Lajme
DOKUMENT | Biznesmeni nga Shqipëria e akuzon për korrupsion shefin e prokurimit të Shpejtim Bulliqit
Demokracia
15:33 | 21 Shkurt 2024

Share:

Një tender në vlerë prej vetëm 10 mijë euro është bërë shkak që të hedhen akuza për korrupsion në drejtim të Bashkim Ibrahimit, shef i prokurimit në Komunën e Podujevës, e cila drejtohet nga Shpejtim Bulliqi, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Podujevës planifikoi që për Drejtorinë e Kadastrit të blejë pajisje të avancuara gjeodezike GPS, në një vlerë prej 10 mijë eurove. Por, kompania nga Shqipëria me bazë edhe në Kosovë DWH-KOSOVA SH.P.K., po konsideron se prokurimi komunal ka vendosur kritere favorizuese/diskriminuese, respektivisht të kundërligjshme në kërkesat e veta për këtë tender. Pasi ankesa e saj për ndryshim kriteresh nuk i është marrë parasysh nga komuna, pronari i saj nga Shqipëria, Ilir Alla, i është drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me ankesë. Madje, ai e ka akuzuar menaxherin e prokurimit, Bashkim Ibrahimin, se ka direkt interesa financiare në këtë tender.

Pse u ankua kompania në OSHP?

Fillimisht, Demokracia.com do të paraqes pretendimet e kompanisë për manipulim të kritereve të vendosura dhe pastaj akuzat në drejtim të zyrtarit komunal.

ankesën që e ka parë Demokracia.com, shkruan se ajo është bërë në OSHP më 20 shkurt 2023.

Një nder kriteret e vendosura në dosjen e tenderit, ashtu siç thuhet në ankesë, por edhe siç e ka parë të shkruar Demokracia.com, tek specifikat teknike të këtij tenderi është kërkuar që “Bateria e GPS duhet të jetë e fiksuar në GPS (jo e lëvizshme)”. Kjo kërkesë e shkruar kësisoj, sipas kompanisë ankimore është e kundërligjshme dhe disavantazh, pasi sipas tyre që të mbushet bateria duhet të ndërpritet punë për 3-4 orë dhe të mbushesh GPS. “Bateritë janë aksesore konsumi dhe kanë jetë shumë më të shkurtër se GPS (normalisht bateritë duhen ndërruar çdo vit), pra GPS duhet të shkojë në servis vetëm për baterinë. Jetëgjatësia e baterisë varet nga mirëmbajtja e saj, e cila kërkon që të mbushet deri në fund dhe të shkarkohet deri në fund. Kjo kërkon që disponiliteti i GPS të jetë në funksion të baterisë. Pra, bateria e brendshme është performancë e dobët, është jo-funksionale dhe është jokualitet. Është fare e qartë që AK nuk është e interesuar për performancën, funksionalitetin dhe kualitetin e produktit, sepse në tender nuk gjendet as edhe një kërkesë për performancën, funksionalitetin dhe kualitetin”, thuhet në pikën e parë ankimore.

Sipas kompanisë ankimore, kjo kërkesë teknike është kufizim, pasi sipas tyre, GPS vendoset në funksion të baterisë dhe jo e kundërta.

“Lind pyetja: AK kërkon të blejë bateria apo GPS? Të gjithë prodhuesit e GPS-ve të tjerë në treg – Leica, Trimble, GeoMax, Topcon-Sokkia dhe duke vazhduar me gjithë prodhuesit kinez – bile përfshirë edhe prodhuesin e përzgjedhur (Tersus), ofrojnë GPS me bateri të lëvizshme. Vetëm një produkt i prodhuesit. Tersus është me bateri të brendshme, të palëvizshme. E sfidojmë AK të na tregojë cilët GPS ka gjetur AK në treg, që plotësojnë këtë kërkesë, të cilën e obligon neni 1, 7 dhe 28 i LPP te RK. Konkluzion 1: Kjo kërkesë është kurth për të shmangur konkurrencën”, thuhet tutje në ankesë për pikën e parë.

Ndërsa, te pika ankimore e dytë, thuhet se kërkesa teknike “6900 mAh të GPS dhe 7000mAh të kontrolleri” është kërkesë kufizuese dhe përjashtuese për shumë kompani.

