Lajme
DOKUMENT | Prokurimi i ministrisë së Sveçlës manipuloi edhe tenderin 2.6 milionësh të targave, askush nuk ndëshkohet
Demokracia
18:36 | 27 Shkurt 2024

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, dy herë brenda pak muajve e ka testuar durimin e qytetarëve. Herën e parë duke i lënë për disa muaj pa pasaporta e vitin e kaluar duke i lenë edhe disa javë pa furnizim me targa të automjeteve. Për shkak të shkeljeve, në dy rastet, MPB-ja ishte detyruar që furnizimet t’i bënte me tenderin emergjent, duke favorizuar kompani të caktuara. Ndonëse furnizimi me targa tash po bëhet me rregull për shkak se është lidhur detyrimisht një kontratë e negociuar, tenderi i hapur i vlerës së madhe është konstatuar se përsëri është bërë shkelje nga prokurimi i ministrisë së Sveçlës kur i rekomanduan për kontratë disa kompani, shkruan Demokracia.com.

Në Kosovë ka nisur të bëhet normë se vetëm ai që zihet më ‘duq të parave në xhep’ nuk bën më të punojë në institucione publike. Ata që po bëjnë shkelje në tenderë, që janë jetikë për qytetarët, po vazhdojnë punën pa asnjë telashe. Kështu po ndodh edhe në ministrinë e Xhelal Sveçlës.

Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit është dorëzuar më në fund, duke e urdhëruar MPB-në që të anulojë vendimin për dhënie të kontratës për tenderin e vlerës së madhe “Furnizim me targa për regjimin e automjeteve”, për të cilin ishte vendosur një shumë prej 2.6 milionë eurosh. Tre muaj e ka mbajtur në trajtim Paneli i OSHP-së dhe në fund e ka urdhëruar ministrinë që lëndën ta kthejë në rivlerësim dhe të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës. Një herë Paneli e kishte detyruar ministrinë që ta kthejë këtë lëndë në rivlerësim, pasi e kishte anuluar kundërligjshëm.

Si nisi krejt procesi, për të përfunduar me shkelje?

Më 9 dhjetor të vitit 2022 ishte hapur thirrja për “Furnizim me targa për regjimin e automjeteve”, për të cilin ishte vendosur një shumë prej 2.6 milionë eurosh. Që nga ajo kohë e deri më sot, kontrata nuk ka mundur të lidhet, ndonëse ministria ka rekomanduar për kontratë një kompani, ku kanë garuar disa kompani.

Me këtë tender, MPB-ja planifikon të blejë mbi 320 mijë palë targa të ndryshme, ku mbi 280 mijë janë targa automjetesh, 3 mijë për institucionet qendrore, 500 për komunat, 600 për ambasadat, 200 për veturat e sistemit të drejtësisë, etj. Vetëm për FSK-në janë paraparë 500 targa.

Në fillim të 2023-ës, ministria e Sveçlës ka hapur ofertat dhe pas vlerësimit e ka anuluar në tërësi tenderin, duke konsideruar që nuk ka operatorë të përgjegjshëm. Me këtë vendim nuk janë pajtuar kompanitë, të cilat janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje të ligjit nga ana e ministrisë kur ka vendosur ta anulojë procedurën në tërësi, andaj ka urdhëruar që lëndën ta kthejë në rivlerësim.

Më 27 shtatorit 2023, MPB-ja eliminoi të gjitha ofertat dhe ndryshe nga hera e parë, tash konsideroi që një ofertë i plotëson kushtet, anise ishte më e shtrenjtë se disa të tjera. Bëhet fjalë për konzorciumin “Ego Elsa” sh.p.k me partnerin maqedonas “Rade Koncar” nga Shkupi, me një ofertë prej mbi 2.3 milionë eurosh.

Më pas, bazuar në dokumentet e ngarkuara në OSHP, që i ka parë Demokracia.com, me vendimin  e ministrisë që të shpallet fitues konzorciumi i lartshënuar nuk janë pajtuar disa kompani garuese, andaj menjëherë kanë bërë kërkesë për rishqyrtim. Por, ministria ua ka refuzuar kërkesën dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vet. Më pas ato për të dytën herë janë drejtuar në OSHP. Ky institucion e ka autorizuar ekspertin e vet për t’i shoshitur provat, por akoma nuk ka nxjerrë një raport.

Njëri prej ankueseve ka shkruar se me vendimin e tillë të AK (MPB-së) dëmtohet buxheti i Kosovës për më shumë se 200,000.00 euro dhe rrjedhimisht shkelet haptazi dhe me dashje kjo dispozitë ligjore.

Ai madje e ka akuzuar edhe shefin e prokurimit. Sipas ankuesit, UD i Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit në MPB, Agim Islami, “ka marrë vendim për dhënie të kontratës në kundërshtim flagrant të procedurave”.

Kjo, sipas ankuesit, është pasi që ai vetë, personalisht, ka vlerësuar tenderin “dhe duke nxjerr vendim arbitrar për të shpallur fitues një OE për të cilin është e faktuar se është i papërgjegjshëm dhe gjithashtu është me i shtrenjtë se oferta jonë për mbi 200,000.00 euro”.

“I njëjti (Agim Islami) de-facto ka shërbyer si anëtar i komisionit vlerësues dhe atë si “anëtar i vetëm”, duke injoruar rekomandimin e Komisionit Vlerësues, ashtu që ka bërë vlerësim dhe ekzaminim të ofertave të Operatorëve Ekonomikë në kundërshtim me kompetencat që ka me Rregullore… dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në ankesë.

