Lajme
Policia në ShBA vret një nxënës që kishte shkuar në shkollë me armë
Demokracia
08:49 | 02 Maj 2024

Share:

Policia në Wisconsin të Shteteve të Bashkuara vrau një nxënës për të cilin zyrtarët thonë se kishte shkuar në një shkollë të mesme lokale me një armë. Nxënësi nuk arriti të hynte në shkollë, por tërë distrikti u fut në izolim të mërkurën në mëngjes si masë parandaluese.

Nxënësit tashmë janë ribashkuar me prindërit dhe disa prej tyre pritën deri në pesë orë që fëmijët e tyre të liroheshin në një qendër autobusësh në Mount Horeb, rreth 30 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit shtetëror, Madison, raporton gazeta “The Guardian”, duke cituar një televizion lokal.

Asnjë nxënës tjetër ose pjesëtar i stafit nuk u lëndua gjatë të shtënave, tha kryeprokurori i Wisconsin-it, Josh Kaul, gjatë një konference për gazetarë të mërkurën.

Autoritetet në këtë konferencë e përshkruan nxënësin si mashkull të ri, por nuk ofruan të dhëna të mëtejme identifikuese ose specifika për llojin e armës së zjarrit që ai e kishte me vete ose nëse ishte shkrepur ndonjë plumb në drejtim të policisë, në pritje të një hetimi nga organet lokale, shtetërore dhe federale.

“Ky lloj i incidentit është ankth i secilit prind. Ishte një raportim për dikë me një armë në shkollë dhe forcat e rendit u përgjigjën. Kjo është situatë e rrezikshme në mënyrë thelbësore” – tha kryeprokurori Kaul.

Shkolla e mesme ku ndodhën të shtënat e policisë do të jetë e hapur të enjten dhe do të shërbejë si qendër për stafin dhe nxënësit për të marrë burime dhe mbështetje. Mësimi pritet të rinisë të premten, sipas mbikëqyrësit, Steve Salerno.

Të ngjashme