Lajme
E shkeli Kushtetutën, por Nagavci sërish thotë se e kreu obligimin e saj kushtetues
Demokracia
20:16 | 08 Prill 2022

Share:

Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës ka gjetur se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që drejtohet nga Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hidhte poshtë reformën e ndërmarrë nga ish kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Por, pavarësisht që Nagavci shkeli Kushtetutën e Kosovës, kjo shkelje asaj nuk i bën fare përshtypje dhe sërish thirret në obligimin e saj kushtetues për veprimin e ndërmarrë.

“Është obligimi im kushtetues, profesional e moral që të angazhohem për realizimin e të drejtës për arsim për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh ku ata jetojnë”, ka shkruar ndër të tjera Nagavci.

Ky është postimi i plotë i ministres Arbërie Nagavci:

E drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet asnjë fëmije, nga askush. Është obligimi im kushtetues, profesional e moral që të angazhohem për realizimin e të drejtës për arsim për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh ku ata jetojnë.

Vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar, për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës e kam marrë pasi dështuan të gjitha përpjekjet që një hap i tillë të ndërmirret nga kryetari i Komunës. Si Qeveri kemi obligim të sigurojmë vijimin e shkollës për të gjithë nxënësit dhe nuk mund të lejojmë që ata të bëhen peng i mosmarrëveshjeve në mes të Kryetarit të Komunës dhe komunitetit ku jetojnë.

Me marrjen e vendimit për mësim të përshpejtuar, 441 fëmijë në Komunën e Kamenicës janë rikthyer në bankat shkollore pas më shumë se 7 muajve. Rreth 100 nxënës të fshatit Busavatë për dy vite nuk kanë vijuar mësimin. Kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, është papërgjegjësi, është e patolerueshme dhe e pafalshme.

Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve. Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste. /Demokracia.com/

Të ngjashme