Lajme
DOKUMENTE | Sekreti i numrave fitues në Komunën e Prishtinës për tenderin që ia dha vëllait të Luan Dalipit
Demokracia
15:10 | 06 Mars 2024

Share:

Komuna e Prishtinës, e cila drejtohet nga kryetari Përparim Rama, para pak ditësh ka shpërblyer me kontratë kompaninë e themeluar nga Luan Dalipi, i cili është shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti. Deri në vitin e kaluar, Dalipi ka qenë nëpunës në “Manag&Development Assiciates LLC”. Në deklarimin e sivjetëm të pasurisë, ai shihet se i ka larguar aksionet dhe tash aty bashkëpronarë është vëllai i tij, Driton Dalipi. Komuna e Prishtinës edhe më tej po e mban të fshehur faktin sesi kjo kompani doli fituese me vetëm një gjysmë pike dallim nga një tjetër ofertues, i cili kishte çmim më të lirë, shkruan Demokracia.com.

Para pak ditësh, Demokracia.com ka raportuar se “Manag&Development Assiciates LLC”, me nënkontraktor “ABKONS” ka dalë fituese e tenderit “Shërbime Këshilluese për Planifikim, Promovim dhe Funksionalizim të Parkut Industrial në Prishtinë”. Çmimi i ofertës ka qenë fiks 389,754.00 euro ose rreth 40 mijë euro më shumë se oferta tjetër e përgjegjshme e “Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë Insi”, me çmim prej 349,890.00 euro.

Përkundër këtij fakti, komuna ka vendosur që ta shpërblejë me kontratë kompaninë në të cilën deri në vitin e kaluar kishte marrë pagë edhe Luan Dalipi.

Arsyeja pse komuna ka menduar ta shpërblejë me kontratë një ofertë me çmim më të shtrenjtë është proceduar me tenderin ekonomikisht më të favorshëm, që është bërë me ‘poentim’. Aty është vlerësuar çmimi dhe ana teknike e ofertës. Çmimi është vlerësuar me 20 pikë. Por, është shumë dyshues rezultati pas mbledhjes së pikëve, sepse oferta e MDA që ka qenë me çmim më të lartë ka marrë 85.84 pikë, ndërsa oferta tjetër 85,33 pikë. Një diferencë kaq e ngushtë rrallë se shihet në prokurimet publike me poentim, ku dallimin e bënë një gjysmë pike dhe në këtë diferencë mbetet të shihet sesi është bërë vlerësimi i anës teknike, sepse jo rrallëherë manipulimet ndodhin pikërisht te ky lloj i vlerësimit.

Pra, fiks 0.51 për qind ose gjysmë pike ka qenë dallimi në mes kompanisë fituese dhe kompanisë në garë që është radhitur në vendin e dytë. Duke parë këtë diferencë kaq të ngushtë, pothuajse e paparë në prokurimet publike, Demokracia.com ka kërkuar qasje në dy raportet e vlerësimit të këtij tenderi për të parë sesi janë mbledhur pikët në tenderin, i cili ka qenë më poentim.

Fillimisht, Komuna e Prishtinës ka refuzuar të lejojë qasje në raportin e vlerësimit. Më pas, Demokracia.com i është drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) dhe ky institucion e ka obliguar komunën që të lejojë qasje në raportin e vlerësimit.

Komuna e Prishtinës para pak ditësh e ka dërguar në adresë të Demokracia.com fazën e dytë të vlerësimit që ka të bëjë me ofertën financiare. Në këtë raport nuk shihet sesi kompania ka bërë mbledhjen e pikëve. Aty thuhet se “komisioni i vlerësimit i përberë nga 3 anëtarët sipas vendimit të datës 20.11.2023 të emëruar për të vlerësuar fazën e dytë (ofertën financiare) për projektin “Shërbime këshilluese për planifikim, promovim dhe funksionalizim të parkut industrial në Prishtinë” konstaton: Oferta me çmimin më të larë është e OE-ik INSI SHPK në vlerë 349,890.00 euro, që pas peshimit me 20% aq sa ka oferta financiare OE-ik i merr në total 20 PIKE, ndërsa oferta më e shtrenjtë e OE-ik MDA 389,754.00 €, pas peshimit del të jetë 17.95 nga gjithsej 20% sa ka qenë oferta financiare. Në bazë të rezultateve të mësipërme komisioni për fazën e dytë – Fazën e dytë – ofertën financiare vlerëson OE-ik INS SHPK me 20 PIKE ndërsa MDA 17.95”.

Më pas, Demokracia.com ka kërkuar qasje të veçantë edhe në Raportin e parë të vlerësimit, atë teknik për të parë sesi janë mbledhur pikët, ku kompania fituese ka rezultuar më gjysmë pike më shumë. Komuna e Prishtinës ka dërguar në adresë të redaksisë një dokument në formatin PDF, i cili është i titulluar “Raporti i vlerësimit të aplikacioneve lista e ngushtë”. As në këtë raport nuk shihen pikët e mbledhura, por vetëm kompanitë që janë kualifikuar në fazën e ngushtë.

Nga ana tjetër, kompania “Instituti i Shkencës dhe i Teknologjisë Insi” nuk ka bërë kërkesë për rishqyrtim (ankesë) në këtë rast. Kompania e njëjtë është rekomanduar nga Komuna e Prishtinës për kontratë në ditën e njëjtë që ishte rekomanduar MDA-ja për kontratë. Bëhet fjalë për tenderin “Masterplani për rigjenerimin i lagjes Kolovicë-Ritender”. Çmim është 169, 000.00 euro. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

“Peshorja” e Komunës së Prishtinës: Krejt për “pak” fiton kompania e themeluar nga shefi i stafit të Albin Kurtit

 

Të ngjashme