Lajme
Afera ‘kokaina’ në Leposaviq: Hetimet vazhdojnë
Demokracia
16:03 | 29 Prill 2024

Share:

Kur janë bërë saktësisht tre muaj që nga raportimi për konsumimin e kokainës në hapësirat e komunës së Leposaviqit, rasti është ende nën hetime.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Ju njoftoj se rasti është në hetime”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Nacionalen.

Pavarësisht interesimit të Nacionales, nuk është bërë e ditur në cilën fazë janë hetimet apo nëse janë intervistuar personat e përfshirë në këtë aferë.

Në fundin e muajit janar të këtij viti, Nacionale kishte publikuar disa video me radhë për drogën e cila konsumohej brenda komunës së Leposaviqit.

Aty ishte e përfshirë edhe nënkryetarja e komunës, Dragana Miletiq, disa punëtorë të tjerë të komunës së Leposaviqit dhe një polic.

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, e kishte shkarkuar nga pozita nënkryetaren e komunës pas raportimit të Nacionales.

 

 

“Shkarkimi nga detyra e nënkryetares sipas nenit 1 të këtij vendimi, bëhet për shkak të shkeljeve të rënda të punës dhe mosrespektimit të pozitës së saj si nënkryetare dhe mos përmbushjes së detyrave të punës”, thuhej në vendim e nënshkruar nga kryetari Hetemi.

Ishin larguar nga puna edhe zyrtarët e tjerë administrativë dhe ata të sigurimit që ishin të përfshirë në këtë aferë.

Kurse, Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar suspendimin e policit që shihej teksa konsumonte drogë.

“IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge’”, thuhej në komunikatën për shtyp të lëshuar nga IPK-ja të mërkurën në mbrëmje mbi rastin në fjalë.

Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, ky institucion kishte rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.

Kurse, bëhej e ditur se IPK-ja do të vazhdojë të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave mbi konsumimin e drogës brenda komunës.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës në atë kohë kishte dalur me reagim, duke treguar për nisjen e hetimeve.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti”, thuhej në njoftim.

Këto pamje kishin shkaktuar reagime të shumta në Kosovë.

Të ngjashme