Lajme
Degradimi i komunikimit shtetëror | Qeveria Kurti dhe Rusia nuk pajtohen me ambasadorin amerikan
Demokracia
11:02 | 15 Qershor 2024

Share:

Kryeministri Albin Kurti dhe përgjithësisht vartësit e tij në Qeveri, shpeshherë nuk dijnë të zgjedhin fjalët kur bëjnë reagimet e tyre publike. Madje, as kur në këtë mes mund të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një fuqi botërore e pazëvendësueshme për rolin e saj në lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Gjuha e rëndë e komunikimit me zyrtarët e ShBA-së nuk janë ndonjë gabim momenti, por ato janë shprehur në shumë raste duke u bërë edhe të zakonshme, shkruan Demokracia.com.

Papjekuria shtetërore në komunikim, më e pakëta që mund të thuhet për Kurtin dhe vartësit e tij, ka sjellur një situatë të çuditshme, kur Qeveria e Kurti dhe Ministria e Jashtme e Rusisë të mos pajtohen, sipas pikëpamjeve të tyre, me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill.

13 QERSHOR 2024: ÇFARË THA AMBASADORI HILL?

Më 13 qershor 2024, ambasadoi i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Në një intervistë për ‘NIN’, Hill ka thënë se evropianët po kërkojnë vetëm normalizim.

“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë”, ka thënë Hill, duke shtuar se dëshiron të shoh më shumë përparim në dialog.

27 SHKURT DHE 18 MARS 2023: ÇFARË MARRËVESHJESH BËRI KURTI NË BRUKSEL DHE OHËR?

Më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, kryeministri Albin Kurti i ka dhënë një goditje të fuqishme qëllimit të Republikës së Kosovës që nga dialogu me Serbinë të dalë me njohje reciproke ndërshtetërore, si kusht themelor për arritjen e paqes ndërmjet dy vendeve.

Vetëm brenda një periudhe kohore tre javore, Kurti ka arritur dy marrëveshje me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe në asnjërën prej tyre nuk ka njohje reciproke, palët nuk paragjykojnë statusin dhe rruga evropiane kushtëzohet vetëm me normalizim.

Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] është hequr njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rezultat i mundshëm dhe përfundimtar i dialogut të zhvilluar në Bruksel. Kurti ka reduktuar në maksimum synimet dhe kërkesat e Kosovës, duke u mjaftuar me “normalizim të marrëdhënieve”. Ndërkaq, me Aneksin e Ohrit [18 mars 2023], procesi i integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE është i lidhur vetëm me normalizim të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

13 / 14 QERSHOR 2024: VARTËSIT E KURTIT BËHEN SIKUR NUK E DIJNË SE ÇFARË MARRËVESHJESH ARRITI KURTI NË BRUKSEL DHE OHËR

Deklarata e parë si reagim ndaj qëndrimit të ambasadorit amerikan Hill, se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, pasi evropianët po kërkojnë vetëm normalizim, ka ngjallur reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ndonëse nuk ka të bëjë asgjë me këtë temë, ka marrë guximin për të komenuar deklaratën e një diplomati.

“Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë. Sa i përket çështjeve të tjera dhe forcimit të subjektivitetit të Kosovës ne vazhdojmë punën”, është përgjigjur Murati ndaj deklaratës së Hillit më 13 qershor 2024.

Ndaj qëndrimit të ambasadorit amerikan ka reaguar dje edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Në llogarinë e tij në platformën “X”, Bajrami ka shkruar se pa njohje reciproke, nuk mund të ketë normalizim të raporteve në mes të dy vendeve.

“Qëllimi i Dialogut të Brukselit të udhëhequr nga BE është të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet #Kosovës dhe Serbisë. Pa njohje reciproke, nuk mund të ketë normalizim”, ka shkruar Bajrami, përcjell Demokracia.com.

DEGRADIMI I KOMUNIKIMIT TË LIDERËVE SHTETËRORË

Sulmet, ofendimet dhe fushatat linçuese kundër përfaqësuesve të shtetit tjetër padyshim se ndikojnë në marrëdhëniet ndërshtetërore. Por, këtë fakt, kryeministri Albin Kurti nuk e mori asnjëherë parasysh kur në qendër të fjalimeve dhe deklaratave të tij ishin përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Demokracia.com në shumë raste ka raportuar për degradimin e komunikimit publik të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Të ngjashme