Lajme
DOKUMENT| Kompania që udhëhiqet nga miku i Mimoza Kusarit shpërblen me tender për larjen e veturave një tupanxhi
Demokracia
17:49 | 17 Qershor 2023

Share:

Miku i Mimoza Kusarit, Hasan Krasniqi, që ishte vendosur nga pushteti i Vetëvendosjes në krye të Kompanisë Regjionale Ujësjellësi “Gjakova”, e ka shpërblyer me tender për larjen e veturave një tupanxhi, shkruan Demokracia.com. Biznesi Individual (BI) që ka fituar tenderin për larjen të Ujësjellësit “Gjakova” është Lirak Bordoniqi, që aktivitet primar e ka argëtimin dhe rekreacionin.

Por, Bordoniqi përveç argëtimit me tupan gjatë kësaj vere, do të duhet t’i pastrojë edhe veturat e K.R.U Gjakova, sepse ka fituar një tender në vlerë 7 mijë e 998 euro me afat 1 vjeçar nga kjo ndërmarrje publike. Ujësjellësi “Gjakova” drejtohet nga Hasan Krasniqi, ish asambleist i partisë së Mimoza Kusarit në Gjakovë. Në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit (ARBK), emri tregtar i biznesit që ka fituar tenderit është “Artist Estrade Lirak Bordoniqi”, që aktivitet primar ka argëtimin dhe rekreacionin.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës në këtë tender ka aplikuar vetëm një biznes dhe vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 8 mijë euro, ndërsa është fituar nga tupanxhiu i estradës për 7 mijë e 998 euro, ose 2 euro më pak seç ishte planifikuar.

Lirak Bordoniqi në rrjetin social Facebook prezanton punën e tij prej tupanxhiu që merr pjesë nëpër dasma e ahengje për argëtimin e mysafirëve, por askund nuk ka në përshkrim që pastron vetura.

I kontaktuar nga Demokracia.com, Bordoniqi ka konfirmuar se ka fituar tenderin për pastrimin e veturave të K.R.U Gjakova. Ai ka treguar se është “artist i estradës”, por edhe vetura lan dhe për këtë sipas tij, shtetit i paguan tatim edhe për muzikë edhe për autolarje.

“Në ARBK unë jam artist estrade, jam muzikantë edhe biznesin e hapur apo Biznesit Individual ia kam shtuar edhe një njësi për larjen e veturave. D.m.th e paguaj tatimin edhe verës që shkoj nëpër dasma edhe gjatë dimrit për autolarje”, ka thënë Bordoniqi. I pyetur nëse ka lidhje familjare apo miqësore me më kryeshefin e K.R.U Gjakovës, Hasan Krasniqi, Bordoniqi e ka mohuar. “Jo absolutisht bash lidhje nuk kam”, ka thënë ai.

Bordoniqi ka treguar edhe për mënyrën se si e ka fituar tenderin, madje në një moment ai përdor edhe shprehje eksplicite kur  e përshkruan fitimin e 8 mijë eurove të taksave të qytetarëve.

“Unë kam aplikuar për tender prej zyrës së Prokurimit. Kam aplikuar, ia kam bë një ofertë më të vogël, qaq më kanë kallxu ‘gjinja’, qaq ia kam hekë. Ato (2 euro më pak se vlera e tenderit të shpallur) ia kam hekur vetëm për shmek dhe me lujtë k***”, ka thënë Bordoniqi duke u tallur me paratë e taksapaguesve kosovarë.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës, Hasan Krasniqi, ishte zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

Ai është zgjedhur kryeshef përkundër faktit që i njëjti ishte kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2021, apo rreth 3 muaj më parë (nga data e mbajtjes së zgjedhjeve) Ligji për Ndërmarrjet Publike kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit./Demokracia.com/

Të ngjashme