Lajme
E vërteta e takimit të Brukselit | Kurti nuk e refuzoi Zajednicën, por vetëm kohën e themelimit të saj
Demokracia
16:45 | 18 Shtator 2023

Share:

“Shpreh edhe një herë gatishmërinë time të plotë që secili nen nga 11 sosh të Marrëveshjes Bazike, secilën fjali nga 6 sosh të preambulës dhe secilën pikë nga 12 sosh të Aneksit të zbatimit të Ohrit, jam i gatshëm dhe i interesuar që ta zbatojmë një orë e më parë, në plotni, pa asnjë kusht”.

Kjo deklaratë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë në fund të adresimit të tij para mediave, pasditen e 14 shtatorit nga Bruseli, u la anash dhe vëmendjen e mori tema e përgjithshme: dështimi i takimit pa një dakordim mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, pas mjegullnajës së madhe dhe propagandës së pushtetit që mospajtimet e Kurtit i paraqitën si një refuzim të Zajednicës, situata po qartësohet më shumë se përse palët nuk dolën me një dakordim në Bruksel, shkruan Demokracia.com.

Në takimin e 14 shtatorit, që zgjati disa orë, kryeministri Albin Kurti nuk e refuzoi Zajednicën. Ai e ka pranuar themelimin e saj me pranimin e planit franko-gjerman apo Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023).

Por, në takimin e Brukselit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, kryeministri Kurti ka refuzuar vetëm kohën e propozuar nga Bashkimi Evropian se kur duhet ta themelojë Zajednicën / Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kjo është pranuar edhe nga vetë Kurti, në adresimin e tij para gazetarëve, pas përfundimit të takimit.

“Qartë, Neni 10 i Marrëveshjes Bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, të cilët janë të obligueshme dhe valide, e janë 39 sosh gjithsej. Por nuk mundet nga Neni 10, nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikurse qerrja para kuajve, të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Pra, një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, ka thënë Kurti.

“Në këtë takim të nivelit të lartë, unë kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të Aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit”, ka potencuar kryeministri Kurti, i cili ka shprehur indinjatën e tij se ndërmjetësuesit evropianë kanë prezantuar jo një udhërrëfyes për zbatim të marrëveshjes, por një dokument kushtëzimi të Serbisë.

“Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse m’u tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin. Dhe vetëm pas përfundimit të takimit m’u dha një dyfaqësh në anglisht dhe në serbisht në çirilicë, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pra ajo marrëveshja e para 10 vjetëve dhe më pastaj eventualisht do të mund të kalojmë në zbatimin e kësaj Marrëveshjes Bazë”, bëri të ditur Kurti.

Këto akuza kanë nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, duke publikuar Propozimin e tyre në takimin e 14 shtatorit.

Sipas këtij propozimi, vërehet qartë edhe renditja e temave dhe zbatimi i tyre. Në fillim të propozimit të BE-së përmendet krijimi i instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët (Zajednica), më pastaj njohja e dokumenteve të ndërsjella dhe simboleve kombëtare, shpërbërja e strukturave të administruara nga Serbia në Kosovë dhe tranzicioni i tyre në instrumentin e vetëmenaxhimit si dhe nisja e negociatave për marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Ky propozim, që është paraqitur nga BE-ja si kompromis për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) është refuzuar nga Kurti dhe është pranuar nga Vuçiq.

Shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, që ka ndërmjetësuar takimin, u ka treguar gazetarëve se Kurti ka kërkuar zbatimin e aspekteve politike fillimisht, ndërsa Beogradi themelimin e Asociacionit.

“Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de-facto [e Kosovës] si hap i parë”, ka thënë Borrell.

Pavarësisht këtij insistimi, Kurti është nxjerrë zbuluar nga zëvendësi i tij në Qeveri, Besnik Bislimi, i cili 5 ditë para takimit ka thënë për Danasin serb se me Marrëveshjen Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023), në zbatimin e së cilës këmbëngulë kryeministri Kurti, Kosova ka bërë një lëshim të madh pasi aty nuk ka njohje formale nga Serbia. Kjo deklaratë nga e cila tani po mundohet të tërhiqet, duke e quajtur shtrembërim të mediave, ishte publikuar e përkthyer nga vetë ai dhe Zyra e Kryeministrit.

Bislimi për Marrëveshjen e Ohrit: S’ka njohje formale, lëshim i madh i Kosovës

Përplasja | Kurti këmbëngulë se në marrëveshjen që ka pranuar ka njohje de-facto nga Serbia, Bislimi thotë se hoqëm dorë

Ndryshe, kryeministri Kurti ka mbajtur edhe një konferencë tjetër në Prishtinë, pasi është kthyer nga Brukseli. Paraditen e së hënës, ai ka drejtuar një numër akuzash në adresë të emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, si një ndërmjetësues që po punon kundër Kosovës dhe në favor të Serbisë.

“Unë të nesërmen, më 15 shtator, i kam dërguar letër sqaruese Parisit, Berlinit, Romës dhe Uashingtonit. Nga Parisi dhe Berlini e kanë konfirmuar që i kanë pranuar. Pra i kam dërguar letër kancelarit Scholz, presidentit Macron, kryeministres Meloni dhe sekretarit Blinken. Këtu kemi të bëjmë me një emisar që e ka deformuar procesin, duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike, por duke lejuar që qerrja të vihet para kalit, që Asociacioni njëherë e pastaj shohim. Dhe ky deformim i procesit, i zbatimit, është i shoqëruar edhe me një padrejtësi fundamentale”, ka thënë Kurti më 18 shtator 2023. /Demokracia.com/

Të ngjashme