Lajme
“Disa deputetë mendojnë që kanë gabu”: VV e bindur se tash do të votohet Kodi Civil
Demokracia
23:08 | 17 Maj 2023

Share:

Lëvizja Vetëvendosje është e bindur që i ka votat për kalimin e Kodit Civil, i cili mes tjerash parasheh edhe martesën mes personave të gjinive të njëjta. Nga ky subjekt politik madje, po thonë që ka deputetë të tyre që kanë ndryshuar qëndrim, për të mirë, në lidhje me këtë çështje.

Qëndrimin e partisë e dhanë dy deputetët Adnan Rrustemi e Arbëreshë Kryeziu – Hyseni në një paraqitje të tyre në T7.

Nuk dihet nëse ka ndryshuar diçka brenda Projekt-Kodit Civil, por dihet se një numër i deputetëve të kësaj partie kanë shprehur qëndrim kundër.

Deputetja Kryeziu – Hyseni deklaroi se ka deputetë brenda kësaj partie që mendojnë s’e kanë gabuar kur nuk e votuan Kodin Civil.

Ajo madje, deklaroi se “mund të ketë ndikuar edhe fakti që është bërë temë në opinion”.

“Unë mendoj që ka ndryshu qëndrimi i një pjese të konsiderueshme të deputetëve, pot ë deputetëve tanë, ka disa deputetë që mendojnë që kanë gabu që nuk kanë vepru ose kanë pasë mendime jo shumë të qarta. Ka ndiku shumë edhe le të themi fakti që është bërë shumë temë në opinion dhe që ka pasë presion prej qytetarëve, se e dijmë cili është qëndrimi i qytetarëve rreth një neni, në pjesën e një mijë neneve që i ka Kodi.” – u shpreh ajo.

Në fund, Kryeziu deklaroi si vijon: “Po besoj që i kemi votat për ta kaluar Kodin Civil, është më mirë se sa atëherë, ka disa deputetë që kanë reflektu”.

Kështu ndërkohë, deklaroi bashkëpartiaku i deputetes së përmendur më lartë, Adnan Rrustemi.

Ky i fundit në deklaroi se nuk mund të pengohet Kosova “për një dokument që nuk është rrjedhojë e programit të tyre”.

“Nuk e kemi pranu ende, ministria do ta procedojë. E mbroj qëndrimin që nuk është vetëm përgjegjësi e mazhorancës…Me pengu Kosovën kështu për një dokument që nuk është rrjedhojë e programit tonë, e kuptoj kur PDK-ja kur s’e voton ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme se është politikë e jona, por s’e kuptoj për Kodin Civil. Ish-ministri nuk merr pjesë në produktin e tij.” – u shpreh ai.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte deklaruar se shpreson që radhën tjetër, të kalojë projekt-kodi, “duke theksuar se Qeveria Kurti II angazhohet për të drejtat e njeriut”.

“Besoj që shumë shpejt e procedojmë në Kuvendin e Kosovës dhe kësaj radhe do të kalojë në Kuvend, për faktin se është dokument i rëndësishëm. Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime me grupin parlamentar, qeveria jonë dhe grupi parlamentar angazhohen për avancimin e të drejtave të njeriut. Duke e pasur parasysh rëndësinë e Kodit Civil, besojmë se do të miratohet në Kuvendin e Kosovës.” – kishte thënë ajo.

Por një prej personave më të zëshëm kundër Kodit Civil brenda Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë deputeti Eman Rrahmani.

“Përmbajtja e njëjtë, vota e njëjtë.” – kishte thënë Rrahmani për Nacionalen, duke lënë të kuptohej se në rast se nuk ka ndryshime, nuk do ta votojë Kodin Civil.

 

Të ngjashme