“AK e justifikon këtë kërkesë me kohën e gjatë të punës në terren. Por çuditërisht nuk bën kërkesë direkt për kohën e punës së baterisë 6, 7, 8 apo më shumë orë, por futet në miniamperazhin e baterisë 6900 dhe 7000mAh? AK e kap veshin e majtë me dorën e djathtë dhe anasjelltas. Raporti Time/Energy në teknologjinë e baterive eshë i zhdrejtë: sa më shumë kohë, me sa më pak energji. Pra, sa më e vogël bateria me kohë punë sa më të gjatë. Por, AK edhe këtu kërkon të kundërtën sa me pak kohë me sa më shumë energji. Pra, bateri të madhe me kohë sa më të vogël. Kur blihet kerr kërkohet që të harxhojë sa më pak diesel ose benzinë ose energji për 100km dhe jo sa më shumë diesel, benzinë ose energji për 100km. Konkluzion 2: kjo kërkesë e AK është kurth për konkurrencën”, shkruan në ankesën e “DWH- Kosova”.

Tutje, një kërkesë për t’u plotësuar nga prokurimi ka qenë edhe për “IP68 tek GPS”.

“Kjo kërkesë është prapë kufizuese dhe pa kuptim, sepse IP68 në IP CODE është për pajisje, që qëndrojnë në vaskë uji mbi 3m thellësi për më shumë se 1 orë. IP e instrumentave gjeodezike është IP54, por ne nuk po zgjatemi në këtë pikë, sepse ka disa vendim të OSHP-së 1021/20, 380/22 dhe 389/22, që e kanë rrezuar këtë kërkesë (Res Judicata)”, ka shkruar kompania ankuese, duke iu referuar disa vendimeve tjera të OSHP-së, që kanë rrëzuar vendime të tilla të komunave kur janë vendosur këso kërkesash.

Akuzat e kompanisë për shefin e prokurimit

Në fund të ankesës, kompania ankuese më përfaqësues Ilir Alla, ka akuzuar edhe shefin e prokurimit të Podujevës për vendosje të kritereve të kundërligjshme. Pasi sipas tij në të kaluarën ka pasur disa vendime të OSHP-së të gjykuara në tender tjerë për vendosjen e këtyre llojeve të kritereve që janë konsideruar të kundërligjshëm.

Dihet se para se ta marrë në trajtim lëndën Paneli i OSHP-së, fillimisht do të caktojë një ekspert për të trajtuar lëndën, andaj Alla ka kërkuar nga ai të shoshis vendimet e mëhershme të OSHP-së, të cilat i ka shkelur në këtë rast shefi i prokurimit.

“Ne i kërkojmë gjyqtarit të lendes – kjo nuk bën pjesë në job-description të Ekspertit Shqyrtues – që të analizojë dhe gjykojë në mënyrë të veçantë qasjen në vijim të AK, konkretisht të punonjësit publikë të prokurimit në AK, z. Bashkim IBRAHIMI. Prokuristi i AK, z. Ibrahimi ka përgënjeshtruar vendimin e OSHP 70/22 dhe bashkë me të edhe realitetin faktik. Në këtë vendim e AK, datë 14.2.2024, faqe 1, Vendimi, AK shkruan (citojmë): “Për sa i përket kërkesës për IP68 për GPS Antena, për të cilën ju keni kërkuar rishqyrtim sipas OSHP 70/22 …….ne te cilin thuhet qe pretendimi juaj gjendet i pabazuar”. E vërteta është komplet ndryshe: OSHP nuk e ka gjykuar lëndën 70/22, por e ka hedhur poshtë për djegie afatesh, sepse OSHP ka qenë për një kohë të gjatë pa bord drejtues. Këtu lind një pyetje e rëndë ligjore, që gjyqtari duhet t’i shkojë deri në fund: Çfarë e shtyn z. Ibrahimi, prokurist i një enti publik të falsifikojë realitetin dhe abuzojë me vendimet e OSHP?

Kodi civil, kodi penal dhe LPP të RK, neni 67, pika 1 për të dhënat mashtruese, edhe nëse janë pa dashje, parashikon masën drastike “PERJASHTIM”. Kjo nuk vlen vetëm për OE, por edhe për AK. Z. Ibrahimi, nën petkun e prokuristit, përse duhej t’i hyjë një rreziku të tillë, duke e ditur se çfarë e pret, nëse kapet “me presh në duar”, si edhe është kapur tanimë? Përgjigja është e qartë: interesi privat financiar”, thuhet në pretendimin e kompanisë ankuese.

Tutje, kompania ankuese ka shkruar se “Fakti, që prokurimi (z. Ibrahim) mbulon manipulimin e autorit të specifikimeve teknike, dhe për më tepër falsifikon edhe vetë vendimet e OSHP, për qëllimin e paravendosur (devijimin e tenderit tek OE i parazgjedhur) tregon që kemi të bëjmë me një grup të strukturuar”.

Prokurimi i Komunës së Podujevës e ka pezulluar këtë procedurë të prokurimit, deri sa të marrë vendim OSHP-ja. /Demokracia.com/

Të ngjashme