Lajme
DOKUMENTE | “TRAINKOS” e shkel ligjin veç për 35 mijë euro
Demokracia
15:26 | 27 Prill 2024

Share:

Ndërmarrja Publike nën menaxhimin e Qeverisë së Kosovës, “TRAINKOS” SH.A., e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) për të lidhur kontratë me një kompani për riparimin e disa vagonëve, shkruan Demokracia.com.

“Trainkos” është një kompani nën menaxhimin qeveritar që merret me transportin e mallrave brenda dhe jashtë Kosovës, transportin e udhëtarëve brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe mirëmbajtjen e vagonëve.

Asaj i është shfaqur nevoja që të bëjë riaprimin e disa vagonëve. Për këtë shpalli tenderin “Riparimi i mesëm i vagonëve të transportit të udhëtareve”. Vlera e parashikuar e kontratës është 388,000.00 euro.

Për kontratë është rekomanduar kompania “Profitech” SH.P.K., me ofertë 423,100.02 euro, shkruan Demokracia.com.

Pra, siç shihet, vlera e kontratës pritet të jetë për 35 mijë euro më e lartë se parashikimi i ndërmarrjes qeveritare.

Ligji i Prokurimit Publik ka paraparë që në situatën kur vlera e ofertës është më e lartë se parashikimi duhet të anulohet tenderi dhe më pas të shtohen mjetet e tjera dhe të hapet tender i ri. Mirëpo, ndërmarrja ka vendosur që të rekomandoi kompaninë “Profitech” për kontratë, pasi e kishte edhe si të vetmen kontratë.

Neni 62 i Ligjit të Prokurimit flet për “Përfundimin e Aktivitetit të Prokurimit” dhe aty është caktuar qartë se në këtë rast duhet të anulohet procedura e prokurimit.

  1. Autoriteti kontraktues mund të përfundojë atë aktivitet të prokurimit, i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: “1.2. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në pikën 1.2 të nenit 62.

Edhe Rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, neni 43 flet për “Ndërprerjen e procedurave të prokurimit”.

“43.7 Procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave mund të anulohet për arsyen e mëposhtme:

  1. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK. Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”.

Ky është një standard i dyfishtë nga institucionet qeveritare. Kjo ngase para pak muajve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari, ka shpallur tre tenderë të ndryshëm për furnizim me rezerva shtetërore. Përmes tyre do të blihet grurë, produkte të ndryshme ushqimore, batanije e thasë për fjetje.

Por, tashmë dy nga tenderët kanë dështuar. Bëhet fjalë për tenderin për furnizim me grurë dhe me gjëra ushqimore. Njëri edhe pse ka pasur ofertë të përgjegjshme ka dështuar, sepse ka pasur ofertë vetëm për 10 mijë euro më të shtrejtë sesa vlera e parashikuar e kontratës.

Edhe Ministria e Arsimit në vitin e kaluar e kishte dështuar tenderin për furnizim me libra, anise ishte me negocim, me arsyetimin se ofertat ishin më të larta sesa parashikimi i ministrisë, MASHT ka mundur të zhvillojë negociata për ta ulur çmimin. /Demokracia.com/

Të ngjashme