Lajme
“Duhet me u bë Qeveri njëherë”: Brutaliteti i Bislimit ndaj Kushtetueses i shqetëson opozitën dhe shoqërinë civile
Demokracia
23:33 | 07 Shkurt 2024

Share:

Sulmet brutale të Zëvendës Kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, ndaj Gjykatë Kushtetuese nuk kanë të ndalur dhe veçse po vinë duke u zmadhuar.

Ai sërish sot ka vazhduar përpjekjen për të denigruar kredibilitetin e gardianit të Kushtetutës së Kosovës, duke e portretizuar atë si rival politik të Qeverisë.

Deklarimet e të dytit të qeverisë në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal kanë nxitur reagime të ashpra nga shoqëria civile dhe opozita.

Sipas tyre, pretendimet e numrit dy të qeverisë janë të dëmshme për demokracinë.

Analisti Albert Krasniqi ka kërkuar që të ndalen menjëherë sulmet e pushtetit ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se përpjekjet për të paraqitur këtë gjykatë si një rival të Qeverisë janë të dëmshme për demokracinë.

Sulmet e organizuara ndaj Gjykatës Kushtetuese nga zyrtarët e Qeverisë duhet të ndalen menjëherë! Përpjekjet për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese dhe për ta paraqitur atë si një rival të Qeverisë janë të dëmshme për demokracinë dhe për rendin kushtetues të Republikës. Gjykata nuk është parti politike opozitare që synon të fitojë vota, por është institucion mbrojtës i Kushtetutës nga vendimet e gabuara të Qeverisë dhe, ndonjëherë, qëllimkëqija”, ka shkruar Krasniqi.

I shqetësuar me qëndrimet e Bislimit është shprehur edhe koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë (KQM), Përparim Gruda.

Ai ka bërë me dije se deklarime të tilla mund të dëgjohen nga autokratë që qëllimet e tyre i kanë mbi kushtetutën.

Në profilin e tij në “Facebook”, Gruda ka shkruar sulmet ndaj kësaj gjykate tregojnë se si e sheh Qeveria Kurti Kushtetutën dhe ligjet.

Kjo deklaratë tregon gjithçka për mënyrën se si e sheh kjo qeveri Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Deklarata të tilla mund të dëgjohen vetëm nga udhëheqës autokratikë ose populistë, të cilët vendosin qëllimet e tyre politike mbi interesat e shtetit dhe, si rrjedhojë, mbi Kushtetutën”, ka shkruar Gruda.

Ndërsa, gazetari Parim Olluri gjuhen e Bislimit e ka krahasuar me atë të zyrtarëve të federatës ruse.

Një sulm brutal kundër demokracisë e Gjykatës Kushtetuese e ka bërë sot Besnik Bislimi. Përmbajtja e fjalive të tij është e frikshme. Ato fjalë thuhen vetëm në vende jodemokratike. Dukej si me fol ndonjë zyrtar i Federatës Ruse”, ka shkruar Olluri në profilin e tij në “Facebook”.

Brutaliteti i Bislimit ndaj Kushtetueses

Sulmi i sotëm i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, kundër Gjykatës Kushtetuese, ka qenë tjetër nivel.

Për herë të parë, ai këtë institucion të pavarur e ka konsideruar si rival politik të Qeverisë.

Derisa ai ka prezantuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, deputetët opozitës kanë paralajmëruar se këtë projektligj do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Kjo i ka mjaftuar Bislimit për të nisur sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ky institucion nuk mund të vendos për gjithçka.

Në zgjedhjet subjektet garojnë me platformë dhe program dhe pasi ti fitojnë zgjedhjet, partia përmes qeverisë mundohet me i shty ato. Me thanë që për mua Ligji është ligj vetëm kur të thotë Gjykata Kushtetuese, është me pretendua që qeveria e vërtetë është Kushtetuesja e jo Qeveria. Janë role të ndara. S’është qeveri paralele. Nesër keni me përfunduar tu thanë nesër vij në orën 8 se gjykata Kushtetuese thotë. Nuk bën me vesh Kushtetuesen me kompetenca të cilat nuk i takojnë. Sot kushtetuesja po e vendos edhe sa duhet me qenë koeficienti. Nesër thotë jo edhe buxheti duhet me kanë kaq. S’mundet Kushtetuesja me vendos sa është paga e zv.kryeministrit.” ka thënë Bislimi.

Më tej, ai ka vlerësuar se nëse Kushtetuesja dëshiron të vendos për gjithçka, ajo duhet të bëhet së pari Qeveri.

“Duhet me u bë Qeveri njëherë, me dalë me kërku vota te qytetarët si Gjykatë Kushtetuese, tani me thënë unë e caktoj pagën e deputetit, unë vendosi a ka me i pasë KPM shtatë anëtarë apo 11 anëtarë. Nuk mundet me vendosë, Qeveria vendosë”, është shprehur Bislimi.

Ky nuk është sulmi i parë që Bislimi ia ka bërë Gjykatës Kushtetuese në këtë vit.

Në fillim të muajit janar, një intervistë për “Radio Gorazhdecin”, ai kishte thënë se kjo gjykatë nuk ka kredibilitet dhe nxjerr vendime kontradiktore.

Gjykata jonë Kushtetuese njihet për prodhim të dokumenteve kontroverse në vendime dhe këtë e shohim në baza ditore. Sepse ne besojmë se atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti, dhe ky nuk është i vetmi vendim i Gjykatës që nuk ka mundur të zbatohet në të kaluarën, për shembull, Gjykata ka prodhuar një dokument tjetër, një vendim tjetër, që pak a shumë njeh kërkesën e punëtorëve të një kompanie të privatizuar në Ferizaj në vlerë prej 22 milionë euro, ndërsa në të njëjtën kohë, ligji thotë se nuk mund të kompensohen punëtorët më shumë se 80% për qind të vlerës së shitur të firmës, që ka qenë 5 milionë”, është shprehur Bislimi.

Për shkak të rrëzimit të shumë ligjeve të mbështetura nga Qeveria, Gjykata Kushtetuese ka qenë objekt i shumë kritikave edhe të kryeministrit Albin Kurti, Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe zyrtarëve tjerë të VV-së.

Të ngjashme