Lajme
DOKUMENTE | Shteti i la dy vite ushtarët pa çizme, OSHP-ja i “hëngri” fjalët për masa ndaj menaxherit të prokurimit
Demokracia
21:03 | 22 Mars 2024

Share:

Këmba e ushtarit të Kosovës është bërë shumë zor që të mbathet prej shtetit. Për rreth dy vite, Ministria e Mbrojtjes për shkak të procedurave të prokurimit i la me të mbathura të vjetra dhe të shqyera ushtarët e saj. Një kontratë për furnizim me çizme është nënshkruar vetëm para dy ditëve. Pse ka pasur vonesa, Demokracia.com sjell detaje.

Ushtarit të Kosovës nuk do të duhej t’i interesonte se ku kanë mbetur procedurat e prokurimit për këpucë. Ai thjesht i do këpucët pa asnjë defekt kur t’i mbathë në mëngjes. Kështu nuk ka ndodhur muajve të fundit me ushtarët e Kosovës. Një numër i konsiderueshëm i tyre kanë kryer aktivitete ditore me çizme të shqyera ose të deformuara.

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë kontratë në vlerë prej 1 milion e 887 mijë euro për furnizim me çizme ushtarake për nevoja të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar në e-prokurim, përmes kësaj kontrate parashihet furnizimi me çizme verore dhe dimërore për 3 vjet. Saktësisht parashihet furnizimi me 17 mijë palë çizme ushtarake, që sipas një përllogaritje i bie 111 euro për një palë.

“AK i MM-se ka për qëllim që të lidhë një kontratë kornizë 36 muajsh, me një OE që do të ketë kapacitet ekonomik, teknik dhe profesional të kryejë furnizimet me çizmet ushtarake verore dhe çizme ushtarake dimërore për nevoja të FSK-së, sipas kërkesës dhe nevojave të AK, në perputhje të plotë me specifikat teknike të dhëna në DT aneks 1 (specifikacioni teknik i detyrueshëm). Sasia indikative për furnizime për periudhën kohore prej 36 muaj do të jetë: Çizme verore 8500 palë dhe çizme dimerore 8500 palë, kjo sasi mund të ndryshojë +- 30%”, thuhet në dosjen e tenderit, përcjell Demokracia.com.

Këto furnizime do t’i kryejë grupi i operatorëve ekonomikë “RUNWAY SH.P.K.; GENC TAAHHUT GIYIM TEKSTIL INSAAT SAN.VE. TIC. LTD. STI VKN”.

Për këtë kontratë fillimisht ishin parashikuar 2 milionë euro.

Si nisi procesi i stërzgjatur?

Fillimisht, ministria kishte hapur tender më 5 prill 2022, por pas dy muajve e kishte anuluar në tërsi aktivitetin e prokurimit.

“Arsyetim kërkesat e shumta për sqarime, paraqitja e ankesave të brendshme, si dhe – nevoja për bërjen e ndryshimeve të shpeshta në dosjen e tenderit, për shkak të paqartësive në specifikimet teknike dhe termat e referencave janë një arsye e domosdoshme për anulimin e Njoftimit për Kontratë të këtij aktiviteti të prokurimit. AK do ti rishqyrtojë të gjitha kërkesat për sqarime dhe do hartojë një paketë specifikimesh koncize dhe të qarta dhe të pasqyrojnë me saktësi që është një kusht paraprak që të gjitha palët e interesit, ofertuesit t’i përgjigjen me realitet dhe konkurrencë kërkesave të Autoritetit Kontraktues”, thuhej në arsyetimin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit më 13 qershor 2022.

Më pas, më 1 gusht 2022, ministria ka hapur tender të ri të titulluar “Ri tender – Furnizim me çizme ushtarake” për nevojat e FSK-së, përcjell Demokracia.com.

Ndonëse herën e parë i kishte korrigjuar dy herë gabimet e vendosura në dosje të tenderit dhe kjo kishte qenë arsyeja e anulimit, këtë herë korrigjimi është bërë tri herë bazuar në kërkesat për sqarime, të cilat kompanitë i kishin të paqarta dhe ankoheshin se ishin vendosur kritere në kundërshtim me ligjin.

Më 28 tetor 2022, ministria kishte hapur përfundimisht ofertat dhe ishte konstatuar se kanë garuar 7 kompani.

Më 27 janar 2023, prokurimi i ministrisë ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës, duke rekomanduar grupin e kompanive “Furkan Rada & Ozkan Kundura ve lastik Imalat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi”, në një vlerë prej 1,476,025.00 euro.

