Lajme
DOKUMENTE | Komuna e Podujevës rekomandon për tender një kompani mbi gjysmëmilioni euro më shumë se parashikimi i kontratës
Demokracia
13:00 | 26 Shkurt 2024

Share:

Komunës së Podujevës, e cila udhëhiqet nga kryetari Shpejtim Bulliqi, nuk i doli mirë planifikimi që në vitin e kaluar të nisë ndërtimin e shkollës së re ekonomike, pasi ajo e vjetra nuk po i plotëson kushtet. Kjo për shkak se në 2023, komuna e nxori fitues një kompani duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik. Tenderi kishte përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe tash komuna është kthyer në pikën zero, duke e rekomanduar përsëri kompaninë e njëjtë për kontratë, e cila është e gjashta në radhë më çmimin më të shtrenjtë, shkruan Demokracia.com.

Fiks 2 milionë euro e kishte vendosur shumën si vlerë të parashikuar të kontratës Komuna e Podujevës tek njoftimi për kontratë “Ndërtimi i Shkollës së Mesme Isa Boletini”. Gjysmë milioni euro është shuma e mjeteve të tejkaluara mbi vlerën e parashikuar të kontratës, të cilën komuna po synon ta lidh me një kompani për ndërtimin e shkollës. Pra, komuna në javën e kaluar e ka nxjerr fitues për të dytën herë kompaninë Konstruktori ING 1969”, e cila është në konzorcium më “Flori eng”, me vlerë të ofertës 2, 565,696.26 euro.

Ligji i Prokurimit Publik në këtë rast automatikisht i jep të drejtë që, nëse nuk ka operatorë të tjerë të përgjegjshëm dhe operatori i përgjegjshëm ka tejkaluar parashikimin të anulohet procesi i prokurimit. Por, Komuna e Podujevës ka vendosur që të procedojë tutje, duke e lënë mundësinë e hapur të shtojë fondet edhe për 565,696.26 euro, shkruan Demokracia.com.

Ky konzorcium ishte konsideruar se ishte shpallur fitues kundërligjshëm nga OSHP-ja në vitin e kaluar, andaj komuna ishte urdhëruar që të rivlerësojë përsëri procesin. Por, pas rivlerësimit është nxjerrë fitues përsëri.

Kriter kryesor për dhënie të kontratës ka qenë “çmimi më i lirë”. Komuna e Podujevës ka kapërcyer pesë kompani më të lira, duke i shpallur të papërgjegjshme dhe rekomanduar për kontratë të gjashtin në radhë me çmim më të lartë prej rreth rreth 600 mijë eurove më shumë se i pari.

Si nisi procesi?

Komuna e Podujevës kishte planifikuar që në vitin 2023 të nisë ndërtimin e objektit të ri të Shkollës Ekonomike “Isa Boletini”. Për këtë kishte vendosur një shumë prej 2 milionë euro dhe tenderi ishte hapur më 25 prill.

Aty garuan 9 kompani dhe grupe kompanish. Ndonëse kishte disa kompani garuese që ishin shumë më të lira, ato u konsideruan që nuk i plotësojnë kushtet dhe fitues u zgjodh grupi “Konstruktori ING 1969” & “Flori eng” NGA Prishtina, me vlerë të ofertës 2,565,696.26 euro.

Me vendimin e komunës nuk është pajtuar grupi “Ard 94” shpk “Condor”, i cili ishte rreth 100 mijë euro më i lirë, shkruan Demokracia.com.

Ankesën e këtij grupi e ka hedhur poshtë Komuna e Podujevës, duke e lënë në fuqi vendimin e vet. Më pas të njëjtit janë ankuar edhe në OSHP, duke pretenduar se komuna i eliminoi pa të drejtë dhe grupi i rekomanduar nuk i plotësonte disa nga pikat. Ky institucion ka rekomanduar ekspertin e vet për t’i shoshitur provat.

Pasi e ka shikuar të gjithë situatën, në raportin e ekspertit që e ka parë Demokracia.com, është kërkuar nga komuna që të anulohet vendimi për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim, pasi që janë gjetur shkelje. Eksperti ka kërkuar nga komuna që në të gjitha vendimet të kërkohen sqarime shtesë. Madje, eksperti ka gjetur se në të gjitha pikat ku komuna e kishte rrëzuar kompaninë 100 mijë euro më të lirë ishte e përgjegjshme, vetëm në një pikë ishte lënë që të kërkoheshin sqarime shtesë.

Eksperti këtë vendim e kishte marrë më datë 25 gusht dhe raportin e kishte dorëzuar tek Bordi për shqyrtim. Paneli i OSHP-së e kishte zvarritur lëndën për tre muaj dhe fiks më 3 nëntor 2023, e kishte miratuar në përpikëri raportin e ekspertit të vet, i cili rekomandonte që lënda të kthehej në rivlerësim.

