Lajme
Asociacioni në Kushtetuese? Haziri thotë se Kurti do ta dërgojë draftin para takimit të majit në KiE
Demokracia
11:51 | 27 Prill 2024

Share:

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do ta dërgojë draft statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së majit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Këto deklarata, ai citohet t’i ketë bërë në një intervistë për “Kosova Press”.

Sipas tij, nëse Kurti nuk pranon ta dërgojë draftin nn Kushtetuese, do t’ia humbasë vendit mundësinë për anëtarësim në KiE.

Ndërkohë, Kurti në një intervistë së fundi për “DË” ka folur mbi zërat se Asociacioni mund të jetë parakusht për anëtarësim në KiE. Ai ka thënë se “një gjë e tillë nuk është në rregull”.

“Unë kam propozuar që ta shkruaj draftin më 18 mars në Ohër, por nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë. Të gjitha këto janë pjesë të diskutimeve që po i bëjmë. Ne e mbështesim raportin e zonjës Dora Bakoyannis, e cila ka qenë ministre e punëve të jashtme të Greqisë, të një shteti që vazhdon të jetë mosnjohës, dhe e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka një marrëveshje që po shkelet nga Serbia, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet” – është shprehur ai.

Të ngjashme