Pas këtij vendimi menjëherë në OSHP janë ankuar dy kompani. Bëhet fjalë për ankesën e kompanisë “Solid”, të cilën bordi i OSHP-së e ka miratuar dhe ankesën e kompanisë “Ronway”, të cilën e ka hedhur poshtë.

Meqenëse njëra ankesë është miratuar, OSHP-ja e ka rrëzuar vendimin e ministrisë për dhënie të kontratës dhe e ka autorizuar atë që ta kthejë edhe një herë në rivlerësim. Paneli ka konstatuar se autoriteti kontraktues nuk ka ofruar asnjë dëshmi që oferta e “Solid” është e papërgjegjshme. Ndërsa, ka konsideruar se oferta e rekomanduar për kontratë nuk i ka përmbushur kriteret e kërkuara. (DOKUMENT)

Më pas, Ministria Mbrojtjes e ka pezulluar vendimin e vet për dhënie të kontratës dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim.

Ministria nuk i përfilli rekomandimet e OSHP-së

Pas rivlerësimit, më 13.06.2023 pas procedurës së rivlerësimit, Autoriteti Kontraktues ka publikuar Njoftimin mbi Vendimin përmes të cilit ka shpërblyer me kontratë sërish Grupin e Operatorëve Ekonomikë “Furkan Rada & Ozkan Kundura ve lastik Imalat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi”.

Menjëherë tek Autoriteti Kontraktues janë ankuar përsëri kompanitë e njëjta, “Runway” Sh.P.K dhe “Solid”. Ankesat e tyre janë hedhur poshtë. Më pas ato janë ankuar në OSHP, me pretendimet e njëjta sikurse herën e parë.

Bordi i OSHP-së ka konstatuar se prokurimi i ministrisë nuk ka vepruar sipas rekomandimit të parë të tyre, andaj ka kërkuar që lënda të kthehet përsëri në rivlerësim, sipas kërkesave në gjykimin e parë të kësaj lëndë. Madje, tash Bordi kishte thënë se do të marrë hapa konkretë ndaj menaxherit të prokurimit të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Andaj nga ky kënd i vështrimit, Paneli Shqyrtues konsideron se zyrtari përgjegjës i prokurimit në rastin konkret nuk ka dëshmuar se i plotëson kushtet themelore të kualifikimit sipas nenit 23 të LPP. Kjo për arsye se me rastin e menaxhimit të aktivitetit përkatës të prokurimit ka dëshmuar mungesë të theksuar të profesionalizmit në fushën e prokurimit publik. Për këtë arsye është vendosur edhe sipas pikës IV të dispozitivit në këtë vendim. Prandaj, OSHP do të kërkojë nga KRPP marrjen e masave disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës të prokurimit bazuar në nenin 25 paragrafi 9 i LPP”, thuhet në vendimin e Panelit të OSHP-së të datës 15 shtator 2023. (DOKUMENT)

OSHP gënjen për marrjen e masave ndaj zyrtarit të prokurimit

Demokracia.com ka shikuar në dokumentet e publikuara nga KRPP-ja, nëse OSHP-ja kishte bërë kërkesë që të merren masa ndaj menaxherit të prokurimit, por një gjë e tillë nuk ishte proceduar fare nga Paneli i OSHP-së, anise kishin thënë se do të marrin masa.

Më pas, ministria e ka pezulluar njoftimin e vet për dhënie të kontratës dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim për herën e tretë.

Më 29 nëntor 2023, tash e ka rekomanduar grupin e kompanive me lider kompaninë “Runway”, e cila kishte ofertë rreth 225 mijë euro më të shtrenjtë se kompania e dytë “Solid”. Kompania më e lirë që ishte shpallur fituese dy herë, tash është refuzuar për disa arsye. (Dokument).

Me këtë vendim nuk është pajtuar kompania “Solid”, e cila ishte eliminuar për disa arsye, andaj menjëherë ka parashtruar ankesë, por ajo i është refuzuar. Kompania e njëjtë më pas është ankuar në OSHP. (DOKUMENT)

Paneli i OSHP-së ka nxjerr vendim më 8 mars, ku e ka miratuar pjesërisht ankesën e kompanisë “Solid”, por ka vendosur që ta lë në fuqi vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dhënie të kontratës.

