Sport
Drita për ranglistën e UEFA-s: Falë paraqitjeve tona, Kosova do të paraqitet me katër ekipe në Evropë
Demokracia
12:57 | 18 Prill 2022

Share:

Drita FC ka reaguar rreth ranglistës së re të UEFA-s për klube në Evropë.

Drita mbetet klubi me më së shumti pikë në vend, duke u renditur në pozitën e 254 me 5 mijë pikë në ranglistën e UEFA-s, shkruan Demokracia.com.

E dyta në ranglistë nga futbolli i Kosovës renditet Prishtina, kampionia në fuqi e Kosovës që zë vendin e 281 me 4 mijë e 250 pikë.

Ranglista e re e UEFA-s për klube: Drita “bën ligjin” në Kosovë, lë pas katër skuadrat e Superligës

Klubi nga Anamorava ka reaguar në faqen zyrtare në Facebook, duke theksuar të arriturat në garat evropiane si klub.

Sipas njoftimit, Drita mburret duke theksuar se falë paraqitjeve të tyre, Kosova tani do të paraqitet me katër skuadra në garat evropiane.

Kujtojmë se vendi i parë, vendi i dytë, vendi i tretë dhe fituesi i Kupës marrin pjesë në garat evropiane.

Postimi i plotë i Dritës:

FC DRITA vazhdon të mbetet klubi më i mirë nga Kosova në Evropë

Në ranglistën e shtëpisë më të madhe të futbollit evropian, UEFA, klubi ynë FC DRITA vazhdon të mbetet klubi me pozitën më të mirë nga Kosova.

FC DRITA zë pozitën 254 me koeficient 5000, duke e konfirmuar edhe njëherë se FC DRITA vazhdon të jetë një nga klubet shqiptare me pozitën më të lartë në renditjen evropiane për klube.

Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme, DRITA në pjesëmarrjet në garat evropiane në edicionin 2018/19 grumbulloi 1500 pikë (pozita 372), 2000 pikë në garat e edicionit 2020/2021(pozita 296) dhe 1500 të tjera në pjesëmarrjen e viti 2021/22 (pozita 246).

Ecuria e klubit tonë dhe skuadrave kosovare ka ndikuar edhe në renditjen e Kosovës, duke e ngritur atë për 4 shkallë në pozitën e 39-të, me 8 mijë e 167 pikë.

Falë paraqitjeve tona të mira në edicionin garues 2022/23, Kosova do të paraqitet me 4 ekipe në garat evropiane: kampioni, fituesi i Kupës, vendi i dytë dhe vendi i tretë në Superligë./Demokracia.com/

Të ngjashme