në disa vende të botës, po për Fahrijen në realitetin e saj, kjo akuzë pothuajse i shkatërron marrëdhëniet me vjehrrin dhe fëmijët, të cilët ndikohen nga gojët e liga që në përpjekjet e saj për punë të ndershme i konsiderojnë si di[ka të pamoralshme.

Mirëpo Fahrija është e sigurtë në qëllimin e saj, lufta e saj për mbijetesë dhe një karakter i forcuar nga dhimbja e bëjnë personin e duhur që të arrijë të gjej forcën mu te dhembja e saj.

Historia e Fahrijes nuk është një histori fuqizuese vetëm për gratë që ndajnë fatin e saj, po për të gjithë ne. Kjo histori është një mënyrë për të kuptuar se asgjë nuk mund ta ndalojë dëshirën e fortë dhe përkushtimin e pastër.

Me një performancë të shkëlqyer nga Yllka Gashi, e cila përcjell me sinqeritet karakterin kompleks me pak fjalë e me shumë emocion,  Blerta Basholli na tregon historinë e një gruaje të cilën nuk mund ta ndalë askush dhe që arrin të ndryshojë mentalitetin e një komuniteti.

Lufta e Fahrijes nuk është vetëm lufta personale e saj, por luftë ndaj një shoqërie e cila frikësohet nga pavarësia e grave dhe tenton me [do kusht t’I mbajë ato të varura në të gjitha aspektet nga burrat dhe nga gjykimi hipokrit I tyre.

Të ngjashme