Lajme
“Peshorja” e Komunës së Prishtinës: Krejt për “pak” fiton kompania e themeluar nga shefi i stafit të Albin Kurtit
Demokracia
17:22 | 20 Dhjetor 2023

Share:

Deri në vitin e kaluar, Luan Dalipi, i cili është shef i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti ka marrë pagë nga kompania që ka qenë edhe themelues i saj“ Manag&Development Assiciates LLC”. Kjo kompani ka dalë fituese në një tender të organizuar nga Komuna e Prishtinës, shkruan Demokracia.com.

Manag&Development Assiciates LLC”, me nënkontraktor “ABKONS” ka dalë fituese e tenderit “Shërbime Këshilluese për Planifikim, Promovim dhe Funksionalizim të Parkut Industrial në Prishtinë”. Çmimi i ofertës ka qenë fiks 389, 754.00 euro ose rreth 40 mijë euro më shumë se oferta tjetër e përgjegjshme e “Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë Insi”, më çmim prej 349, 890.00 euro.

Përkundër këtij fakti, komuna ka vendosur që të shpërblejë më kontratë kompaninë në të cilën deri në vitin e kaluar kishte marrë pagë edhe Luan Dalipi.

Arsyeja pse komuna ka menduar të shpërblejë më kontratë një ofertë më çmim më të shtrenjtë është proceduar me tenderin ekonomikisht më i favorshëm, që është bërë me ‘poentim’. Është vlerësuar çmimi plus ana teknike e ofertës. Çmimi është vlerësuar më 20 pikë. Por, është shumë dyshuese rezultati pas mbledhjes së pikëve, sepse oferta e MDA që ka qenë me çmim më të lartë, ka marrë 85.84 pikë, ndërsa oferta tjetër 85,33 pikë. Një diferencë kaq e ngushtë rrallë se shihet në prokurimet publike me poentim, ku dallimin e bënë një gjysmë pike dhe në këtë diferencë mbetet të shihet sesi është bërë vlerësimi i anës teknike, sepse jo rrallëherë manipulimet ndodhin bash te ky lloj i vlerësimit.

Mbetet të shihet nëse “Instituti i Shkencës dhe i Teknologjisë Insi” do të bëjë kërkesë për rishqyrtim (ankesë) në këtë rast. Por, gjasat mund të jenë të vogla për këtë, pasi kompania e njëjtë është rekomanduar nga Komuna e Prishtinës për kontratë në ditën e njëjtë (sot) për një tjetër tender. Bëhet fjalë për tenderin “Masterplani për rigjenerimin i lagjes Kolovicë-Ritender”. Çmim i i kompanisë fituese është 169, 000.00 euro.

Nga ana tjetër, lidhur më tenderin “Shërbime këshilluese për planifikim, promovim dhe funksionalizim të parkut industrial në Prishtinë”, këtu komuna dëshiron të angazhojë një kompani konzorcium këshillues, i cili do t’i ofrojë shërbime këshilluese komunës përmes profesionistëve të fushave specifike për themelimin, promovimin, digjitalizimin dhe funksionalizimin e Parkut Industrial me qëllim të joshjes së investimeve të huaja direkte.

Para tre muajve, Luan Dalipi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama kanë qenë bashkëpjesëmarrës në një event të organizuar në Mynih të Gjermanisë. Bëhet fjalë për pjesëmarrjen ne Electric Mobility LLC në IAA Mobility 2023.

Shefi i stafit në Zyrën e Kryeministrit, Luan Dalipi, gjatë vitit 2021 krahas detyrave në Qeveri, kreu punë edhe tek një biznes privat. Fiks 6 mijë euro janë të hyrat vjetore që ka realizuar Dalipi si konsulent, në kompaninë Management Development Associates (MDA) në Prishtinë.

Këto të hyra, Dalipi i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit me rastin e deklarimit të pasurisë, mirëpo ai nuk i ka treguar punët që ka kryer gjatë kësaj kohe në MDA dhe projektet për të cilat ka qenë i angazhuar.

Edhe në vitin e kaluar ka deklaruar që ka punuar si konsulent në këtë kompani, ndërsa në këtë vit nuk ka bërë një deklarim të tillë. /Demokracia.com/

Të ngjashme