“Paneli ka konstatruar se OE i rekomanduar për kontratë në ofertën e tij fillimisht fare nuk kishte prezantuar A-testet, por vetëm një “katalog”, e cila në përmbajtje kishte rezultate të testimit, mirëpo nuk kishin ofruar asnjë dëshmi (as OE dhe as AK) se të njëjtat ishin bërë nga një laborator i akredituar”, thuhet në vendimin e OSHP-së. (DOKUMENT)

Megjithëkëtë, OSHP-ja ka konstatuar se operatori i shpallur fitues nuk i ka çizmet sipas kërkesës së ministrisë, që lidhëset e tyre të kenë mekanizmin e lidhjes së shpejtë, por ato e kanë mekanizmin e lidhjes më vrima të mbyllura. Kjo, sipas OSHP-së, ndonëse është kriter i paplotësuar është një gjë e vogël në krahasim me dëmin që po i shkaktohet FSK-së, duke pritur çizmet e tyre tash e sa kohë.

“Solid” kishte paraqitur faktet e veta se kompania nga e cila ishin bërë A-testet nuk kishte akreditim ndërkombëtar sipas kërkesave dhe se ministria nuk kishte kurrfarë marrëveshje me të. Por, Paneli i OSHP-së i ka besuar eksperti të tyre, i cili ka thënë se ka licencë ndërkombëtare. Kompania ankuese ka qenë këmbëngulëse se nuk ka dhe as që ka pasur ndonjëherë një licencë të tillë dhe se e njëjta kompani në të kaluarën ishte vërtetuar nga vetë OSHP-ja se kishte dhënë dy rezultate të ndryshme për produktin e njëjtë.

“Përfundimisht bazuar në vlerësimin e tij, paneli pati parasysh se AK në kuptim të nenit 59.4 të LPP-së ka të drejtë të cilësojë ndonjë devijim në ofertat e ofertuesve si “devijim i vogël” tutje pati parasysh faktin që ky aktivitet i prokurimit është iniciuar në vitin 2022 dhe i njëjti ka qenë subjekt i disa ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe ka qenë përcjellë në procedurë rivlerësimi dy herë pranë AK. Andaj paneli shqyrtues ka vendosur t’i japë të drejtë në këtë rast Ministrisë së Mbrojtjes nga cilësia e saj si AK dhe të mbajë në fuqi vendimin e saj. Ky vendim mes tjerash bazohet edhe në nenin 1 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) me qëllim që të parandalohet zgjatja e aktivitetit të prokurimit në pafundësi dhe të sigurohet një zgjidhje sa më efektive për nevojat e Furnizimit me Çizme Ushtarake për nevoja të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK)”, thuhet në vendimin përfundimtar të Panelit të OSHP-së. Pra, ky institucion, siç shihet e ka mbyllur njërin sy, duke lejuar shkelje me arsyetimin se interesi i furnizimit është madhor.

Përfundimisht, prokurimi i ministrisë ka lidhur kontratë me grupin “RUNWAY SH.P.K. & GENC TAAHHUT GIYIM TEKSTIL INSAAT SAN.VE. TIC. LTD. STI VKN”.

Duke parë vonesat e shkaktuara dhe mungesën e çizmeve në stinorin dimëror 2023-2024, MB-ja para disa muajve, fiks më 21 dhjetor 2023 kishte lidhur një kontratë emergjente me procedurë të negociuar me kompaninë Sodex Group SH.P.K. në një vlerë prej 49,995.00. Bëhej fjalë vetëm për një sasi prej 330 palë çizmeve ushtarake dimërore.

Por, edhe këtu ka dyshime nëse kompania ka bërë furnizimin sipas kërkesave të ministrisë. Kjo për shkak se në tenderin e parë të hapur në vitin 2022 edhe kjo kompani kishte garuar, por ishte refuzuar si e papërshtatshme.

Në letrën standarde që i ishte dërguar operatorit ishte thënë se tenderi i ishte refuzuar për shkak se ishte i papërgjegjshëm dhe nuk kishte plotësuar minimumin e kërkesave të kërkuara.

“I papërgjegjshëm nuk ka plotësuar minimumin e kërkesave të përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë, lidhur me aftësinë teknike dhe profesionale dhe është refuzuar për këto arsye: Nuk është në pajtim sipas atesteve laboratorike…”, thuhet në arsyetimin e eliminimit, përcjell Demokracia.com.

Nga e gjithë kjo ngjarje natyrshëm lindin disa pyetje: Kur ka këso vonesash të shkaktuara për furnizim me çizme për ushtarë, a do të duhej të merreshin masa ndaj zyrtarëve të prokurimit? Po ashtu, a duhet që ushtarët e Kosovës për t’u pajisur me çizme t’i nënshtrohen njësoj procedurave të prokurimit, sikurse tenderët e realizuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, që kanë të bëjnë për repilimin e kafshëve apo furnizimi me mekanizëm bujqësor? /Demokracia.com/

Të ngjashme