Lajme
DOKUMENT | Programi legjislativ dhe kapja e bordeve të ndërmarrjeve publike nesër në tavolinën e ministrave të Kurtit
Demokracia
21:30 | 23 Janar 2024

Share:

Qeveria e Kosovës nesër (e mërkurë) mban mbledhjen e saj të rregullt, me fillim në orën 12:00.

Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar do të bëjë shqyrtimin e Propozim-vendimit për aprovimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2024. 

Si në çdo mbledhje të ministrave të Qeverisë së Albin Kurtit, edhe në këtë mbledhje do të vendoset për emra të rinj në Bordet e Ndërmarrjeve Publike.

Demokracia.com ka siguruar rendin e ditës së mbledhjes së nesërme.

Qeveria nesër do t’ia propozojë Kuvendit të Kosovës emrat e anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimi (OSHP).

Po ashtu, do të bëhet shqyrtimi i propozim-vendimit për emërimin e anëtarëve të Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujitjes “Drini i Bradhë” në Pejë dhe dy anëtarëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “KRU Prishtina”.

Ministrat e Kurtit do të bëjnë edhe shqyrtimin e Draftit të Programit për Verësimin Ex-post të akteve juridike të Republikës së Kosovës për vitin 2024 (ZKM).

Sërish për të disatën herë, Qeveria do ta bëjë shqyrtimin e Propozim-vendimit Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore IGK “Ballkan”, Njësia Damper, (ish-Kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë se Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (MMPHI). /Demokracia.com/

Të ngjashme