Lajme
Dinari i përplas Kurtin e Osmanin, krerët e shtetit shfaqin shenja përçarëse mes vete
Demokracia
15:49 | 31 Janar 2024

Share:

Çështja e heqjes së valutës së dinarit serb në Kosovë ka shkaktuar shumë reagime vendore dhe ndërkombëtare.

Aleatët e Kosovës si ShBA, BE  dhe Gjermania kanë kërkuar që çështja e dinarit të shtyhet për një afat, në mënyrë që të ketë një dakord.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill e ka cilësuar si befasi të panevojshme këtë vendim të Kosovës, duke aluduar se s’ka pasur dakordim me aleatët për këtë çështje.

“Në këtë fazë të dialogut që ne kemi arritur dhe z.Lajcak ka arritur, surpriza të tilla të panevojshme dhe veprime të njëanshme duhet të shmangen”, ishte shprehur Hill.

Kur kanë mbetur edhe një ditë për të hyrë në fuqi ky vendim, presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë shfaqur mendime të kundërta.

Osmani kërkoi që për këtë vendim duhet përkrahja e aleatëve.

Ajo tha se “do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike”.

“Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër. Dhe të gjithë e dinë se për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë, në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri. Pra, mund të bëhen edhe njëra, edhe tjetra. Jam i bindur që njëra nuk e përjashton tjetrën. Mund të ruhen edhe Kushtetuta, edhe aleatët tanë”, tha Osmani.

LEXO MË SHUMË: 

Çështja e Dinarit: Osmani paralajmëron se po “zbythet” Kurti nga vendimi, i bën thirrje të dëgjohen aleatët

Krejt ndryshe është deklaruar kryeministri Kurti.  Ai  nuk ka përfillur kërkesat e aleatëve.

Edhe në këtë temë, Kurti ka vendosur të dal kundër vullnetit të aleatëve të Kosovës.

Në një deklarim për media, pasi bëri homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit në Podujevë, Kurti nuk ka folur lidhur me kërkesat e ndërkombëtarëve për shtyrje të ekzekutimit të rregullores së BQK-së, sipas të cilës nga 1 shkurti në Kosovë të gjitha pagesat duhet të bëhën në euro dhe se kjo çështje është e panegociueshme.

LEXO MË SHUMË:

Kurti del prapë kundër kërkesës së SHBA dhe BE: Rregullorja e BQK-së për “Dinarin” është e panegociueshme

“Pra në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lelë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS nuk është një çështje e negociueshme”, ka theksuar Kurti.

Ai ka theksuar se rregulloret e BQK-së janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

“Vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) janë vendime të pavarura, sepse BQK-ja është institucione i pavarur, rregullat të cilat ata i sjellin, rregulloret të cilat ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, dhe unë besoj që duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin, Ahmet Ismaili, që ta bëjë punën e tija ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvend”, është shprehur Kurti.

Vendimi për dinarin pritet të hyjë nesër në fuqi sipas rregullores së re të BQK-së.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në konferencë për media e konfirmoi se nuk do të dëgjohen këshillat e aleatëve. /Demokracia.com/

LEXO MË SHUMË: 

Qeveria e refuzon kërkesën e aleatëve për shtyrjen e vendimit të BQK-së për dinarin, nesër hyn në fuqi

Të ngjashme