Lajme
U zgjodh me vota të VV’së, kryetari i bordit as qëndrim e as takim me anëtarët për deklarimin skandaloz të Dimal Bashës në RTK
Demokracia
16:53 | 06 Maj 2024

Share:

Të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kishin poentuar me pikë maksimale (30) Besnik Boletinin, kryetarin aktual të bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të televizionit publik. Boletini bashkë me bordin s’kanë pasur ndonjë qëndrim apo marrë ndonjë masë lidhur me deklaratën skandaloze të deputetit të VV’së, Dimal Bashës në televizionin publik, i cili krahasoi RTK-në me Radio Televizionin e Serbisë (RTS) gjatë intervistës në studiot e televizionit publik.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në Ditën Botërore të Lirisë së Shprehjes (4 maj) e kishte intimiduar gazetaren e RTK’së, Blerta Foniqi – Kabashi, kur ishte pyetur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shkruan Gazeta Insajderi.

“Për besë unë e shoh qysh e shoh secili shqiptar. Në RTS-in e Serbisë ata mujnë me pas shqetësim kryesor Asociacionin. Në RTK-në e Kosovës nuk duhet me kanë veç Asociacioni…A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova? Pse po e bën temë a duhet me bë Asociacionin a jo? Na e dimë çka është tema kryesore”, deklaroi ai para dy ditësh.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me kryetarin e bordit të RTK’së, Besnik Boletinin, për ta pyetur lidhur me qëndrimin e bordit që ai udhëheq karshi deklaratave që mëtojnë disiplinimin e mediave, të dhëna nga studio e televizionit publik. Boletini ka thënë se për këtë rast është deklaruar drejtori i RTK’së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ndërsa kur është pyetur nëse bordi është në një linjë me atë deklaratë, ai ka thënë se është në ditë pushimi.

“Ka japë qëndrim RTK’ja për këtë çështje, ka japë drejtori i përgjithshëm, kështu që nuk është që kena me u çu krejt për me jep… Nuk është që kena diskutu për këtë çështje sepse jam në ditë pushimi dhe me të thënë të drejtën nuk është që i kam përcjellë çka ka ndodh, por kam pa që kanë reagu udhëheqësit e televizionit, kështu që na si bord nuk është që jena mbledh për këtë çështje. Nuk është temë diskutimi këto ditë sepse s’kemi pasë mbledhje, veç i kam përcjell sipërfaqësisht që ka pasur reagime”, ka deklaruar Boletini për Insajderin.

Drejtori i RTK’së, Shkumbin Ahmetxhekaj, e ka parë sulm të drejtpërdrejt në pavarësinë e mediumit deklaratën e Bashës.

“Ndërtimi i narracionit që kushdo që raporton ndryshe nga bindjet politike të tjetrit është me Serbinë dhe RTS-in, është sulm i drejtpërdrejt mbi punën dhe angazhimin tonë të përditshëm”, ka deklaruar ai.

“Paradoksalisht, në ditën e lirisë së medias, një deputet nga partia në pushtet, nga studio e RTK-së, bën një kualifikim të tillë, duke na krahasuar me RTS-in. Dhe pse? Sepse redaktorja Blerta Foniqi-Kabashi e pyet deputetin Dimal Basha për një kërkesë të parashtruar publikisht nga partnerët e Kosovës. Krahasim me RTS-in kishte bërë para pak muajsh edhe deputeti i PDK-së Ardian Kastrati në një studio të një mediumi privat, ndërkaq diskurs i tillë është përdorur edhe në raste më të izoluara”, deklaroi ndër të tjera drejtori i RTK’së.

Boletini kishte marrë pikët maksimale nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje pjesëmarrës në komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e bordit të RTK’së.

Karshi deklaratës skandaloze të Bashës ka pasur reagime të shumta. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). AGK-ja tha se dënon intimidimin publik të deputetit, Dimal Basha ndaj gazetares së RTK-së.

Pas këtij reagimi, deputeti Basha kishte bërë një kundër-reagim ndaj AGK’së me gjuhë nxitëse në drejtim të Asociacionit dhe RTK’së.

“Se di a e keni vërejtë se edhe kur Lajçak dhe Eskobar vijnë këtu, pjesa më e madhe e gazetarëve, pyetjen e vetme e kanë se “a do të zbatohet asociacioni,” “a do të ketë masa nëse nuk bëhet asociacioni…. “ Asnjë pyetje për 38 marrëveshjet tjera? As për shkeljet e Serbisë! As për të pagjeturit! As për diskriminimin e shqiptarëve në Luginë! Pra këtë fenomen e gjeni shumë më të theksuar tek plotë gazetarë, por unë mendoj që mediumi publik që paguhet me taksa të qytetarëve duhet të ketë qasje tjetër! Si na qenka kjo kritikë e imja intimidim?!”, deklaronte ndër të tjera ai.

Kundër Bashës ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, duke i thënë në shqip “BOLL MA”.

“Zoti Basha, ju kërkoj të ndaloni së intimiduarit dhe përpjekjet për të diskredituar gazetarët dhe organizatën e gazetarëve. Mjaft është mjaaft. Apo duhet të flas në gjuhën tuaj: BOLL MA. Kjo është e papranueshme në vendet demokratike”, tha në një shkrim të tijin në ‘Facebook’ Gutierrez.

Ai ka thënë se kjo sjellje po dëmton reputacionin e Kosovës në kohën kur shteti po synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Sekretari i EFJ-së i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që anëtarët e partisë së tij të ndalin sulmet ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Të ngjashme