Ashtu siç kishte vendosur Bordi i OSHP-së, në nëntor, pasi e kishte pezulluar vendimin e vet e kishte kthyer lëndën në rivlerësim. Si asnjëherë tjetër më parë, nga asnjë Autoritet Kontraktues, Komuna e Podujevës ka mbajtur në rivlerësim këtë lëndë tenderuese, duke shkelur të gjitha afatet ligjore në një kohë prej rreth katër muaj.

Më 23 shkurt 2024 kishte vendosur që të rekomandojë për kontratë kompaninë e njëjtë.

Çka gjeti eksperti?

Por, çka kishte gjetur eksperti shqyrtues sipas rekomandimeve të të cilit Paneli urdhëroi që lënda të kthehej në rivlerësim?

Pretendimi i parë: Grupi i OE i shpallur fitues ka mbuluar të tri këto pozita me vetëm një person, siç është Muhamet Hamiti: “Bazuar në formën e kërkesës së parashtruar në dosjen e tenderit dhe bazuar edhe në dispozitat ligjore të LPP-së kjo formë e plotësimit të kërkesave të AK-së nuk është e lejuar andaj realisht Grupi i OE ka dështuar plotësimin e dy nga tre kërkesat e paraqitura më lartë dhe si i tillë do duhej konsideruar i papërgjegjshëm. Shto këtu faktin se i njëjti e ka bërë edhe certifikimin e kompanisë për siguri dhe shëndet në punë, ku kjo e bënë edhe më të pamundur përdorimin e një personi për mbulim të pozitave në fjalë.

Eksperti shqyrtues pas analizimit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës sqaron se në ofertën e OE të rekomanduar gjendet personi z. Muhamet Hamiti në tri kontrata mbi vepër për tri pozita të ndryshme, derisa në DT, AK ka kërkuar për secilën pozitë një ekspert, meqenëse punimet do të zhvillohen në të njëjtin vend mendoj se AK gjatë procesit të rivlerësimit duhet të kërkoj sqarime nga njësia kërkuese, e cila mund të ia konfirmojë nëse mund të përmbushet kërkesa me një ekspert për tri fusha, pasi që kjo pozitë nuk është mirëmbajtje, e cila kërkon punë 8-orëshe dhe si i tillë pretendimi gjendet pjesërisht i bazuar.

Kërkesa e AK-së në DT është:

Pretendimi i dytë:

Ky grup i OE ka paraqitur lista të projekteve të realizuara në tre vitet e shkuara, por nuk ka arritur të dëshmojë me referenca se projektet e tilla janë realizuar në mënyrë të kënaqshme dhe kanë përfunduar.

Sipas kërkesës së AK shihet se Grupi i OE i shpallur fitues ka dështuar t’ia bashkëngjisë referencat listave të dorëzuara dhe rrjedhimisht nuk ka arritur të dëshmojë vlerën e projekteve të realizuara prej 3.000.000,00€. Dëshmitë e dorëzuara janë kontrata dhe raporte preliminare që nuk pranohen si referenca të rregullta, ka projekt që është kryer pasi është publikuar njoftimi për kontratë, si dhe mungesë të referencave për shumicën e projekteve të paraqitura në listë. Projektet që janë të dëshmuara me referenca të rregullta nuk e arrijnë shumën e projekteve të kërkuara nga AK, andaj ky Grup i OE është dashur të cilësohet i papërgjegjshëm, shkruan Demokracia.com.

Eksperti shqyrtues sa i përket pretendimit të dytë lidhur me listën e projekteve sqaron se në ofertën e OE të rekomanduarit gjendet lista e projekteve, e cila listë shumicën e tyre i ka të dëshmuara me kontrata dhe referenca, mirëpo AK në DT ka kërkuar që lista të dëshmohet me referenca dhe çertifikata për përfundimin e punëve, andaj AK gjatë procesit të rivlerësimit konform nenit 72 të LPP-së mund të kërkojë sqarime shtesë lidhur me listën e projekteve, pra dëshmitë referencat/çertifikatat e pranimit të cilat tregojnë se janë të përfunduara punët dhe si i tillë pretendimi i OE ankues gjendet pjesërisht i bazuar.

 

Eksperti, po ashtu, ka gjetur se sa i përket pretendimit lidhur me pajisjet Fiat Hitachi, në ofertën e OE të rekomanduarit gjendet DUD-i, i cili është në emër të blerësit dhe shitësit “Konstruktori”. Po ashtu, pretendimi lidhur me faturën 200103/2000, në ofertë gjendet fatura e njëjtë me emër të kompanisë “Konstruktori”, kurse pretendimet lidhur me pajisjet të cilat mungojnë, eksperti mendon se prokurimi konform nenit 72 të LPP-së, gjatë procesit të rivlerësimit mund të kërkojë sqarime për pajisjet që janë të specifikuara në Aneks 7, të cilat nuk janë të dëshmuara. Andaj pretendimi i OE ankues gjendet pjesërisht i bazuar.

