Lajme
Edhe një “dhuratë” para zgjedhjeve | Shtrenjtimi i tretë i energjisë elektrike nën Qeverinë Kurti
Demokracia
08:36 | 27 Mars 2024

Share:

“Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi. Shumë kemi kapacitet”.

Ky është premtimi mashtrues i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i bërë më 26 tetor 2019, në fushatën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, në të cilat zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje doli si subjekti i parë politik pas 15 viteve të opozitarimit, shkruan Demokracia.com.

Por, brenda një kohë të shkurtër nga ardhja në pushtet, jeta e qytetarëve të Kosovës filloi të rëndohej dukshëm me çmimet e larta të faturave të energjisë elektrike apo për shportën e shpenzimeve mujore, duke detyruar ata që të hyjnë në kredi për të përballuar koston e jetesës.

“Të varfër e të vjedhur”: Kosovarët mbijetojnë me kredi, veç në dhjetor morën 193 milionë euro

Shtrenjtohet jeta nën Qeverinë Kurti | Bankat shtojnë fitimet, qytetarët vazhdojnë të hyjnë në kredi për të përballuar shpenzimet

2022 – SHTRENJTIMI I PARË I ENERGJISË ELEKTRIKE

Premtimin e madh se me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet çmimi i energjisë elektrike dhe shportës mujore do të lirohet, Kurti e braktisi sapo u rehatua në zyrën e tij në Qeveri.

Këtë rehati, Kurti nuk e prishi kur qytetarët i kërkonin atij që të ndërhynte dhe të mos lejonte rritjen e energjisë elektrike mbi 100%. Ai nuk u shfaq për ta mbajtur premtimin, por shtrenjtimin e çmimit e arsyetoi duke thënë se “aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa e paguajnë”.

“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Kosovës se sa në këto 4 vjetët e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike. Aq lirë ka qenë sa nuk e kanë ditur se sa paguajnë. Në historinë e Kosovës, numër më të madh të qytetarëve që nuk e kanë ditur se sa e ka pasur faturën s’ka pasur ndonjëherë. S’po them që janë shumica të tillë, por numër më të madh s’ka pasur ndonjëherë”, është shprehur Kurti.

“Rryma lirë, nafta shtrenjtë, s’jetohet në Kosovë me 350 euro” – Disa nga qëndrimet e Kurtit mbi çështjet sociale ndër vite

2023 – SHTRENJTIMI I DYTË I ENERGJISË ELEKTRIKE

Shtrenjtimi i energjisë elektrike i vitit 2022 nuk u ndalë me aq. Vetëm një vit më vonë, shtrenjtimit mbi 100% iu shtua edhe një rritje tjetër e tarifave të energjisë elektrike prej 14%.

As në këtë rast, kryeministri Kurti nuk shfaqi as kundërshtimin më të vogël.

Kurti që protestonte kundër tarifave të energjisë elektrike, që pasi erdhi në pushtet i quante tepër të lira që qytetarët nuk e dinin se ekzistonin, e arsyetoi rritjen e dytë të çmimit të energjisë elektrike duke thënë se nuk ndërhyn në punën e institucioneve të pavarura, siç është Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

“Ministrat e linjës kanë komunikuar dhe janë dakorduar dhe i kanë dhënë rekomandimet e tyre ZRrE-së në bashkëpunim me KEK-un sa i përket sektorit të energjisë e në veçanti sa i përket çmimeve të energjisë elektrike. Çka zotohem është se në njërën anë nuk ju ndërhyjmë punës së institucioneve të pavarura për në anën tjerr do të bëjmë që t’ju lehtësojmë barrën qytetarëve me çmimet dhe sigurimin e energjisë sa më stabil”, deklaronte Kurti.

Këto tarifa të reja që ishin mbështetur nga Kurti, hynë në fuqi më 1 prill 2023 dhe do të skadojnë më 31 mars 2024.

2024 – SHTRENJTIMI I TRETË I ENERGJISË ELEKTRIKE

Në prag të përfundimit të kohëzgjatjes së këtyre tarifave, lajm tjetër i keq po vjen për qytetarët e Kosovës.

Pikërisht, në vitin e fundit të qeverisjes së kryeministrit Kurti, një shtrenjtim tjetër i energjisë elektrike po troket në dyert e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ky është shtrenjtimi i tretë nën mandatin e Qeverisë së Vetëvendosjes të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.

Shtrenjtimi i radhës i energjisë elektrike po vie pikërisht në kohën kur po paralajmërohen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme. /Demokracia.com/

Rëndohet edhe më shumë jeta e qytetarëve, në prill mund të shtrenjtohet përsëri rryma

Të ngjashme