Lajme
Dëshmori Shukri Qorri kujtohet në 25-vjetorin e rënies
Demokracia
00:09 | 20 Prill 2024

Share:

25 vjet më parë, pas thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, në Zonën e Pashtrikut ra heroikisht Shukri Qorri.

“Ditën kur u nis për armatim, me dajtë e vet, Çitakët, Shukriu e mori veturën e tij, Opell Cadetin, të cilën e kishte blerë veç për shërbimet e ushtrisë. Ajo veturë ka histori interesante. Kur qe plagosur Rexhepi, i ati i Mustafë Qorrit, në oborrin e shtëpisë, ky me këtë veturë e pat dërguar deri në spitalin e Likovcit, dhe, në të kthyer, nëpër terr, në drita e hetojnë serbët që ishin të stacionuar në Kodër të Rakoshit, e prej andej e qëllojnë pandërprerë me praga. Vonë, tek kur i fishkëllejnë predhat përreth, i bie ndërmend për t’i fikur dritat, ashtu vepronin përherë ushtarët tanë. Më vonë, veturën  e tij e kemi parë në Junik, aty e kishte pas lënë, kur e ka kaluar kufirin për në Shqipëri”, kishte rrëfyer babai i tij, Avdullahu.

Shukri Qorri, bashkë me shokë, tri herë kishte provuar për tu kthyer në Kosovë, por rikthimi ishte i pamundur për shkak se kufiri shqiptaro-shqiptar ishte mbërthyer nga forcat serbe.

Më 5 mars 1999, ai i ishte bashkuar Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Njësinë e Topave, në artilerinë e lehtë, me top 75 mm, komanduar nga Feriz Terzhnjeva dhe kishin filluar përgatitjet për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Beteja kryesore e Koshares u zhvillua më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”. Ajo ishte njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

“Ramë në pritat serbe. Gjatë tërë ditës u zhvilluan luftime nga dy-tri orë, por forcat serbe u zmbrapsën. Kur u plagos Ambrozi, Leonardi e tërheq në shpinë deri përtej kufirit, tek Ambulanca e Shtabit dhe iu kthehet luftimeve. Ne u vumë në pozicione tek Rrasa e Zogut në Koshare. Natën e parë bëra roje me Leopardin. Të nesërmen herët në mëngjes, kah ora katër, filluan granatimet serbe. Luftimet ishin të ashpra e zgjatën tërë ditën. Ishte 19 prill 1999. Dikur kah mesi i ditës luftohej deri në dhjetë metra. Forcat serbe zmbrapseshin e prapë mësynin. Rreth orës 21 forcat armike hidhen me të gjitha mjetet, iu erdhën në ndihmë kontingjente të reja ushtarake. U tërhoqëm, por ndërmorëm kundërsulm. I zumë pozicionet tona…Luftimet ishin të rrepta, me intensitet gjithnjë më të shtuar. Trupat e luftëtarëve të vrarë nuk mund të tërhiqeshin. Po atë ditë kishin rënë edhe Fisnik Ibrahimi nga Shajne e Dragashit dhe Shukri Qorraj nga Padalishta”, rikujtonte Luigji, një bashkëluftëtar i tij.

Sot, në 25 vjetorin e rënies së tij, Shukriu u kujtua në familjarët dhe miqtë e tij.

Kushëriri i tij, Hektor Beqiri, kujtoi datën kur Shukriu i ishte bashkuar UÇK-së.

“Sot, 25 vjet më parë, ra dëshmor kushëriri Shukri Qorri. Me zjarrin liridashës që e digjte përbrenda, Shukriu i ishte bashkuar UÇK-së më 24 maj 1998. Luftëtar i guximshëm, i shkathtë në vijën e frontit dhe shumë i dashur për të gjithë! Ai ra heroikisht në Zonën e Pashtrikut, pasi u thye kufiri shqiptaro-shqiptar. Shukriu do të jetojë përjetësisht në zemrat tona!”, shkroi Beqiri.

 

Drejt Alpeve Shqiptare, Shukri Qorri, luftëtari nga Pemishtja ishte nisur përmes pikës “Çitaku”, udhëhequr nga Hajzer Çitaku.

Të ngjashme