Sport
Dy referë kosovarë dyshohen për përfshirje në kurdisje të ndeshjeve të hedbollit
Demokracia
14:31 | 12 Korrik 2023

Share:

Televizioni danez, “TV 2” e ka publikuar sot një shkrim, i cili i implikon dy gjyqtarët kosovarë të hendbollit, Erdoan Vitaku dhe Arsim Vitaku për kurdisje të supozuar të ndeshjeve ndërkombëtare.

Sipas këtij televizioni, gjithçka nisi kur dyshja nga Kosova e drejtoi ndeshjen mes GOG dhe Kadetten Schaffhausen në vitin 2020, përcjell “Gazeta Express”.

GOG e humbi ndeshjen me një gol disavantazh pasi e pësoi një gol në sekondat e fundit, ndërsa Federata Evropiane e Hendbollit e hetoi këtë ndeshje për kurdisje eventuale.

Pak orë para se të niste kjo lojë, kompanitë e basteve e bllokuan atë dhe nuk pranuan që njerëzit të vinin baste.

Gjyqtarëve megjithatë u ishte besuar kjo lojë përkundër disa paralajmërimeve.

Ish-trajneri i GOG, Ncolej Krickau është i bindur se ajo ndeshje ishte pjesë e kurdisjeve.

Ai e kishte hedhur dyshimin e tij edhe në atë kohë për paraqitjen e referëve.

“Në 20 minutat e fundit ne na duhej t’i shikonim vazhdimisht referët dhe ju thoshim se ‘çka jeni duke bërë’. Sepse, besimi ne ta kishte mbaruar”, thekoi ai.

Edhe pse EHF-ja e kishte mbyllur këtë rast, të cilin e kishte hetuar vetë, një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në vjeshtën e vitit 2022 dhe sërish këtë vit në muajin janar.

Përsëri, protagonistë ishin referët Vitaku nga Kosova, përcjell “Gazeta Express”.

Ata i drejtuan ndeshjet e dyshimta, atë kualifikuese të Kampionatit Evropian 2024 mes Holandës dhe Belgjikës, dhe atë të Ligës së Kampionëve mes Kastamonu dhe Metz, të cilat janë përmendur si të dyshimta për kurdisje edhe në serinë e dokumentareve “Ndeshjet e Dyshimta”.

“TV 2” raporton tutje se dyshja e referëve ishte në listën e zezë të disa kompanive të basteve, ndërsa sa herë që janë emëruar ata për ta drejtuar një lojë, ndizej “alarmi i kuq”.

Mediumi danez thotë se i ka kontaktuar të dy referët, të cilët e kanë hedhur poshtë çdo përfshirje në ndeshje të kurdisura.

Arsim Vitaku thotë se as që e di se përse ai dhe kolegu Erdoan Vitaku nuk gjykojnë ndeshje që nga janari i këtij viti.

Sipas tij, nuk ka pasur asnjë kontakt apo sqarim nga ana e EHF-it.

Dyshimet për kurdisje janë bërë të zakonshme në sportin kosovar, përcjell “Gazeta Express”.

Në futboll ndodh çdo vit një gjë e tillë, sidomos në pjesën pranverore të sezonit, ndërsa së fundmi për dyshimin e përfshirjes në kurdisje u arrestuan referi i basketbollit, Daut Mehmeti dhe trajneri Arbnor Rifati.

E sot, në “listë të zezë” hyri edhe hendbolli kosovar me dyshimin për përfshirje në kurdisje të dy referëve ndërkombëtarë, Erdoan e Arsim Vitaku.

Të ngjashme