Lajme
Szunyog kërkon nga Kosova dhe Serbia bashkëpunim për Deklaratën për Personat e Zhdukur
Demokracia
16:21 | 29 Prill 2024

Share:

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia ta rrisin bashkëpunimin në raport me Deklaratën për Personat e Zhdukur – e dakorduar vitin e kaluar, e cila ka ngecur në zbatim.

Kërkesa e Szunyog erdhi pas takimit që ai të hënën ka zhvilluar me kryetarin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.

“Theksova rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur. Përsërita nevojën për një qasje konstruktive për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të rënë dakord nga Kosova dhe Serbia dhe bëra thirrje për rritje të bashkëpunimit, përfshirë shkëmbimin e informacionit, identifikimin e përbashkët të vendeve të varrimit dhe ndjekjes efektive të gërmimeve”, ka shkruar Szunyog në platformën sociale, X, pas takimit.

Ndryshe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën ka akuzuar Serbinë se po vazhdon të shkel deklaratën për personat e pagjetur duke i shpërfillur kërkesat e Kosovës për hapjen e arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe në lidhje me mijëra personat e zhdukur me forcë gjatë luftës së viteve 1998/1999 në Kosovë.

Pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit më 27, Osmani në një deklaratë për media tha se “edhe sot Serbia vazhdon që të bëjë krim të dyfishtë, sepse njëherë e kreu krimin, e pastaj bëri çmos që ta fshehë atë, duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vjet më vonë”.

“Përkundër faktit se kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti, i ka dërguar letra Serbisë disa herë, duke i kërkuar që të hapen arkivat për të dhënat e brigadave policore dhe ushtarake, për të cilat ka dëshmi që kanë marrë pjesë në masakra, por edhe në operacione pas luftës për fshehjen e trupave, Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen e këtyre kërkesave dhe vazhdon ta shkelë këtë marrëveshje të arritur në Bruksel”, tha ajo.

Kosova dhe Serbia, vitin e kaluar u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Deklarata ndër të tjera përfshinë qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar. Vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Të ngjashme