Sport
Dukagjini apo Malisheva në barazh, njohësi i futbollit favorizon këtë skuadër
Demokracia
13:33 | 17 Maj 2022

Share:

Të dielën i vihet perdja edicionit të sivjetmë në futbollin kosovar. Ballkani është kampion i ri, ndërsa në garat ndërkombëtare do të luajnë edhe Gjilani, Drita dhe Llapi, shkruan Demokracia.com.

Nga Liga direkt kanë rënë Feronikeli e Ulpiana dhe dilema e vetme ka mbetur barazhi. Katër skuadra janë të kërcënuara, Prishtina, Drenica, Dukagjini e Malisheve. Dy të parat duken më të favorizuara pasi kanë shanse të mira të marrin pikë ndaj Llapit përkatësisht Feronikelit. Pikëpyetja më e madhe është Malisheva apo Dukagjini. Fati ka dashur që të dyja skuadrat të luajnë ndërmjet vete në ndeshjen e fundit ku edhe do të përcaktohet gjithçka.

Njohësi i mirë i futbollit tonë, ish-futbollisti tash trajner Genc Sermaxhaj e ka favorizuar Dukagjinin kjo pasi skuadrës së Armend Dallkut i konvenon edhe barazimi, derisa Malisheva shpëtimin e vetëm e ka të fitorja

“Ndeshja ndërmjet Malishevës e Dukagjinit është ndeshja përcaktuese se cila nga këto të mbetet ne ndeshjen e barazhit, por duke mos e harruar edhe ndeshjet Drenica e Prishtina që kanë përparësi në renditje dhe pikë. Malisheva duhet të kërkojë me çdo kusht fitoren e cila është mundësia e vetme që t’a mbaj jashtë barazhit, ndërsa Dukagjini e ka paksa më të lehtë presionin sepse edhe barazimi i ndihmon. Pra Malisheva ka vetëm një mundësi ndërsa Dukagjini dy”, ka thënë fillimisht Sermaxhaj për Demokracia.com, duke shtuar.

“Ndeshje e vështirë dhe me ngarkesë për të dyja, por më shumë përparësi i jap Dukagjinit sepse ka ekip më të mirë se sa Malisheva dhe gjithashtu është në një formë të mirë ndeshjet e fundit ku gjashtë të fundit i ka fituar.

Gjithsesi, është një lojë e paparashikuar ku mund të ndodh gjithçka, dhe të gjitha rezultatet mund të ndodhin”, ka përfunduar Genc Sermaxhaj.

Të kujtojmë sfida Malisheva – Dukagjini luhet të dielën në Malishevë nga ora 15:00. /Demokracia.com

Të ngjashme