Lajme
DOKUMENTE | Pezullohet tenderi 10-milionësh i Prishtinës për eficiencë të energjisë, kompanitë ankohen se komuna e Përparim Ramës kurdisi kriteret
Demokracia
20:04 | 02 Maj 2024

Share:

Komuna e Prishtinës po synon t’i ulë shpenzimet e energjisë elektrike, duke instaluar trupa ndriçues me eficiencë të lartë. Për këtë ka hapur tender në vlerë prej 10 milionë euro. Inicimi i këtij aktiviteti shihet se do të ketë shumë telashe, pasi kompanitë që janë të interesuara të marrin pjesë në këtë proces, po konsiderojnë se kriteret që janë vendosur aty i janë përshtatur një operatori të caktuar. Menjëherë pasi është mbyllur ofertimi, komuna e ka pezulluar procesin, pasi ka pranuar ankesa, shkruan Demokracia.com.

“Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare në Komunën e Prishtinës SIPA UA 06 2021”. Kështu quhet tenderi që duhet të përfundojë për 36 muaj, i cili kap një vlerë prej 10.000.000.00 euro.

Tenderi ka qenë i hapur deri më 30 prill 2024 dhe në dosje shihet se janë vendosur një sërë kushtesh që duhet të plotësohen, sidomos për nga numri i madh i certifikatave. Nuk dihet akoma sa kompani kanë garuar.

Ofruesi i shërbimeve është i obliguar që ta bëjë edhe mirëmbajtjen për punimet – shërbimet në afatin garantues prej 10 viteve.

Komuna e Prishtinës do të ketë çmim maksimal prej 1,000,000.00 euro për një vit, me kohëzgjatje sipas planit të pagesës deri në 10 vite.

Në rast të ngritjes së energjisë elektrike, çmimi i pagesës se energjisë do të rikalkulohet konform rritjes.

Në kohën sa ka qenë tenderi i hapur, kompanitë kanë pasur mundësi që para se të dorëzojnë ofertat e tyre, të parashtrojnë pyetje për komunën lidhur me kriteret. Dhjetëra pyetje për sqarime i janë drejtuar komunës, deri sa i është kërkuar që edhe të përmirësojë disa prej tyre, pasi sipas kompanive po favorizohen një ose dy operatorë ekonomikë. Pretendimet i ka hedhur poshtë komuna. Ndërsa, tashmë njëra prej tyre është drejtuar dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP, duke kërkuar nga ky organ që të detyrojë komunën të rregullojë, siç thonë ata, kriteret e kundërligjshme ose favorizuese.

Komuna e Përparim Ramës ka vendosur 92 artikuj, ku sasia për secilin është një, por më pas në bazë të kërkesave do të bëhet edhe porosia për secilin artikull. Pra, siç shihet, në këtë tender është përdorur procedura me poentim të çmimit. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure, ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendos sasinë 1 për secilin artikull. Pastaj përmes poentimit të çmimit vendos për fituesin e kontratës.

“AMBIENTI” SH.P.K. i është drejtuar OSHP-së, me një serë ankesash për kriteret e vendosura.

“Pas njoftimit për kontratë, kemi parë se AK në DT ka vendosur kritere diskriminuese dhe që në masë të madhe ka diskriminuar shumë OE përfshirë edhe neve me kritere si PSH: 1. Operatori ekonomik (Shërbyesit e energjisë) duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses se paku dy projekte për ndriçim publik Smart (SCADA) sipas nenit 5 pika 1.4 te UA (ME) Nr. 06 2021, në vlerë jo më pak se 2,000,000.00€. Duke mos lënë mundësinë OSE NGJESHEM – Komuna shifet qartë se ka bërë kurdisje të AP pasi që moslejim ose ‘të ngjashme’ është diskriminues, po ashtu vlera përmban elemente diskriminuese”, konsideron kompania ankuese.

“Po ashtu dhe kriteri tjetër: Operatori ekonomik (Shërbyesit e energjisë) duhet të ofrojë dëshmi se kanë përfunduar me sukses kontrata për shërbime të energjisë të modelit ESCO në ndriçim publik, sipas nenit 4 pika 2.3 si dhe neni 5 pika 1.1 te UA(ME) Nr. 06 2021. Vlera e kontratave duhet të jetë jo më pak 2. Një listë të kontratave të realizuara, duke plotësuar Aneksin 6 të Dosjes së Tenderit ku duhet saktësuar titullin e kontratës, shumën e kontratës, datën e fillimit dhe datën e përfundimit dhe përfituesin, si dhe listës t’i bashkëngjiten referencat ose certifikatat për kryerje të punëve. Dosja e Tenderit për Kontratën Publike Kornizë – Shërbim Me Disa OE 16 se 5,000,000.00€. Kërkesë të tilla janë shumë diskriminuese dhe vlera të tilla cungojnë konkurrencën. Kriter i pa kjart është edhe Aneksi 7. LISTA E PAJISJEVE MJETET E PUNËS Vërejtje: OE duhet ta plotësoj kolonën D me te gjitha te dhënat për pajisjet e ofruara siç është (viti I prodhimit, gjendja e pajisjes, kamiona rexhistrimi i I targave, mekanizimi, dëshmitë mbi pronësinë ose kontratë për huazim, foto etj). JU keni bere nje liste, por se kolona D, siç ju e kerkoni nuk egziston ne liste. Për aq sa u tha me larte kërkojmë te permisoni kërkesat duke rivendosur kritere te MATESHEM”, thuhet në ankesën e kompanisë.

Komuna e Prishtinës pritet të ketë edhe ankesa tjera në OSHP lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, pasi edhe një të tillë e ka hedhur poshtë, porse nuk ia ka zbuluar emrin se cila ka qenë ajo /Demokracia.com/

Këtu mund të shihni kërkesat për sqarime për disa kritere të dyshimta dhe përgjigjen e komunës:

Linku 1

Linku 2

Të ngjashme