Lajme
Drejtoresha e laboratorit ku u zhdukën mostrat e Astrit Deharit, vazhdon të lëshojë raporte pa licencë
Demokracia
15:50 | 16 Prill 2023

Share:

Udhëheqësja e laboratorit të toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Flutura Goga, po vazhdon të lëshojë raporte e të bëj analiza të gjakut e urinës pa pasur licencë nga Inspektorati Shëndetësor.

Goga që udhëheqë me laboratorin ku u zhdukën mostrat e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, pavarësisht një raporti nga Inspektorati Shëndetësor ku thuhej se nuk është e licencuar t’i kryejë këto shërbime, ajo ka vazhduar punën normalisht.

Gazeta Nacionale ka siguruar disa raporte nga sinjalizues të ndryshëm, raporte që janë hartuar nga Flutura Goga, e ku dëshmohet se raporti i nxjerrë nga Inspektorati Shëndetësor nuk është marre fare parasysh. Aty shihet emri, mbiemri dhe nënshkrimi i Goga-Bajramit.

Një nga raportet e drejtoreshës së laboratorit të Toksikologjisë, e ka datën e prillit 2023. Pra, gati 4 muaj pasi Inspektorati Shëndetësor kishte konstatuar se e njëjta nuk është e licencuar të realizojë këto analiza.

Nga raportet e siguruara nga sinjalizuesit, shihet se raportet që mbajnë emrin e Gogës, përfshijnë edhe analiza të gjakut e të urinës, për të cilat sipas Ligjit për Shëndetësi në Kosovë, kërkohet licencë.

“Meqenëse përpunimi i gjakut dhe urines konsiderohet si shërbim shëndetësor atëherë neni 71 i Ligjit nr 04/L-125 Për Shëndetësi e ka paraparë licencimin e profesionistëve shëndetësorë sipas profileve të përcaktuara në nenin 69 të këtij ligji, ndërsa në paragrafin 4 të nenit 71 të këtij Ligji shprehimisht thuhet: ‘Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licencës’”, thuhej në raportin e Inspektoratit Shëndetësor.

Gazeta tash e disa muaj ka drejtuar pyetje në Institutin e Mjekësisë Ligjore lidhur me këtë temë, por të njëjtit asnjëherë nuk kanë kthyer përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer lidhur me rastin e Flutura Gogës as Ministria e Drejtësisë. Pavarësisht se raporti i Inspektoratit Shëndetësor për të cilin kishte raportuar gazeta Nacionale, i ishte drejtuar kësaj ministre. Kjo pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore është institucion në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Flutura Goga ka qenë një nga personat e suspenduar lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, që më pas ishte rikthyer në punë nga Komisioni i Ankesave.

Çfarë kishte gjetur Inspektorati?

Në fundin e vitit 2022 një inspektim ishte kryer brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore. Aty cak ishte drejtoresha e laboratorit të Toksikologjisë, Flutura Goga. Rezultatet e atij inspektimi dolën tek në janar të vitit 2023. Rezultati nga Inspektorati Shëndetësor ishte se Flutura Goga po bënte analiza të gjakut e urinës pa pasur licencë. Kështu duke e shkelur Ligjin për Shëndetësi,

Flutura Goga-Bajrami ishte përzgjedhur nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe si drejtoreshë e komplet Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ndodhi kjo një ditë para se të zhdukeshin mostrat e Astrit Deharit.

Inspektorati Shëndetësor ka gjetur se përpunimi i gjakut dhe urinës konsiderohet shërbim shëndetësor, e që sipas Ligjit për Shëndetësi kërkohet licencë. Në raportin e Inspektoratit Shëndetësor thuhet se Goga-Bajrami nuk ka poseduar licencë për kryerjen e këtyre punëve.

“Është konstatuar se Znj Flutra Goga -Bajrami ishte e punësuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore gjegjësisht në Labaratorin e Toksikologjisë si udhëheqëse ku edhe përpunonte analizat toksikologjike për kufoma, por në raste të veçanta edhe persona të gjallë (viktimat të dhunës fizike dhe seksuale) përpunonte gjak dhe urine”, thuhet në këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor.

“Meqenëse përpunimi i gjakut dhe urines konsiderohet si shërbim shëndetësor atëherë neni 71 i Ligjit nr 04/L-125 Për Shëndetësi e ka paraparë licencimin e profesionistëve shëndetësorë sipas profileve të përcaktuara në nenin 69 të këtij ligji, ndërsa në paragrafin 4 të nenit 71 të këtij Ligji shprehimisht thuhet: ‘Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licensës’”, thuhet më tutje në këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor.

Ky raport i ishte dërguar Ministrisë së Drejtësisë, por që nuk dihet nëse është ndërmarrë ndonjë masë për këtë çështje.

Kryerja e shërbimeve shëndetësore pa licencë, ashtu siç ka konstatuar Inspektorati Shëndetësor në rastin e Flutura Goga-Bajramit, është e rregulluar me Ligjin për Shëndetësi.

Në mesin e profileve shëndetësore të përcaktuara në këtë ligj është edhe laboranti i lartë mjekësor. Kjo është e rregulluar me nenin 69 të Ligjit për Shëndetësi, i cili flet për profesionistët shëndetësorë.

Neni 71 i Ligjit për Shëndetësi në anën tjetër tregon se licencimi bëhet nga Oda përkatëse e profesionistëve shëndetësorë. E paragrafi katër i këtij neni, flet se shërbimet shëndetësore mund të ofrohen vetëm pas marrjes së licencës.

“Licencimi i profesionistit shëndetësor bëhet nga Oda përkatëse e profesionistëve shëndetësorë, në pajtim me këtë ligj. Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licencës”, thuhet në Ligjin për Shëndetësi.

Ligji gjithashtu parasheh edhe sanksione lidhur me kryerjen e punëve pa pasur licencë nga oda përkatëse shëndetësore. Megjithatë, në këtë rast pasi IML-ja funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka qenë e pamundur shqiptimi i gjobës.

Institucionet e tjera shëndetësore në këto raste mund të dënohen nga dy mijë deri në tetë mijë euro.

“Institucioni shёndetёsor dënohet me gjobë prej dymijë (2.000) deri në tetëmijë (8.000) Euro për shkelje administrative dhe për kundërvajtje, në rastet në vijim: 1.3. ushtron veprimtarinë pa licencë valide të punës duke shkelë paragrafin 1. të nenit 42 të këtij ligji”, thuhet në ligj.

Kurse, profesionisti shëndetësor dënohet nga 1 mijë deri në 2 mijë euro në rast kur punon pa licencë valide.

“Profesionisti shёndetёsor dënohet me gjobë prej njëmijë (1000) deri në dymijë (2.000) Euro në rastet e kundërvajtjeve, kur: 4.3. ushtron veprimtarinë shëndetësore pa licencë valide të punës në kundërshtim me paragrafin 3. të nenit 71 të këtij ligji”, thuhet në ligj.

Një pjesë e mostrave të Astrit Deharit ishin gjetur më pas në një nga frigoriferët që nuk monitorohet nga kamerat brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore. Megjithatë, pjesa kryesore e mostrave ende mungon. Për këtë, ka pasur dhe ende po zhvillohet një hetim nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Nga Prokuroria janë intervistuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zyrtarë të tjerë në Ministrinë e Drejtësisë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërkohë, katër personat e suspenduar lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, ishin kthyer në punë disa ditë më pas nga Komisioni i Ankesave.

Të ngjashme