Lajme
“Të varfër e të vjedhur”: Kosovarët mbijetojnë me kredi, veç në dhjetor morën 193 milionë euro
Demokracia
11:15 | 25 Janar 2024

Share:

Kreditë nëpër banka, qytetarëve të Kosovës veç po iu trashen. Vitin 2023, shumica e kanë mbyllur me borxhe ndaj bankave. Të dhënat e fundit tregojnë se kosovarët veç në dhjetor kanë marrë 193 milionë euro kredi, deri sa vlera totale e kredive është 4.91 miliardë euro.

Qytetarët e Kosovës duket se tashmë janë “mbështetur” për muri.

Gjendja financiare e tyre veç po rendohet ditë pas dite.

Kosovarët tashmë nën qeverisjen e Albin Kurtit, po rezultojnë si “të varfër e të vjedhur”, shkruan Demokracia.com.

Statistikat zyrtare tregojnë se qytetarët e vendit shpëtimin e vetëm e kanë gjetur te kreditë.

Në muajin dhjetor, që e lamë pas para pak ditësh, kosovarët kanë marrë kredi afro 200 milionë euro.

“Vlera e kredive të reja në muajin dhjetor 2023 ishte 193.7 milionë euro. Vlera e kredive bruto në total ishte 4.91 miliardë euro, me një rritje prej 27.80 milionë euro”, thuhet në publikimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Por, qytetarët përveç që i kanë marrë këto kredi, ata duhet të paguajnë edhe norma më të larta të interesit.

Ato tashmë kanë shkuar deri në 6.4 për qind, shkruan Demokracia.com.

“… po ashtu, norma mesatare e interesit në depozita ishte 3.14%, ndërsa norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.35% ku në muajin paraprak ishte 6.4%. Raporti kredi-depozita për muajin dhjetor 2023 ishte në nivelin 80.2 %, kurse margjina e normës së interesit kredi – depozita ishte 3.2%”, thuhet në këtë raport.

E në kurriz të qytetarëve, fituese kanë dalë bankat, të cilat rezulton se i kanë rritur asetet dhe kapitalin.

“Mbi 7.5 miliardë euro janë asetet e bankave komerciale në Republikën e Kosovës dhe se investimet e tyre jashtë vendit kanë arritur në 1.26 miliard euro. Kapitali i bankave komerciale për muajin dhjetor ishte 863 milionë euro”.

Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë një studim hulumtues lidhur me financimin e kosovarëve përmes bankave komerciale për vitin 2023.

Nga ky studim del se qytetarët dhe bizneset kanë marrë kredi të ndryshme nga bankat komerciale rreth 5 miliardë euro këtë vit, me një interes mesatar rreth 6.5 për qind.

“Rreth 3 miliard u zhyten bizneset në kredi, kurse rreth 2 miliardë qytetarët dhe ekonomitë familjare, ku për këtë 12-mujor paguan rreth 330 milionë euro interes të ndryshëm bankarë. Bankat komerciale në Kosovë gjatë vitit 2023 arritën përfitime rekorde rreth 160 milionë euro”.

Kosova nuk ka të dhëna të përditësuara për varfërinë në vend.

Të dhënat e fundit të përpiluara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Banka Botërore tregojnë se 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, përkatësisht me rreth 2 euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme apo me më pak se 1.5 euro në ditë.

Kurse, një anketë e ASK-së është publikuar vitin e kaluar, sipas së cilës një shpenzim i papritur prej 100 eurosh në muaj do të ishte i përballueshëm për 43% të familjeve në Kosovë. Ndërsa, shpenzimet për një javë pushim larg shtëpisë janë të papërballueshme për 42.7 për qind të familjeve.

Deri sa në programin e Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025 thuhet, mes tjerash, se mirëqenia qytetare do të synohet përmes mbështetjes së grupeve të cenuara dhe ristrukturimit të skemave sociale dhe pensionale, hapat që ka marrë deri më tash Qeveria aktuale janë kryesisht ndihma dhe “sadaka” për pensionistët, për fëmijë dhe pagesën e pushimit të lehonisë për nënat e papuna.

Me mbi 1.7 milionë banorë, Kosova ka pagën më të ulët minimale në Evropë, që sillet nga 130 deri në 170 euro në muaj. Ndërkaq, paga mesatare në vend është 520 euro./Demokracia.com/

Të ngjashme