Lajme
“Dinari” | Kurti i përgjigjet SHBA-së dhe BE-së: Vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohet nga politikanët
Demokracia
13:36 | 01 Shkurt 2024

Share:

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i është përgjigjur negativisht thirrjes së SHBA-së dhe BE-së lidhur me vendimin e BQK-së për rregulloren e re, e cila ndalon përdorimin e valutës së dinarit. Kurti tha se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.

Një koment të tillë, kryeministri Kurti e bëri pas homazheve pranë kompleksit memorial në Lupç të Poshtëm, me rastin e 34-vjetorit të rënies së dëshmores Elfete Humolli, shkruan Demokracia.com.

I pyetur për çështjen e valutës së dinarit dhe reagimet, kryeministri Kurti tha se faza tranzitore ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe gjithçka ka shkuar në rregull.

“Pikërisht përgatitjet e suksesshme për zbatimin e rregullores së BQK-së kanë alarmuar Beogradin zyrtar dhe ata më pastaj u përpoqën që të përhapin panik nëpërmjet një fushate që trumbetohej nga kreu i shtetit atje. Me informatat që i kam gjithçka po shkon në rregull, por nëse ka ndonjë vërejtje a ankesë, ne do ta adresojmë me seriozitetin më të lartë dhe me shpejtësinë më të madhe”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkaq, kërkesës së BE-së për këtë çështje, kryeministri Kurti iu kundërpërgjigj duke thënë se BQK është institucion i pavarur dhe institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.

“BQK është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura, nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Sot shënojmë 34 vjetorin e demonstratës në të cilën nga forcat armike serbe u vra nxënësja Elfete Humolli ende pa i mbushur 17 vjet. Elfetja, Mentori dhe gjithë dëshmorët e kombit, na dëshmojnë orët e historisë sonë dhe sa shtrenjtë është paguar liria e popullit dhe çlirimi i Kosovës”, tha Kurti.

Të ngjashme