“Si përfundim, aktiviteti i prokurimit i lartpërmendur pas analizimit, krahasimit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, konsideroj se duhet të kthehet në rivlerësim, duke e rekomanduar autoritetin kontraktues që ekzaminimin, analizimin dhe krahasimin e ofertave të bëjë konform LPP-së dhe Rrpp-së. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa
e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, ka shkruar eksperti në fjalën përfundimtare.

Komuna eliminoi një kompani 100 mijë euro më të lirë për një arsye

Me gjasë, Komuna e Podujevës ka kërkuar sqarime shtesë nga kompania fituese që t’i ofrojë të gjitha këto dokumente të argumentuara, të cilat nuk i kishte ofruar në herën e parë. Se a i ka ofruar me të vërtetë a jo, kjo do të shihet, pasi përsëri do të ketë ankesa tek Komuna e Podujevës dhe në OSHP, e cila do të shoh nëse komuna ka bërë shkelje përsëri. Nëse konstatohet se është përsëritur shkelja e njëjtë, atëherë Paneli i OSHP-së, në përputhje me Ligjin e Prokurimit është i detyruar që të lëshojë një urdhër për rivlerësim konform rekomandimeve të veta, në të kundërtën do të iniciojë marrjen e certifikatës së prokurimit zyrtarit kryesor të prokurimit komunal.

Deri sa komuna ka pasur pesë oferta më të lira, konzorciumi “Ard 94” shpk “Condor”, i cili ishte rreth 100 mijë euro më i lirë është eliminuar vetëm për një arsye. Sepse, në njërën nga referencat e kërkuara për punët e kryera është dëshmuar se ka qenë ndërtim i ulët dhe jo i lartë. Kështu ka vendosur komuna, por këtë mbetet ta shoshisë përsëri edhe Paneli i OSHP-së, nëse kompania e njëjtë ankohet përsëri. Të paktën kështu kishte vlerësuar eksperti shqyrtues në lëndën e tij. Por, tash komuna ka renditur edhe disa arsye të tjera se kjo kompani nuk është e papërgjegjshme.

Të gjitha kompanitë e tjera më të lira janë eliminuar për disa arsye dhe të njëjtat janë pajtuar me vendimin e komunës, duke mos ushtruar ankesë.

Në një rast të njëjtë, MASHTI kishte anuluar tenderin e librave

Por, nuk është problemi i vetëm se ka pasur oferta më të lira dhe nëse ndonjëra prej tyre ka mundur të jetë e përgjegjshme apo nëse operatorët e rekomanduar janë të papërgjegjshëm. Komuna ka tejkaluar vlerën e parashikimit të kontratës për mbi gjysmë milioni euro. Ligji i Prokurimit Publik e lejon autoritetin kontraktues që pas tejkalimit të vlerës së kontratës, të bëjë menjëherë anulimin e procesit të prokurimit dhe me këtë rast duhet të shkohet me ritender dhe të shtohet vlera e mjeteve nga ana e institucionit përkatës.

Në rast i tillë i ngjashëm ka ndodhur në vitin e kaluar në Ministrinë e Arsimit, ku MASHTI e kishte refuzuar një tender me negocim për shkak se ofertuesit kishin bërë tejkalim të parashikimit të njoftimit për kontratë ose rreth 13 për qind të vlerës së parashikuar. Bëhet fjalë për blerjen e librave. Kujtojmë se ky ndërtim i shkollës në Podujevë është bashkëfinancim me MASHTI-n dhe vlera e tejkaluar e kontratës nga ana e prokurimit të Komunës së Podujevës, siç është cekur më lart është rreth 25 për qind e parashikimit të ministrisë, nga 2 milionë në mbi 2.5 milionë euro.

“Arsyeja e anulimit ka qenë se pasi që ofertuesit – Shtëpitë Botuese kanë tejkaluar vlerën e parashikuar për ketë procedurë të prokurimit. Edhe përkundër negociatave që janë zhvilluar me Shtëpitë Botuese, çmimet janë më të larta se shuma e parashikuar për këtë procedurë të prokurimit”, kishte shkruar MASHT në arsyetimin e anulimit të aktivitetit të prokurimit, ku më pastaj i ishte hapur rrugë blerjes së librave duke financuar direkt blerjen e tyre për secilin nxënës, të cilat kanë kapur një kosto për disa milionë euro më shumë sesa oferta e shtëpive botuese. /Demokracia.com/

Të ngjashme