Ankuesi në këtë dokument publik denoncon njeriun kryesor, aktualisht të tenderëve në MPB, për vepër penale.

“Ky tejkalim i kompetencave nga ana e zyrtarit përgjegjës përbën vepër penale të Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare, sepse ka tejkaluar kompetencat e tij për qëllim të caktuar që t’i sjell përfitim të paligjshëm një operatori ekonomik, i cili është i papërgjegjshëm dhe në anën tjetër ka për qëllim të na dëmtoj neve si Operator Ekonomik të përgjegjshëm dhe buxhetin e Republikës së Kosovës për një shumë prej mbi 200,000.00 Euro”, thuhet në ankesë, përcjell Demokracia.com.

Në ankesën tjter, kompania tjetër në garë pretendonte që MPB-ja kishte shkelur së paku tetë nene të Ligjit të Prokurimit.

Eksperti i ngarkuar i OSHP-së, më datë 08.12. 2023 ka shoshitur të gjitha provat dhe ka konstatuar se ministria e Sveçlës e ka shkelur ligjin kur ka rekomanduar për kontratë operatorët e lartcekur dhe ka rekomanduar Panelin që vendimi i ministrisë për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Panelit i janë dashur rreth tre muaj që të nxjerrë një vendim.

Në vendimin e panelit që është nxjerr para pak ditëve, thuhet se “Aprovohen si të bazuara, ankesa e OE “TSR SHPK” ushtruar me datë 18.10.2023 dhe ankesa e OE “G.S.G SHPK” e ushtruar me datë 19.10.2023. Anulohet Vendimi i datës 28.09.2023 për dhënie të kontratës i Ministrisë së Punëve të Brendshme në cilësinë e autoritetit kontraktues, kurse procesi i prokurimit publik “Furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve, kthehet në rivlerësim”.

Çka shkeli ministria sipas Panelit të OSHP-së?

Sipas OSHP-së, kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk kanë ofertuar materiale konform standardit të këkruar, gjë të cilën e ka vërtetuar edhe Agjencia e Forenzikës.

“Raporti i testimit i dorëzuar nga Ankuesi “TSR” nuk është sipas standardit ISO 7591 për Alumin 1050 H42 ose EN AW 1200 H42, kurse dëshmitë nga “Novelis” janë të pa-pranueshme, sepse nuk është laborator por është prodhues; Dhe 2) dëshmitë shtesë paraqitur pas hapjes së ofertave janë të papranueshme. Sipas ekspertit Raporti testues është në pajtim me standardin ISO 7591, meqë prodhuesi i shiritave të aluminit Novelis furnizon me alumin EN AW 1200 H42 dhe kompaninë EHA (anëtar i grupit të OE ankues). Nëse në Raport testues të mungon një detaj si në rastin konkret EN AW 1200 H42 nuk nënkupton se produkti nuk e plotëson kriterin dhe/ose nuk përbehet nga ky material. Ndërsa dëshmitë shtesë të paraqitura pas hapjes së ofertave, nuk kanë për qëllim zëvendësimin e një dokumenti, por sqarimin e të njëjtit, i cili tanimë ka ekzistuar. Sipas ekspertit, ankuesi ka të drejtë lidhur me pohimin e tij për qasje të kufizuar në dokumentet e GOE fitues, pasi ISO standardet dhe raportet e testimit kanë mundur t’i ofrohen ankuesit së paku në formë të spastruar sipas dispozitave të LPP. Andaj sipas ekspertit shqyrtues, pohimet e ankuesit si më sipër, janë të bazuara”, thuhet në një pikë ankimore të shqyrtuar nga Paneli, përcjell Demokracia.com.

Më poshtë është mendimi në tërësi i Panelit për këtë çështje, ku janë konstatuar gjetje shumë serioze:

Ky tender, i cili peshon 2.6 milionë euro ishte në OSHP, herën e parë për shkak se anulimi i tij ishte bërë kundërligjshëm dhe herën e dytë rekomandimi për kontratë është bërë kundërligjshëm. MPB-ja ka qenë e detyruar që të lidh një kontratë emergjente për shkak se vendi kishte mbetur pa targa.

Në fillim të muajit dhjetor 2023, prokurimi i MPB-së kishte lidhur kontratë më “G.S.G” SH.P.K, në një vlerë prej 273 mijë euro për furnizim emergjent me targa. Në këtë shumë hyjnë: 38, 800 copë targa të zakonshme të automjeteve 520×110 mm, 100 copë targa për rimorkio të automjetit 340×200 mm, 300 copë targa për makina bujqësore traktorë 340×200 mm, 800 copë targa për regjistrimin e motoçikletave 100×150 mm.

“Informatë/Vërejtje: Ky aktivitet i prokurimit do te anulohet / Kjo kontratë nuk do të nënshkruhet, në qoftë se para njoftimit për dhënie të kontratës marrim vendimin pozitiv nga OSHP për aktivitetin e njëjtë të prokurimit procedurë e hapur për furnizim me targa për regjistrim të automjeteve”, thuhet tek formulari i përshkrimit të çmimeve, dokument ky që është i ngarkuar tek ky proces i prokurimit.

Por, nga zvarritjet që është duke bërë ministria, duke mos e ndëshkuar askush dhe ajo duke mos e ndëshkuar asnjë zyrtar të saj, gjasat janë që tenderi i negociuar të mbyllet deri sa të lidhet kontrata e rregullt. Kjo duket të jetë e qëllimshme vetëm që të përfundojë kontrata e negociuar. /Demokracia.com/

Të ngjashme